E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat, në 5 muajt e parë të vitit zhdoganojnë vetëm karburante

Administrata e realizon planin vetëm 105 për qind. Nafta dhe cigaret, sasia më e madhe e zhdoganimeve

Ervin Koçi

Administrata Doganore ka përmbyllur planin e të ardhurave për periudhën e 5-mujorit të parë të vitit 2008, me një bilanc krejt ndryshe nga sa ishte premtuar. Nivelin më të madh në zhdoganime e kanë zënë hidrokarburet, në një kohë që niveli më i lartë i taksave është grumbulluar nga mallrat e akcizës. Kjo administratë e realizoi planin e të ardhurave për 5-mujorin e parë të vitit 2008 në masën 105 për qind, duke arkëtuar në buxhetin e shtetit 1 miliard e 947 milionë lekë më shumë se plani. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bënë të ditur se, “në total si 5-mujor u arkëtuan 39 miliardë e 533 milionë lekë, ose 1 miliard e 947 milionë lekë më shumë se plani i përcaktuar për këtë periudhë, me një rritje prej 5 përqindësh”. Plani i të ardhurave për muajin maj u realizua në masën 100.3 për qind. Sipas burimeve të mësipërme, gjatë këtij muaji u arkëtuan në buxhetin e shtetit 8 miliardë e 415 milionë lekë, krahasuar me 8 miliardë e 388 milionë lekë që ishte plani i përcaktuar nga Ministria e Financave, ose 27 milionë lekë më shumë. Referuar këtyre të dhënave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (janar-maj 2007) tejkalimi është 5 miliardë e 46 milionë lekë, ose 15 për qind më shumë, çka dëshmon për një rritje të qëndrueshme të të ardhurave doganore nga viti në vit.

Cigaret

Administrata Doganore gjatë periudhës janar-maj të vitit 2008 rriti zhdoganimet e cigareve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, me zhdoganimin e artikullit cigare janë shënuar rezultate më të mira se e njëjta periudhë e një viti më parë. Burimet thanë se, “gjatë 5 muajve të parë të vitit 2008, u zhdoganuan 1.419 ton cigare, duke shënuar një rritje prej 183 ton më shumë, se sasia e zhdoganuar gjatë periudhës janar-maj 2007, ose 15 për qind më shumë.

Hidrokarburet

Sasinë më të madhe të mallit të zhdoganuar në 5 muajt e parë të vitit 2008 në doganat shqiptare e kanë zënë përsëri hidrokarburet. Me gjithë krizën e naftës në tregun ndërkombëtarë, si dhe pavarësisht çmimeve të larta në tregun vendas në shitjen me pakicë, importuesit e hidrokarbureve kanë mbajtur vendin e parë në importe. Referuar burimeve zyrtare të DPD-së, gjatë kësaj periudhe u zhdoganuan 147.707 tonë karburante, thuajse e njëjta sasi si një vit më parë, periudhë gjatë të cilës u zhdoganuan 148.395 tonë. Rënie ndërkohë pa pasur zhdoganimi i pijeve alkoolike si dhe ai i kafesë, që të dy mallra të akcizës. Sipas të dhënave, gjatë 5 muajve të parë të vitit 2008 u zhdoganuan 2.501 tonë kafe, krahasuar me 2.549 tonë që janë zhdoganuar në 5-mujorin e parë të vitit 2007.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›