E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja feston 17-vjetorin, Rama: “Vitin tjetër festojmë fitoren”

Kreu i PS-së feston themelimin e PS-së me socialistët korçarë. Aktivitete të shumta festive organizohen në të gjitha degët e PS-së

Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka festuar dje 17-vjetorin e themelimit të saj. Pikërisht për të përkujtuar 12 qershorin e vitit 1991, në të gjitha degët e Partisë Socialiste janë organizuar aktivitete festive. Kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka festuar datën e themelimit të PS-së me socialistët e Korçës, ndërsa dje në orën 19:00 deputetë dhe të zgjedhur të PS-së së Tiranës kanë organizuar një aktivitet festiv në Hotel Tirana International. Por aktivitete të shumta janë zhvilluar edhe në degë të tjera të PS-së në rrethe, ku kanë marrë pjesë të dërguar nga selia rozë dhe deputetë që përfaqësojnë këto zona.
Rama
Gjatë aktivitetit të zhvilluar në PS-në e Korçës, kryetari i selisë rozë, Edi Rama, ka falënderuar të gjithë socialistët, të cilët e kanë mbështetur gjatë drejtimit të tij të partisë kryesore të opozitës. Rama tha se gjatë këtij viti Partia Socialiste ka arritur të ndryshojë në mënyrë të jashtëzakonshme, duke qenë pjesë e problemeve, komunikimit dhe aspiratave të të gjithë shqiptarëve. “Viti që iku, qysh prej 12 qershorit të shkuar, ka qenë i jashtëzakonshëm për ne. Kurrë më parë një parti politike shqiptare s'ka jetuar mes njerëzve dhe s'ka komunikuar me problemet dhe aspiratat e tyre siç ka bërë Partia Socialiste gjatë këtij viti. S'ka qenë e lehtë. S'është dhe s'do të jetë e lehtë. Gjithë ç'kemi bërë gjatë këtij viti ka synuar një qasje të re për të zgjidhur probleme të vjetra. Pa përmirësuar procesin e degraduar politik, pushteti është vetëshkatërrues, fitorja mbi "armikun" është fillimi i humbjes sonë, ndarja e shtetit mes partive është një avaz s'mund e s'duhet të përsëritet më. Kemi gjetur kurajën për ta thënë, forcën për ta zhvilluar dhe rezistencën për të mos u tërhequr nga kjo rrugë. Të vetëdijshëm se pushteti s'është qëllimi, po mjeti ynë për të shëruar Shqipërinë”, - deklaroi Rama.
Objektivi
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, shprehu bindjen se në zgjedhjet e vitit 2009 Partia Socialiste do të festojë fitoren, duke realizuar më pas një qeverisje të suksesshme në shërbim të qytetarëve. “Të bindur se fitorja jonë e vitit të ardhshëm duhet të jetë fitorja e qytetarëve e qytetareve pa pushtet, jo kalimi i një pushteti abuziv nga disa duar në disa të tjera. Të gatshëm që të dëgjojmë shqiptarët e shqiptaret dhe të shkruajmë me ta një Program të Ri për Shqipërinë.
Nismat dhe aksioni ynë politik i këtij viti të shtatëmbëdhjetë të familjes të socialistëve kanë dëshmuar se interesat e vendit janë busulla jonë, interesat e bashkëqytetarëve tanë janë shtysa jonë. Interesi i Partisë Socialiste është të mishërojë interesat e shoqërisë sonë. Dialogu me Shqipërinë na ka treguar sesa shumë kemi për të dëgjuar nga njerëzit. Dhe sesa shumë kemi ende për të bërë për ta kthyer politikën nga një zanat politikanësh në një angazhim qytetarësh. Nga një shfaqje bajate personazhesh të stërlodhura në kutinë e televizorit në një hapësirë pa kufij e mure ndarës, ku çdo qytetar i këtij vendi mundet jo vetëm të flasë, po edhe të dëgjohet. Nga një inerci e së shkuarës që na ndan, në një thirrje të së ardhmes që na bashkon”, - u shpreh Rama.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›