E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë voton privatizimin e kompanisë “ARMO”



Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin "Për miratimin e kontratës së shitjes së 85 për qind të aksioneve të ARMO sha, ndërmjet ministrisë së Ekonomisë dhe blerësit Amra OIL sh.a dhe konsorciumit Refineri Associates of Teksas Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited". Sipas relacionit bashkangjitur këtij projektligji, 85 për qind e aksioneve shtetërore të kompanisë së tregtimit dhe përpunimit të naftës “ARMO”, i janë shitur konsorciumit të përbërë nga tre shoqëri: "Anika Enterprises SA", "Mercuria Energy Group Limited", “Refinery Associates of Texas, INC". Çmimi i shitjes së 85 për qind të aksioneve të “ARMO sh.a.” është 128,750,000 euro. Konsorciumi i ka dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës një garanci kontrate prej 20 për qind të çmimit. Në bazë të kontratës, tre shoqëritë anëtare të konsorciumit janë përgjegjëse solidare për pagesën e çmimit të blerjes, zbatimin e Biznes-Planit, si dhe për përmbushjen e të gjitha garancive të tjera të shitësit në kontratën e shitjes së aksioneve. Blerësi ka garantuar respektimin e Biznes-Planit të dorëzuar në tender dhe investimin e një shume prej 240 milionë dollarë gjatë 5 viteve. Ndërkohë qeveria i ka kushtuar vëmendje të veçantë përmirësimit të kushteve të mjedisit dhe mbrojtjes së tij, prandaj dhe kontrata parashikon investimin e 50 milionëve për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit në tre vitet e para.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›