E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: “Përmirësohet klima për të bërë biznes në Shqipëri”

Publikohet raporti i BB-së dhe IFC-së, “Doing bussines 2009”. Shqipëria mes 10 vendeve të botës që kanë bërë reforma

Ervin Koçi

Pas kritikave të FMN-së për klimën e biznesit, Banka Botërore dhe IFC vlerësojnë hapat e ndërmarrë nga qeveria përmes raportit të përvitshëm “Doing bussines 2009”. Në indeksin e publikuar dje, Shqipëria ka kapërcyer 40 vende krahasuar me vitin e kaluar, duke u listuar në vendin 86. Përfaqësuesja e institucionit më të rëndësishëm financiar ndërkombëtar në Tiranë, Kamila Naumah, vlerësoi reformat të cilat janë ndërmarrë në 10 treguesit që monitoron raporti si: hapja e një biznesi, marrja e një kredie, marrja e një lejeje ndërtimi, regjistrim i pronave etj. Por ai ka theksuar edhe problemet që ekzistojnë për përmirësimin e klimës së biznesit. Ekspertët e studimit “Doing bussines 2009” e kanë konsideruar Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet që ka bërë reformat më të rëndësishme për arritjen e standardeve.

Raporti

Shqipëria ishte listuar në vendin e 136-të në raportin e përgatitur nga agjencitë e Bankës Botërore dhe IFC-së “Doing bussines”, të cilët monitorojnë 181 vende në mbarë botën. Ndërsa këtë vit konstatohen përmirësime të ndjeshme. Në raportim që i përket vitit 2009, Shqipëria është renditur në vendin e 86-të mes 181 vendeve të mbarë globit. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Kamile Naumah, ka bërë publike dje rezultatet e këtij raporti. Krahasuar me një vit më parë Shqipëria ka bërë hapa para. Përfaqësuesja e BB-së, Naumah, vlerësoi reformat të cilat janë ndërmarrë në treguesit që janë nën monitorim, si: hapja e një biznesi, marrja e një kredie, marrja e një lejeje ndërtimi, regjistrim i pronave etj. Sipas raportit “Të bësh biznes” për vitin 2009, Banka Botërore ka renditur si ekonomitë më reformatore këto 10 shtete: Azerbajxhani, Shqipëria, Republika Kirgize, Bjellorusia, Senegali, Burkina Faso, Botsvana, Kolumbia, Republika Dominikane dhe Egjipti.
Problemet

Naumah theksoi se mbetet ende shumë për të bërë, pasi sipas saj, klima e biznesit në Shqipëri nuk matet vetëm me këtë raport. Shumë nga treguesit që ndikojnë korrupsioni, infrastruktura, arsimimi, nuk janë të përfshirë në këtë listë. Në këtë kuadër, përfaqësuesja e BB-së, Kamile Naumah, theksoi se Shqipëria duhet të bëjë akoma më shumë përsa i përket reformave në sistemin gjyqësor. Duhet të përmirësojë infrastrukturën regjistrimin e pronës, të bëjë më shumë për arsimimin e fuqisë punëtore. Ajo theksoi se vërehet një rritje interesi të investitorëve, por sfida është që ky interes të ruhet më kohë me qëllim që Shqipëria të përfitojë në atë që është gara e thithjes së investimeve të huaja. Një ndër pikat më të kritikuara që konstatohen në këtë raport janë edhe procedurat e falimentit të kompanive, të cilat kalojnë përmes procedurash të burokratike. Ky është viti i gjashtë radhazi që Banka Botërore dhe IFC-ja publikojnë raporti “Doing Bussines”. Të dhënat e tij janë një burim referenciale që përdoren nga investitorët e huaj, bankat, apo edhe vetë qeveritë e shteteve të ndryshme në marrëdhëniet me partnerët e tyre. Pak javë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin e përvitshëm për Shqipërinë, ku ndër pikat e kritikueshme ishte klima në të cilën ndodhet sipërmarrja private në vend. Edhe në raportet dhe indekset e përgatitura nga agjencitë apo institucionet ndërkombëtare gjatë këtij viti janë konstatuar probleme përsa i përket gjendjes në të cilën ndodhet sipërmarrja private në Shqipëri, ndonëse janë përmirësuar parametrat e kreditimit apo të regjistrimit të një biznesi nga institucionet shtetërore.

Biznesi, kundër kalimit të apelimit te Tatimet

Komuniteti i biznesit ndihet i pambrojtur pas kalimit të sistemit të apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Përfaqësuesit e sipërmarrjes private deklarojnë se me ligjin e ri Tatimet kanë fituar pushtet të pakufizuar në dëm të biznesit. Kjo pasi mungon një strukturë e pavarur që t’i shqyrtojë me drejtësi konfliktet tatime-biznes, ashtu siç duhet të ishte gjykata administrative, aq shumë e premtuar nga qeveria. Përfaqësuesit e biznesit deklarojnë se kostot e tyre do të rriten pas kalimit të sistemit të apelimit tek tatimet. Pasi sipas të gjitha gjasave, ata do të jenë të detyruar që t’i drejtohen gjykatës për të kundërshtuar gjobat, një proces që do të kërkojë më shumë kohë dhe më shumë para.
Hyrja në fuqi e ligjit të ri për procedurat tatimore e ka rënduar së tepërmi klimën për biznesin, pasi është rritur arbitrariteti i administratës tatimore, duke krijuar shtigje për abuzime dhe korrupsion.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›