Llogaritja e tatimit 10% dhe tatimit fiks 1.5%
Në pamje të parë duket sikur janë dy tatime të ndryshme, por në të vërtetë flitet për një detyrim, por të llogaritur në dy mënyra të ndryshme. Deri sot, një biznes i vogël ishte i detyruar të paguante për bashkinë një kuotë fikse prej 1.5 për qind të xhiros së tij vjetore. Nuk kishte rëndësi se sa para kishte fituar biznesi që kishte bërë një xhiro vjetore prej 5 milionë lekësh, detyrimi i tij ishte 5 milionë x 1.5%, ose 75 mijë lekë. Këtë vit, bizneset do të paraqesin pranë sporteleve të bashkive krahas xhiros vjetore edhe bilancin e punës së tyre gjatë një viti. Në bilanc ka shpenzime dhe të ardhura, diferenca e të cilave jep edhe fitimin. Një e dhjeta e këtij fitimi do të jetë taksa që biznesi do të paguajë për bashkinë. Në rast se kjo shumë është më e vogël se sa 75 mijë lekë, për një biznes me xhiro vjetore 5 milionë lekë, atëherë Tatim-Taksat do të rimbursojnë biznesin me diferencën. Pra, në rast se fitimi i këtij biznesi do të ishte 700 mijë lekë në fund të vitit në bazë të deklaratave të dhëna nga vetë biznesi, atëherë ai duhet të paguajë 70 mijë lekë detyrime. Por duke qenë se ai ka paguar 1.5 për qind të xhiros si tatim të parashikuar, atëherë atij do t’i kthehen 5 mijë lekë. Nga ana tjetër, në rast se fitimi i tij do të ishte 800 mijë lekë, atëherë tatimi që ai duhet të paguajë do të jetë 5 mijë lekë më shumë. Sërish edhe për vitin 2009, bizneset e vogla do të paguajnë 1.5 për qind mbi xhiron si tatim, por në fillim të vitit 2010 ky tatim do të matet si 10 për qind i fitimit. Duhet theksuar se shumica e bizneseve të vogla janë biznese familjare. Në llogaritjen e bilancit, pagesat mujore të të punësuarve janë shpenzime dhe e zvogëlojnë pjesën e fitimit në fund. Pra, fitim quhet jo pagesa mujore e të punësuarve, por diferenca finale mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas llogaritjeve, tatimi 1.5 për qind i xhiros është i barabartë me tatimin 10 për qind të një fitimi 6.6 për qind mbi xhiron. Një biznes me xhiro 5 milionë paguan 75 mijë lekë si tatim 1.5%. I njëjti biznes do të paguante sërish 75 mijë lekë si tatim 10 për qind mbi fitimin në rast se në fund të vitit për 5 milionë lekë xhiro të kishte shpenzuar 4.25 milionë lekë. Pra ta kishte normën e fitimit 6.6 për qind. Duhet theksuar se ulja e normës së fitimit për të mbajtur të vogël tatimin, do të thotë çmime më të ulëta për konsumatorët.