Fullani: Qeveria të rishohë buxhetin
fabiola Çela
Qeveria duhet të rishohë edhe një herë buxhetin e shtetit. Shpenzimet nuk do të mbahen dot nga të ardhurat.Banka e Shqipërisë paralajmëron qartë qeverinë, se kriza, ndryshe nga amortizimet në deklaratat politike, do të sjellë një ulje të të ardhurave dhe mundësive të financimit të deficitit buxhetor. Kjo do të vërë në dyshim investimet e buxhetit. Por kjo nuk është e keqja më e madhe e ekonomisë shqiptare. Sipas raportit të fundit, pritet që kriza të shkurtojë vendet e punës dhe të zvogëlojë kredinë e dhënë nga bankat.
Qeveria dhe buxheti
“Realizimi i stimulit fiskal të parashikuar për vitin 2009, mund të ndeshet me vështirësi, për shkak të rënies së kërkesës së brendshme dhe të nevojës për të gjetur burime shtesë të financimit të shpenzimeve. Për vitin 2009, qeveria parashikon realizimin e deficitit buxhetor në masën 4.2 për qind të PBB. Pjesa më madhe e tij pritet të financohet nga burime të huaja, duke nënkuptuar një fluks relativisht të madh hyrjesh valutore në formën e financimit të huaj. Në një kohë kur ekonomia e vendit mund të ngadalësojë ritmet e rritjes, poshtë parashikimeve të mëparshme dhe kur kërkesa e sektorit bankar për letra me vlerë të qeverisë rezulton në rënie, është e nevojshme të përgatiten mënyra alternative të veprimit. Në rast se të dy rreziqet e sipërpërmendura do të materializohen, atëherë do të ballafaqohemi me një situatë më të vështirë përsa i takon financimit të shpenzimeve. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson se është e nevojshme ristrukturimi i shpenzimeve në përputhje me përparësitë dhe ecurinë e të ardhurave fiskale, përgjatë vitit. Kjo situatë mund të zbutet nëse qeveria do të materializojë të gjithë synimet e saj të parashikuara për financimet e huaja”.
Ekonomia dhe papunësia
“Viti 2009, në kushtet e thellimit të mëtejshëm të krizës ndërkombëtare do ta përballë ekonominë shqiptare me disa sfida të reja. Sektori i sipërmarrjeve të biznesit dhe individët, do të përjetojnë rritje të vështirësive për financim. Ky faktor do të nxisë një proces ristrukturimi, i cili në afat të shkurtër do të rezultojë i mundimshëm dhe do të rrisë pasigurinë për ruajtjen e vendeve të punës. Gjatë këtij viti ekonomia jonë do të kalojë në një fazë përshtatjeje. Situata për vitin 2009, mbështetur në zhvillimet ndërkombëtare dhe në pritjet e biznesit dhe të familjeve, parashikohet të karakterizohet nga një ngadalësim i rritjes ekonomike. Vështirësitë e bizneseve dhe zhvillimet e ekonomisë reale gjatë vitit 2009, do të ndikojnë në nivelin e punësimit duke kufizuar rritjen e të ardhurave të familjeve. Në veçanti, pritjet e konsumatorëve për vitin 2009 tregojnë për një rënie të punëzënies, duke qenë kështu plotësuese me pritjet e bizneseve. Pritjet më të ulëta për kushtet ekonomike gjatë këtij viti, mund të ndikojnë sjelljen e biznesit dhe të konsumatorit në drejtim të uljes së investimeve dhe të konsumit”.
Bankat
“Nëpërmjet një akti të veçantë rregullativ, Banka e Shqipërisë i ka kërkuar sektorit bankar të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008, në formën e dividentit. Në mënyrë të posaçme, Banka e Shqipërisë kërkon nga aksionerët e bankave që të jenë të gatshëm, që në rast nevoje të shtojnë kapitalin dhe të ruajnë linjat e financimit për filialet e tyre që veprojnë në Shqipëri. Përfitueshmëria e sektorit bankar gjatë vitit pritet të ndikohet nga rënia e vëllimit të kreditimit dhe rritja relative e kostos së veprimtarisë. Rritja e ndjeshmërisë së publikut për sigurinë e kursimeve të tyre në sektorin bankar, e përqendruar në tremujorin e fundit të vitit për shkak të zhvillimeve në krizën financiare ndërkombëtare, ndikoi në uljen e ritmit të rritjes së veprimtarisë bankare gjatë vitit 2008. Rritja vjetore e depozitave të sektorit bankar për të gjithë vitin 2008 ishte 2 për qind, krahasuar me rreth 20 për qind që ishte në vitin 2007. Paqëndrueshmëria e ecurisë së depozitave ndikoi edhe veprimtarinë e ndërmjetësimit të sektorit bankar, duke u shoqëruar me ngadalësim të ritmit të rritjes së kredisë. Kështu, gjatë vitit, ritmi i rritjes vjetore të kredisë ishte rreth 35 për qind, kundrejt rreth 48 për qind në vitin 2007. Në lidhje me treguesit e rezultatit financiar të sektorit bankar, në fund të vitit 2008 treguesi i “kthimi mbi kapitalin” rezultoi 11.4 për qind, kundrejt 20.7 për qind që ishte në fund të vitit 2007. Treguesi “kthimi mbi aktivet” rezultoi 0.9 për qind, kundrejt 1.6 për qind që ishte një vit më parë. Rënia e këtyre dy treguesve ka reflektuar rënien e rezultatit financiar pozitiv të sektorit bankar gjatë vitit 2008, e kushtëzuar kryesisht nga ulja e ritmit të rritjes së veprimtarive fitimprurëse, rritja e fondeve rezervë për kredinë me probleme dhe rritja e shpenzimeve të veprimtarisë. Treguesit e dy muajve të parë të vitit 2009, konfirmojnë pritshmëritë për një rënie të ritmit të rritjes së kredisë gjatë vitit 2009. Kjo situatë do t’i bëjë bankat më të kujdesshme në përzgjedhjen e projekteve që do të financojnë, si edhe ka mundësi të orientojë veprimtarinë e kreditimit në afate më të shkurtra dhe drejt monedhës kombëtare, për të cilën ato kanë mundësi të sigurojnë burime më të qëndrueshme financimi. Si rezultat, stimuli më i ulët financiar që mund të japë sektori bankar në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat dhe atij publik, përfaqëson një tjetër faktor kufizues me të cilën do të përballet rritja ekonomike e vendit gjatë vitit 2009".