Kurrikulat e reja, prioritet i UT-së
Hartimi përfundimtar i kurrikulave të reja është një çështjet kryesore me të cilat po merret UT-ja. Stafi akademik po përgatitet për hartimin e të gjitha teksteve të reja në mënyrë që tekstet të mos bëhen pengesë e studentëve për vitin e ri akademik. Konsolidimi i stafit akademik dhe modernizimi i kurrikulave, mbetet një nga prioritetet kryesore të Universitetit të Tiranës për vitin e ri akademik, të cilin, pritet ta nisin mbi 5 mijë studentë të rinj. Rektori i universitetit, Dhori Kule, u shpreh se sfida më e madhe e arsimit të lartë është reforma e kurrikulave, sipas procesit të Bolonjës. Për këtë qëllim, Universiteti i Tiranës po rekruton staf të ri akademik, në mënyrë transparente dhe me përzgjedhje sa më të mirë të kandidaturave.
Rektori i UT-së tha se, të gjitha universitetet po punojnë për të konceptuar zhvillimin e kurrikulave të reja, një proces që ka nevojë për modernizimin e kapaciteteve njerëzore dhe materiale.
Nga ky proces do të përfitojnë 160 vende pune si pedagogë, të cilat UT-jqa i ka ofruar për punonjës akademikë në universitete të ndryshme, veçanërisht të nivelit “master”, të nivelit “doktor shkence”, për të bërë punimet post doktoraturë, sipas procedurave të zbatimit të deklaratës së Bolonjës. Rektori Kule u shpreh edhe se viti i ri akademik për universitetin kryesor shqiptar, synon përgatitjen e specialistëve të profileve të ndryshme, transmetimin e njohurive bashkëkohore të të gjitha fushave për studentët, aktivizimin e linjave të kërkimit shkencor në të gjitha nivelet dhe me gjitha strukturat, në përputhje me Kartën e Bolonjës.
11 Shtator 2008