Banka Botërore: Kriza do tkurrë ndjeshëm rritjen ekonomike
Rritja ekonomike do të jetë edhe më e ulët se parashikimi i bërë në fillim të vitit nga Banka Botërore. Në raportin e saj më të fundit, Banka Botërore ka deklaruar se rritja ekonomike do të ulet me 2 për qind. Kjo është rënia më e madhe e rritjes ekonomike të vendeve të rajonit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, dhe e gjitha kjo si pasojë e krizës globale ndërkombëtare. Konkretisht lidhur me rajonin ku bën pjesë edhe Shqipëria, në raport thuhet se “Zhvillimet e fundit e kanë prekur shumë rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Në 2009 pritet që GDP të bjerë me 2% krahasuar me rritjen prej 4.2% të saj gjatë vitit 2008. Rënia e rritjes për rajonin, krahasuar me parashikimin e Bankës në nëntorin e kaluar, është 4.8 pikë dhe përbën rënien më të madhe midis rajoneve në zhvillim”. Në raportin e saj, BB thekson se këtë vit do të ketë rritje ekonomike jashtëzakonisht të ulët për vendet në zhvillim. Vitin e ardhshëm pritet të ketë një rimëkëmbje të lehtë të ekonomisë. “Rreth botës së zhvilluar, ne shohim se kushtet e recesionit po prekin njerëzit e varfër, duke i bërë ata më të cenuar se më parë nga goditjet e tilla por edhe duke ulur mundësitë që u janë paraqitur dhe duke shtypur shpresat e tyre”, tha Justin Yifu Lin, Shefi i ekonomisë në BB dhe zv/president, për Ekonomitë në Zhvillim. “Kjo mund të kthejë pas vite të tëra progresi, dhe nuk është asgjë tjetër veçse një emergjencë për zhvillimin”. Në parashikimin e fundit, Banka theksoi se megjithatë, rritja duhet të marrë parasysh aktivitetin e kufizuar dhe të ngadaltë ekonomik, i cili do të mbetet i ulët, me rritje papunësie dhe këmbëngulje për ndreqjen e sektorëve të rëndësishëm për dy vitet e ardhshme. “Edhe nëse rritja globale duket pozitive sërish në vitin 2010, nivelet e të ardhurave do të mbeten të ulëta, presioni fiskal do të rritet dhe po ashtu do të rritet edhe papunësia në mënyrë virtuale në të gjitha vendet e botës deri në vitin 2011”, shpjegoi Hans Timmer, Menaxher në Tendencat Globale, në Grupin e Prosperitetit të Zhvillimit të BB.
Tregtia globale në mallra të konsumit të përditshëm dhe shërbime pritet të bjerë me 6.1 për qind në 2009, një rënie historike. Me 47 dollarë për fuçi në 2009, çmimet e naftës parashikohet të shkojnë në më shumë se 50 për qind nën nivelin e vitit 2008. Edhe çmimet e produkteve jo-karburant parashikohet të jenë të ulëta, rreth 30 për qind më të ulëta se të vitit 2008.