E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Kreditë në Shqipëri, më të shtrenjtat në rajon

Banka Botërore, dëshmon se interesat e kredive në Shqipëri janë më të lartat në rajon. Sipas raportit të titulluar, Ndërtimi i Konkurrencës në Shqipëri, thuhet se kostoja e kredive në Shqipëri është më e larta në Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Të dhënat e publikuara në raport tregojnë se bizneset dhe individët janë ngarkuar me kosto shtesë pikërisht për shkak se bankat në

Shqipëri kanë mbajtur fitimet më të larta në rajon. Diferenca mes normës së interesit që bankat aplikojnë për kreditë dhe asaj që ato paguajnë për depozitat është në Shqipëri, plot 3 pikë përqindje më i lartë se vendet e tjera të rajonit. Normat e interesit mbeten shumë të larta në monedhën vendase lek, dhe pikërisht për shkak të këtyre kostove të larta, kredia në Shqipëri është orientuar në pjesën dërrmuese drejt valutës, që mbetet një risk konstant për shkak të goditjeve të kursit të këmbimit. Disa ekspertë thonë se normat e larta të interesit që bankat i ngarkojnë biznesit dhe individëve mund ti atribuohen edhe kërkesës së lartë që ka pasur ekonomia për financime. Të dhënat tregojnë se  në që nga viti 2004 kredia për ekonominë ka shënuar bum duke regjistruar norma rritje historike rritjeje, të cilat ranë vetëm vitin e kaluar për shkak të krizës. Ndërkohë Banka Botërore i bën thirrje qeverisë që të tregojë kujdes me kreditë që do të marrë. Pasi duke qenë me kushte tregtare, kostot që rëndojnë mbi tatimpaguesit janë të mëdha. Sipas përfaqësueses së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në strategjinë e re të partneritetit me këtë institucion ndërkombëtar përsa i përket përzgjedhjes së projekteve apo vonesave në zbatimin e tyre. Kjo pasi rrezikohet thellimi i borxhit publik, tregues që ka arritur aktualisht në 59.5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Strategjia e ardhshme e partneritetit mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore përfshin periudhën qershor 2010-qershor 2014. Ky dokument do të diskutohet me qeverinë shqiptare dhe në fillim të verës do ti paraqitet për miratim bordit të drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore. Që prej vitit 1991, Banka Botërore ka dhënë për vendin tonë mbi 1 miliardë dollarë kredi pa interesa. Gjatë konferencës për shtyp, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë ka deklaruar se janë konstatuar vonesa në projektin për menaxhimin e tokës dhe për shkak të mospërdorimit të 1.6 milionë dollarëve në komponentin e tretë të projektit u bë rialokimi i tyre për përballimin e situatës së përmbytjeve. Nuamah ka bërë të ditur se për bashkitë e Beratit, Elbasanit, Shkodrës dhe Kamzës fondet e së cilave u tenderuan, qeveria ka marrë përsipër që të gjejë burime shtesë nga buxheti. Megjithëse lidhur me këtë çështje, do të diskutohet edhe nga një ekip nga Uashingtoni i Bankës Botërore që mbërrin në Tiranë këtë fundjavë.

Last Updated on E Enjte, 08 Prill 2010 19:00

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›