Operatori i katërt celular, tenderi për licencën në rrezik dështimi
Tenderi për dhënien e licencës së katërt celulare në tregun e telefonisë vendase rrezikon të dështojë pas problemeve që janë zbuluar në ofertat e dhëna nga kompanitë pjesëmarrëse në këtë garë. Burime nga Ministria e Telekomunikacionit bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “komisioni i përzgjedhjes së ofertave do të rishqyrtojë për një kohë 1-mujore dokumentacionin e kompanive pjesëmarrëse në tenderin e hapur dhe njëkohësisht do të presë derisa të verifikohet i gjithë aktiviteti i këtyre kompanive”. Sipas të njëjtave burime, “në MPPTT, komisioni i përbashkët po shqyrton me kujdes dosjet për të mos pasur kontestime dhe për të mos u nxituar në daljen me një përfundim të parakohshëm për dhënien e licencës së katërt GSM”. Edhe pse ligji e parashikonte dhënien e përgjigjes për kompaninë fituese që brenda 5 ditëve të para nga hedhja e tenderit, duke bërë kështu vlerësimin e ofertës dhe shpalljen e fituesit, komisioni duket se është stepur përpara kësaj mundësie. Burimet thonë se shqyrtimi i ofertave do të bëhet dhe përfundimet do të dalin vetëm pas një muaji. Kjo gjë do t’u lërë kohë organeve shtetërore që të shqyrtojnë mirë ofertat dhe kompanitë pjesëmarrëse në garë, por njëkohësisht të presin të gjitha kontestimet apo faktet që mund të dalin, pa u ngutur që të shpallin një fitues. Në tenderin e zhvilluar në datën 20 shkurt 2009, tri kompani paraqitën ofertat e tyre për licencën e operatorit të katërt celular. Tri kompanitë ishin: suedezja “Tele2”, kompania shqiptare “Univers PG” me partnere kompaninë afrikane “TELMAR”, si dhe ajo kosovare “PTK” me partnere “ACI”-n. Kjo e fundit dha dhe ofertën më të lartë në këtë tender me 7.2 milionë euro, duke qenë dhe pretendentja kryesore për fitimin e garës. Kompania shqiptare “Univers PG” ofroi vetëm 5 milionë euro, që është edhe shuma minimale që kërkohej nga komisioni për lëshimin e licencës, ndërsa kompania suedeze “Tele2” nuk ka dhënë ofertë për blerjen e licencës, por është mjaftuar vetëm me dorëzimin e dokumentacionit dhe shprehjen e interesit. Më parë nga kjo garë u tërhoq edhe kompania telefonike gjermane "Deustche Telekom", duke ua lënë stafetën kompanive të tjera të interesuara. Por çmimi, i cili ofrohet për licencën, nuk është ndër kriteret kryesore për vlerësimin. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postave, kriteret për fitimin e frekuencave për futjen e një operatori tjetër në telefoninë celulare zgjidhen në bazë të tarifave që shoqëritë ofrojnë, (sa më të ulëta të jenë, aq më gjasa ka për të fituar) dhe gjithashtu edhe në kuadër të shpejtësisë që do të ketë rrjeti lidhës (sa më i shpejtë të jetë, aq më tepër ka probabilitet që të fitohet tenderi). Komisioni i ofertave përfaqësohet nga punonjës të AKEP-it, si dhe nga një përfaqësues nga MPPTT-ja. Pasi është njohur me ofertat, komisioni është tërhequr për të bërë vlerësimin dhe pritet që së shpejti të shpallë fituesin. Ligji parashikon që brenda 5 ditësh të bëhet vlerësimi i ofertave dhe të shpallet fituesi. Futja në treg e operatorit të katërt celular do të rrisë konkurrencën dhe pritet të ulë çmimet për qytetarët. Deri tani, në Shqipëri funksionojnë tre operatorë të telefonisë së lëvizshme. Aktualisht, tregu i telefonisë së lëvizshme në Shqipëri numëron rreth 2.5 milionë abonentë.
Bizneset: Sa më shpejt celulari i katërt
Konfindustria, nisur nga domosdoshmëria e përmirësimit të funksionimit të tregut të telefonisë së lëvizshme në vend, këshillon Ekzekutivin shqiptar për përzgjedhjen sa më të kujdesshme dhe sa më të shpejtë të operatorit të katërt në Shqipëri. Bizneset industriale përshëndesin veçanërisht pjesëmarrjen e kompanisë me kapital publik "Vala", të Postë Telekomunikacioneve të Kosovës (PTK), në tenderin për operatorin e katërt të telefonisë celulare në Shqipëri. Futja në treg e një tjetër operatori parashikon ulje të tarifave me gati 20 për qind, në një kohë që pas futjes së celularit të tretë në mars 2008 tarifat u ulën me gati 30 për qind.
27 Shkurt 2009