Banka Botërore: Nga Rama nuk presim mrekullira
Flet për Dojçe Velen, shefja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovski
Pavarësisht planit që mund të ketë kryeministri i ardhshëm Edi Rama Banka Botërore deklaroi dje se askush nuk mund të presë mrekullia nga qeveria. Në një intervistë për Dojçe Velen, shefja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovski deklaroi se, “Kemi një qeveri të re, që është zotuar të çojë përpara axhendën e saj, ta sjellë më pranë Shqipërinë me BE, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Por askush nuk mund të presë mrekullira. Të gjitha palët duhet të kontribuojnë. Qeveria e re duhet të punojë fort, po kështu bizneset, qytetarët duhet të japin kontributin e tyre duke paguar taksat, duke treguar jo tolerancë ndaj evazionit fiskal. Reformat në një sërë sektorësh, përfshirë shërbime më të mira, kërkojnë pagesën e duhur. Pra, nuk priten mrekullira, por nëse punohet së bashku, Shqipëria në pak vite do të kapërcejë situatën e tanishme”. Sipas Shefes së Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovski thotë se situata ekonomike në Shqipëri për këtë vit do të jetë më e mirë, megjithatë rreziqet janë ende në horizont. Në një intervistë për Dojce Vele, Lvovski thotë se pritet një rimëkëmbje ekonomike, por e ngadaltë dhe e brishtë. “Vitin e kaluar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor patën tregues negativë për rritjen ekonomike, me në krye ekonominë serbe. Në këtë vit situata do të jetë më e mirë. Shpresohet që goditja e ekonomisë nga sektori energjetik të shmanget, por recesioni do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim. Pra, ne presim rimëkëmbje, por ajo do të jetë e ngadalshme dhe rritja e ekonomike për rajonin dhe Shqipërinë do të jetë e ulët në dy vitet e ardhshme. Faktorë të tillë si huatë e këqija, rimëkëmbja e ngadaltë e kredisë, tkurrja e sektorit privat do të vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim negativ ndaj kërkesës së brendshme dhe rimëkëmbjes në vendet e Europës Juglindore dhe në Shqipëri” thekson ajo. Sipas shefes së Bankës Botërore për Shqipërinë, niveli i lartë i papunësisë, veçanërisht rritja e papunësisë në radhët e rinisë dhe përkeqësimi i treguesve të reduktimit të varfërisë janë dy faktorët që shqetësojnë Bankën Botërore. E pyetur rreth sfidave që do të ketë qeveria e re me kryeministër Edi Ramën Kseniya Lvovski thotë : “Është shumë e rëndësishme për të parë mundësitë: spostim nga një rritje ekonomike e orientuar nga kërkesa e brendshme në një rritje të orientuar nga eksporti, masa serioze për të tërhequr investitorët e huaj, konsolidim fiskal, vënie rregulli tek financat publike, ulje e borxhit te lartë publik. Investitorët e huaj e perceptojnë borxhin e lartë publik si një rrezik për ekonominë”. Ndër rekomandimet e Bankës Botërore për qeverinë e re janë rritja e besimit tek institucionet publike. Sipas Lvovski testi i parë i vërtetë për angazhimet e qeverisë së re ndaj idealeve të mirëqeverisjes dhe integrimit në BE do të jetë tërheqja e personave të kualifikuar në administratën publike, pavarësisht se për kë votuan. Qeveria e re duhet të krijojë hapësirë fiskale për rritje të investimeve publike thotë Lovovski, dhe të vazhdojë reformat në një sërë sektorësh asistencën sociale, arsimin, bujqësinë, menaxhimin e burimeve ujore etj. Shefja e Bankës Botërore për Shqipërinë thotë se prioriteti i tretë është fillim i një programi të besueshëm të konsolidimit fiskal me qëllim stabilizimin e borxhit të rritur publik për ta futur në rrugën e uljes së tij graduale.