E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, Meta: Unë e pashë madhështinë e rrugës



Ilir Meta ka mbetur i mahnitur nga madhështia e rrugës Durrës-Kukës. Nuk mund ta shmangte një vizitë në rrugën që bashkon dy kombet shqiptare. Vlerësimi i bërë dje prej tij është maksimal. “Rruga Durrës-Kukës është një vepër madhështore”, - tha z. Meta. Për herë të parë, kryetari i një partie opozitare, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi maksimalisht punën e kryer për të ndërtuar këtë rrugë, ndërsa i bëri thirrje edhe kryesocialistit Edi Rama që ta vizitojë atë. Pavarësisht akuzave dhe baltës së hedhur nga e majta në katër vitet e fundit, kohë kur janë hedhur hapa gjigandë për ndërtimin e saj, Meta pranon se sa i rëndësishëm është ndërtimi i saj, ndërsa refuzoi të komentonte sulmet e opozitës në adresë të qeverisë, duke u shprehur se është një politikan, dhe jo prokuror. “Është një vepër e standardeve të papara deri tani në Shqipëri. Është një vepër e standardeve më të avancuara evropiane, dhe pa dyshim, është një ogur shumë i mirë edhe për të ardhmen evropiane, edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën, si dhe të vetë Ballkanit”, - u shpreh Meta gjatë vizitës në tunelin e Kalimashit. I pyetur për akuzat e opozitës, të bëra në katër vitet e fundit, Meta refuzoi t’i komentonte duke u shprehur se është politikan, dhe jo prokuror. Megjithatë, ai dha një mesazh të qartë, indirekt në adresë të ish-aleatit të tij, Rama, që të pranojë realitetin dhe të mos bëjë akuza politike, por gjithçka t’ia lërë në dorë drejtësisë. “Kjo rrugë do të jetojë shumë më tepër sesa Ilir Meta, Edi Rama apo Sali Berisha apo Lulzim Basha. Kjo është një rrugë, për të cilën shqiptarët paguajnë çdo ditë nëpërmjet taksave të tyre. Kjo është një rrugë, që duhet të vihet në shërbim të tyre. Ndaj, ne angazhohemi që në rast se kjo rrugë nuk përfundon deri në 28 qershor, dhe ne dëshirojmë të përfundojë, jemi këtu të shprehim angazhimin tonë që kjo rrugë në qeverisjen e ardhshme të përfundojë sa më shpejt, sepse i gjithë ky investim, i gjithë ky shfrytëzim që është bërë, duhet të kthehet në mirëqenie për të gjithë shqiptarët dhe Ballkanin”, - tha Meta. Në vijim, Meta vlerësoi së tepërmi rëndësinë e kësaj rruge për sa i përket integrimit të rajonit dhe afrimit mes vendeve. “Do të thosha që është një vepër shumë integruese, pasi e bashkon dhe e lidh më shumë si asnjëherë tjetër Veriun e Shqipërisë, që ka qenë i izoluar për shkak të mungesës së kësaj rruge me pjesën jugore të vendit; i bashkon vendet malore: alpet tona të mrekullueshme me bregdetin tonë të jashtëzakonshëm”, - tha Meta, duke shtuar se është një vepër e cila i jep jetë dhe të ardhme jo vetëm Kukësit, Mirditës, Hasit, Tropojës, por gjithë veriut të Shqipërisë. Ai theksoi se është një vepër që do të zhvillojë shumë turizmin malor dhe nuk do të ikin shqiptarët tashmë vetëm në Kolashin apo në Mavrovë për ski, por do të ikin edhe në Shishtavec dhe në Brezovicë të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›