E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Ja gabimet në Jalë

19/02/2009  Ekipi i Menaxherëve do ti raportojë Bordit për progresin pas tre muajsh

Për familjet e dëmtuara do të paguhen shpenzimet ligjore

Banka Botërore pranon gabimet e bëra me projektin e Jalës. Sipas një njoftimi zyrtar të këtij institucioni, në raportin e Ekipit të Menaxherëve janë parashtruar gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore. Ky raport paraqet një Plan Veprimi për trajtimin e çështjeve të identifikuara nga Paneli. Raporti i është paraqitur bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore, në përgjigje të hetimit të pavarur të Panelit të Inspektimit për Projektin e Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të zonës bregdetare. Ky hetim u kërkua nga familjet e dëmtuara prej prishjeve të ndërtesave në prill 2007 në fshatin bregdetar Jalë.

Ndihmë për familjet

Në planin e veprimit janë parashikuar një sërë masash me mbështetjen e Bankës Botërore. Më konkretisht parashikohet një shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007, caktimi i një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në Bankë, si dhe pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve. “Ekipi i Menaxherëve të Bankës do të mbikëqyrë edhe përfundimin e një vlerësimi social dhe të vulnerabilitetit dhe aplikimin retroaktiv të paketave të asistencës që rrjedhin prej këtij vlerësimi për të varfrit dhe të prekurit nga prishjet. Ekipi i Menaxherëve do t’i raportojë Bordit për progresin mbas tre muajsh”, - thuhet në deklaratën zyrtare. Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zoellick, i ka i kërkuar Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të Bankës që të hetojë çështjen, i cili nga ana e tij ia ka referuar këtë çështje Departamentit të Integritetit Institucional në Bankë (DII). “Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga Paneli i Inspektimit dhe po lëvizim shpejt për të forcuar mbikëqyrjen, për të përmirësuar procedurat dhe për të ndihmuar familjet, të cilave u janë prishur ndërtesat e tyre. Banka nuk mund ta lejojë këtë të ndodhë përsëri. Që nga menaxhimi bazë i projektit deri tek ndërveprimet me Bordin dhe Panelin e Inspektimit, të dhënat e Bankës për Projektin janë shokuese”, - tha Robert B. Zoellick. Gjithashtu, Paneli konstatoi se politika e Bankës për zhvendosjen e detyruar duhet të ishte zbatuar në përgatitjen e Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut, si dhe në programin në vazhdim të prishjeve të Qeverisë, në mënyrë që familjet në Jalë të mbuloheshin nga kjo politikë. Duke pasur parasysh seriozitetin e gabimeve të përcaktuara në Projekt, Presidenti i Bankës Botërore i kërkoi Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të kryejë një shqyrtim për të parë rrethanat që lidhen me nxjerrjen e korrigjimit të shtatorit 2008. Banka Botërore njofton gjithashtu, se asnjë nga zyrtarët e Qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion.

Hetimi

Paneli i Inspektimit hetoi zbatimin nga ana e Bankës Botërore të politikave të saj operacionale për përgatitjen, vlerësimin dhe zbatimin e projektit, si dhe hetoi dëmin apo dëmin potencial të njerëzve të prekur. Paneli i Inspektimit paraqiti raportin e tij më 1 dhjetor 2008. Projekti u pezullua nga Ekipi i Menaxherëve më 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim që mund jetë anulimi i plotë i tij. “Ndërsa moszbatueshmëria nga Banka e politikave të saj në rastin në fjalë është tmerrësisht shqetësuese, Paneli përshëndet lidershipin e Presidentit dhe Ekipit të Menaxherëve të Lartë, i cili pranoi gabimet dhe filloi marrjen e masave korrigjuese mbasi Paneli paraqiti raportin e tij”, - pohoi kryetari i Panelit të Inspektimit, Werner Kiene.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›