E Diel, 1 Nëntor 2026

Magjistratura, rregullat për të mos u skualifikuar në provim



Laureta Rryçi
Mbaron afati i regjistrimit për konkursin në Shkollën e Magjistraturës. Dita e djeshme u ka dhënë fund regjistrimeve nga kandidatët që duan të vazhdojnë studimet për t’u profilizuar në gjyqtarë apo prokurorë. Burime pranë kësaj shkolle shpjeguan se pas fazës së regjistrimit kanë nisur përgatitjet për ditën e konkursit, që do të zhvillohet më datë 15 shtator. Fletët e përgjigjes së provimit do të jenë të gjitha të vulosura. Të gjithë kandidatëve do t’u shpërndahet një zarf i vogël, i cili brenda ka një letër në të cilën do të shkruhet emri i kandidatit që konkurron. Emri nuk do të shkruhet në asnjë nga fletët e provimit. Më pas zarfi do të mbyllet e do të vuloset. Në fund të provimit zarfi i vogël, së bashku me fletët e provimit (të cilat do të jenë të futura në një zarf të madh, që dhe ky do të vuloset), do të dorëzohen në një vend të caktuar. Pas dorëzimit të fletëve të provimit Drejtoria e Shkollës së Magjistraturës do të vendosë numrin si në zarfin e vogël, ashtu dhe në zarfin e madh të çdo kandidati. Komisionit të provimit do t’i vihet në dispozicion vetëm zarfi i madh, me numrin përkatës, i cili përmban fletët e provimit.
Korrigjimi
Korrigjimi i provimit me shkrim do të bëhet në një sallë të mbyllur (ambient zyrtar) brenda godinës së Shkollës së Magjistraturës. Gjithashtu, asnjë anëtar i komisionit të korrigjimit nuk lejohet që të marrë me vetë fletët e provimit.
Për çdo kërkesë kandidati duhet të kërkojë leje nga administratori i konkursit. Gjatë provimit, e gjithë salla do të jetë nën mbikëqyrjen e një grupi individësh të pavarur.
Moskualifikimi
Studentët nuk duhet të flasin ose të japin e marrin asistencë nga njëri – tjetri apo nga të tjerë gjatë provimit, për asnjë lloj arsyeje. Në qoftë se një gjë e tillë ndodh, atëherë administratori i provimit (Drejtoria) vendos menjëherë përjashtimin e studentëve nga salla e provimit, si dhe deklarimin e provimit të tyre të pavlefshëm. Në qoftë se një student merr ndihme nga dikush të dy palët do të skualifikohen në bazë të rregullit II. Monitorët do të jenë persona jo të përshirë në sistemin gjyqësor shqiptar dhe jo me profesion juristë apo pedagogë të Shkollës së Magjistraturës. Ata do të jenë përfaqësues shqiptarë dhe të huaj nga organizata me të cilat Shkolla e Magjistraturës ka pasur dhe ka marrëdhënie bashkëpunimi. Në qoftë se monitorët do të venë re shkelje sado të vogla të rregullave të provimit, ata do t’u kërkojnë studentëve që ta lënë sallën menjëherë, si dhe do të njoftojnë administratorin e provimit.
Rregullat
Gjatë provimit studentët nuk lejohen të shënojnë ose lënë emrin apo shenja sado të vogla në fletët e provimit (nënkuptohen shprehje ose citime qe e bëjnë fletën e provimit të identifikueshme).Në rast të një korrigjimi, fjala ose shprehja do të futët në kllapa, do t’i kalohet një vije sipër sipas këtij modeli: (gabim). Aplikimi: Në rast se konstatohen shenja të ndryshme në fletët e provimit, ato do të shpallen të pavlefshme dhe kandidati humb të drejtën për të konkurruar. Në përfundim të provimit të gjitha fletët do të vendosen në një kuti të vulosur. Gjithashtu edhe zarfet e vegjël do të jenë të futura në një kuti të vulosur. Kutitë e vulosura do të ruhen pranë zyrave të partnerëve tanë ndërkombëtare. Kutia me fletët e provimit do të hapet vetëm në ditët e korrigjimit në prezence të komisionit të korrigjimit. Gjithashtu zarfi i madh me zarfet me numrat korrespondues do të hapet në prani të komisionit të korrigjimit. Pasi të shpallen rezultatet në baze të numrave të sekretimit hapja e zarfeve të vegjël me emrat do të behet në prani të konkurruesve në ambientet e Shkollës se Magjistraturës.
Nëse pas marrjes se rezultateve ka rezerva për rezultatin , kandidati ka të drejtë të verifikoje përgjigjët e veta. Kur konstaton pasaktësi matematikore ose të ndonjë lloji tjetër me karakter procedural, kandidati paraqet vërejtjet me shkrim brenda tre ditëve nga shpallja e rezultateve. Nuk ka seancë ballafaqimi direkt me jurinë e vlerësimit.

Provimi me shkrim

Provimi me shkrim zhvillohet në një ditë për të dy profilet
(gjyqtar dhe prokuror). Në pjesën e parë zhvillohet teza e formimit të përgjithshëm intelektual, e cila përmban: Testin e Inteligjencës dhe një Ese, ndërsa në pjesën e dytë zhvillohet një test profesional, i cili përmban pjesën teorike nga fushat e së drejtës të parashikuara në programin e provimit të pranimit dhe pjesën praktike me dy raste nga praktika gjyqësore.

Vlerësimi

Teza e provimit vlerësohet maksimalisht me 450 pikë.
Me 100 pikë vlerësohet teza e provimit të formimit të përgjithshëm intelektual, nga të cilat me 50 pikë vlerësohet testi i Inteligjencës dhe me 50 pike vlerësohet Eseja.
Me 350 pikë vlerësohet Testi Profesional, nga të cilat; me 250 pike vlerësohet pjesa teorike, të cilat ndahen; 50 pikë për pjesën teorike të së drejtës civile, të së drejtës penale, procedurës civile dhe procedurës penale dhe me 50 pikë vlerësohet pjesa teorike e degëve të tjera të së drejtës si; e drejta kushtetuese, e drejta administrative. Pjesa e rasteve praktike vlerësohet me 100 pikë, nga 50 pikë për secilin rast praktik. Ndalohet përdorimi dhe mbajtja e telefonave celularë si dhe e pajisjeve të tjera. Kjo rregullore është e miratuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës dhe çdo shkelje e saj si nga ana e kandidatëve pjesëmarrës në provim, ashtu edhe nga stafi i përfshirë në këtë proces sjell pasoja për të dyja palët.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›