Ministri Gjana: “Fermerët t’i paguajë privati, shteti s’ka përgjegjësi”
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, ka fikur shpresat e fermerëve të dëmtuar nga misri shterpë, duke u deklaruar prerë se nuk do t’i kompensojë ata. “Asnjë lek nga buxheti i shtetit, asnjë lek nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, asnjë lek nga fondet e Këshillit të Ministrave dhe të Ministrisë së Bujqësisë nuk do të përdoren për këtë dëmshpërblim. Ata do t’i dëmshpërblejë vetë firma”, - ka deklaruar dje zyrtarisht ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, duke çliruar në këtë mënyrë të gjitha strukturat qeveritare nga çdo përgjegjësi për skandalin. Ministri Gjana iu kundërvu deklaratave të opozitës për përgjegjësinë e qeverisë në këtë skandal, duke thënë se dëmshpërblimi i takon që të paguhet vetëm nga firma “Agro-Blend”. Sipas ministrit, dëmshpërblimi do të realizohet nga kompanitë që e kanë marrë përsipër këtë proces, duke përllogaritur sipërfaqet e mbjella të çdo fermeri dhe rendimentin për hektar. “145 hektarë në dy qarqet e Dibrës dhe Elbasanit janë prekur nga ky fenomen, ndërsa lajmet për zgjerimin e hartës janë të pavërteta”, - u shpreh më tej Gjana. Partia Socialiste nga ana e saj ka hedhur idenë e një projekti për formën e dëmshpërblimit për fermerët, ndërsa vuri në dispozicion edhe dy numra telefoni në pritje të denoncimeve nga fermerët e prekur nga skandali i misrit. Fermerët e dëmtuar nga fara e misrit shterpë nuk do të dëmshpërblehen nga shteti, por nga firma. Ai konfirmoi se fara “Aliseo” ka hyrë në Shqipëri e certifikuar sipas skemave të OECD-së dhe se çështja duhet të zgjidhet mes subjekteve private përmes normave ligjore. Ndërkohë, firma “Agro-Blend” është shprehur se garanton që do të dëmshpërblejë fermerët bazuar në sipërfaqet e kontrolluara metër për metër dhe rendimentet për hektarë sipas zonave.
11 Shtator 2008