Kriza për ilaçet prek dhe Urgjencën e Spitalit Ushtarak
Emanuela Sako
Kriza e ilaçeve prek dhe Urgjencën e Spitalit Ushtarak. Drejtori i Qendrës së Traumës në Spitalin Ushtarak, Fatos Olldashi, tha dje për gazetën “Albania” se mungesat në medikamente sa vijnë dhe shtohen. Madje, më problematike shfaqen rastet e urgjencave, të cilat kanë një afat të caktuar në ndërhyrjen e menjëhershme të ndihmës së shpejtë që u jepet në këtë qendër. Prej disa javësh rastet e urgjencave janë vështirësuar së tepërmi në përballimin e tyre me barna. Pacientët janë të traumatizuar nga kjo situatë e vështirë, pasi tani u duhet të shkojnë në spital me barna në duar. Mjekët nuk dinë të japin një përgjigje se kur do të përfundojë kjo situatë. Ndërsa autoritetet shëndetësore flasin për një kapërcim të krizës, por ende nuk kanë përcaktuar se cila do të jetë zgjidhja. Ndërkaq, mjeku Olldashi shpjegon se kanë ndikuar një sërë faktorësh që gjendja e spitalit është në këto kushte.
Situata
Sipas Olldashit, që është një prej drejtuesve në Spitalin Ushtarak, mungesat në medikamente vijnë për arsye të moskryerjes së tenderave dhe të mos tenderimit të një pjese të madhe të medikamenteve. Kjo ndodh pasi firmat farmaceutike nuk shfaqin interes për disa medikamente që janë të domosdoshme për kurimin e pacientëve. Për shkak të mungesës së medikamenteve, situata ka filluar të jetë e vështirë për mjekët, të cilët kanë përballjen e përditshme me pacientët. Kështu, rastet e urgjencave priten me ato pak barna rezervë që janë parashikuar për këto raste, ndërsa pjesa tjetër blihen nga vetë pacientët. Spitali Ushtarak duket se po kalon të njëjtën krizë ashtu si dhe QSUT-ja, e cila që prej një viti nuk po rimerr dot veten nga mungesat e shumta në aparatura dhe medikamente. Situata në spitalet shqiptare shfaqet tejet e rënduar, ndërsa pacientët janë të detyruar që të shkojnë në këto spitale. Ndërsa e vetmja gjë që marrin nga mjeku janë këshillat mjekësore, sepse barnat që duhet t’iu ofrojë spitali ata i blejnë me shpenzimet e tyre në farmacitë më të afërta. Ndërkohë që në Spitalin Ushtarak drejtohen mbi 100 raste urgjente në ditë.
Urgjencat
Në të gjithë vendin, spitali që pret më tepër të aksidentuar në një ditë rezulton të jetë Spitali Ushtarak. Sipas statistikave zyrtare, numri i të aksidentuarve arrin edhe 100 persona në ditë, që drejtohen në Qendrën e Traumës në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, të aksidentuarit vijnë në çdo orë të ditës dhe natës. Një numër i madh aksidentesh shkaktohen edhe nga konsumimi i alkoolit dhe për këtë mjekët shprehen se ardhja e emigrantëve dhe festat e shumta gjatë verës bëjnë që të konsumohet më tepër alkool.
11 Shtator 2008