Bello: KLSH-ja të hetojë shpërdorimet e fondeve në RTSH
Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, kërkoi dje që KLSH-ja të hetojë shpërdorimin e fondeve që sipas tij po bën RTSH-ja. Sipas Bellos: “Në raportin e fundit të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve në Republikën e Shqipërisë, të bie në sy, edhe një herë, se RTSH-ja vijon të injorojë veprimtarinë politike të partive opozitare, duke transmetuar në pjesën më të madhe të kohës aktivitete politike të mazhorancës së djathtë që qeveris vendin që nga 2005-a”. Bello theksoi se edhe pas shqetësimit të ngritur nga drejtues të Partisë Socialiste se Radiotelevizioni Shqiptar, si operatori i vetëm publik kombëtar, po demonstron njëanshmëri të dukshme në favor të partisë në pushtet, në raportin e KKRT-së për vitin 2008 rezulton qartë se ky shqetësim nuk është marrë në konsideratë. “Gjej rastin t'i kërkoj KLSH-së të nisë menjëherë kontrollin në RTSH për të davaritur çdo dyshim mbi abuzimet skandaloze me fondet publike dhe pronësinë e saj anembanë vendit, e cila po u jepet operatorëve privatë për 1 euro”, - tha Bello.