Dy partitë e mëdha kryesojnë KZAZ-të
PD-ja dhe PS-ja kryesojnë KZAZ-të. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje aktin për përcaktimin e partive që do të kenë të drejtën të propozojnë anëtarin e 7-të të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Në bazë të rezultatit të shortit, u caktua që PD-ja do të ketë anëtarin e shtatë në të gjitha KZAZ-të me numër çift, ndërsa PS-ja në ato me numër tek. Nga 66 KZAZ-të që mendohet të jenë paraprakisht në 12 qarqet e vendit, në 33 prej tyre do të jetë PD-ja, ajo që do të ketë anëtarin e 7-të dhe në 33 të tjerat anëtari i 7-të do t'i takojë PS-së, subjekte këto të përcaktuara edhe në ligjin zgjedhor. Anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve duhet të propozohen nga subjektet politike brenda 13 marsit. Ashtu edhe siç parashikohet në Kodin Zgjedhor, jo më vonë se 15 ditë nga ngritja e KZAZ-ve, partitë duhet të dorëzojnë në KQZ emrat e propozuar. Sipas shortit të djeshëm, dy partitë e mëdha do të kryesojnë në mënyrë të ekuilibruar Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në rajonet më të rëndësishme të vendit. Në 6 rajone për shkak të numrit të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kryesojnë një numër të barabartë komisionesh. Kështu, në rajonin e Tiranës, Beratit, Durrësit, Elbasanit, Korçës e Vlorës, PS-ja dhe PD-ja kanë shumicën në një numër të barabartë komisionesh. Përjashtim bën qarku i Dibrës ku më shumë KZAZ kryesohen nga PS-ja. Kështu nga 3 zona 2 kryesohen nga PS dhe 1 nga PD-ja; në Fier nga PD-ja
kryesohen 4 zona ndërsa nga PS-ja 3; në Gjirokastër nga PS-ja kryesohen 2 ndërsa nga PD-ja 1; në Kukës nga PD-ja kryesohen 2 zona, ndërsa nga PS 1; në Lezhë nga PS-ja kryesohen 2 zona, ndërsa 1 nga PS-ja dhe në Shkodër demokratët do të kryesojnë 3 zona rajonale, ndërsa socialistët vetëm dy prej tyre.
NATO, PS-ja përshëndet mbylljen e ratifikimit
Procesin e mbylljes së procesit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga 26 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut, PS-ja nxiton të kërkojë meritat e saj në këtë proces. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se kjo parti ndihet krenare për kontributin e dhënë për të përfunduar me sukses këtë proces. “Partia Socialiste e Shqipërisë është krenare të konstatojë se gjatë gjithë këtij procesi ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në arritjen e standardeve që mundësuan këtë objektiv. Roli vendimtar i opozitës socialiste në krijimin e frymës së konsensusit për realizimin e reformave madhore për vendin siç qe nisma për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, mund të konsiderohen pa hezitim si kontribute decizive në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO”, - tha Kodheli. Sipas saj, anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, që është një aleancë vlerash demokratike, shtron para politikës shqiptare, e në veçanti para qeverisë, detyrën madhore të përmbushjes së standardeve, respektimin e institucioneve demokratike dhe, sidomos, zhvillimin e zgjedhjeve në standardet demokratike.