“Krasniqi u vra nga grabitës”
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Autorët kanë hyrë për të grabitur në banesën e Bujar Krasniqit, i cili u gjet i vrarë e më pas i djegur brenda shtëpisë mëngjesin e së hënës. Kjo pistë ngrihet nga policia e Lushnjës mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gradishtë. Nga hetimet rezulton se Krasniqi mund të ketë njohur personat, që i hynë në shtëpi dhe është përleshur me ta. Frika se ai i kishte njohur ka bërë që ta vrasin e më pas djegur të gjithë shtëpinë, për të humbur çdo gjurmë. Pasi ka marrë në pyetje familjarët e viktimës 45-vjeçar, policia e Lushnjës nuk ka mësuar prej tyre ndonjë konflikt, që Kransiqi të ketë pasur në zonën ku jetonte. Babai i katër fëmijëve, i ardhur prej shumë kohës nga Peja, njihej si person i qetë dhe pa probleme. Mungesa e të dhënave për implikimin e tij në ndonjë veprimtari ilegale ka çuar policinë në pistën e grabitjes. Nga burime të policisë, pas këqyrjes së imtësishme të dhomës ku ndodhi vrasja e Krasniqit konstatohet se mes tij dhe autorëve të ketë pasur një përleshje fizike. Në grindje e sipër, të armatosur me armë zjarri, personat e paidentifikuar ende, e kanë qëlluar për të zhdukur dëshmitarin që u kishte parë fytyrat. Një plumb në shpatull e një tjetër pranë zemrës kanë qenë vdekjeprurës për Krasniqin. Arma e krimit mund të ketë qenë dhe me silenciator, pasi vajza e madhe e familjes ka pohuar në polici se nuk kishte dëgjuar krisma. Në dhomën e gjumit të viktimës, aty ku ka ndodhur krimi, gjithçka ka qenë e shkatërruar, madje dollapi i madh ishte i përmbysur. Ka qenë pikërisht kjo zhurmë, që sipas familjarëve, ka zgjuar vajzën e madhe të çiftit, e cila ka dalë e tmerruar nga shtëpia bashkë me dy motrat e saj më të vogla. Dyshohet se fakti që viktima kishte qenë disa herë në Greqi si emigrant ekonomik e ishte kthyer pak ditë më parë mund të ketë shtyrë autorët të mendojnë se në familjen Krasniqi kishte para. Ata duket se kanë kontrolluar në çdo cep të banesës, por pa mundur të gjejnë atë që kërkonin. Personat, sipas policisë janë të njohur të viktimës, pasi kjo shpjegon dhe faktin e vrasjes së tij e qëllimit për të humbur çdo gjurmë me anë të djegies me benzinë. Familjarët e Krasniqit kërkojnë pas ngjarjes jo vetëm zbardhjen e autorëve të krimit, por dhe ndihmën e shtetit për rritjen e 4 fëmijëve të mbetur jetimë. Veç humbjes së kryefamiljarit, gruaja me fëmijët e mitur kanë mbetur në qiell të hapur dhe pa asnjë burim financiar.
Gruaja: S’i kishim borxh njeriu
Flutura Krasniqi pohoi dje se i shoqi nuk kishte pasur asnjë konflikt apo borxhe me njeri. Nëna e 4 fëmijëve tregoi se gjatë këtyre viteve kishin jetuar me paratë që siguronte burri i saj kur punonte në Greqi. “Bujari nuk kishte asnjë borxh. Kemi jetuar të qetë e pa shkelur njeri në kallo”, thotë ajo, ndërsa kërkon nga shteti drejtësi për të gjetur autorët e krimit të së shoqit. Ajo ndodhej në një vdekje në Pogradec kur ka marrë lajmin se shtëpia ishte në flakë. Vetëm kur i është afruar shtëpisë i kanë treguar se burrin ia kishin vrarë. Flutura nuk ka asnjë dyshim mbi autorët, pasi sipas saj tragjedia që i ndodhi nuk kishte asnjë paralajmërim.