Universiteti i Tiranës, fakultetet e dyta që ofrohen te Shkencat e Natyrës dhe Shkencat Sociale
Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës do të ofrojë për vitin e ri akademik studime të ciklit të dytë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në atë të Shkencave Sociale. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të hapet programi i studimit “Shkencat dhe teknologjitë ushqimore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në shkencat dhe teknologjitë ushqimore. Ndërsa në Fakultetin e Shkencave Sociale do të ofrohen dy programe studimi për ciklin e dytë. Këto dy programe janë: Programi i studimit “Psikolog shkollor/organizacional”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, profili psikolog shkollor/organizacional; Programi i studimit “Psikolog klinik i zhvillimit dhe marrëdhënieve”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, profili psikolog klinik i zhvillimit dhe marrëdhënieve.
Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite.
Politekniku
Studime të ciklit të dytë në vitin akademik 2008-2009 mund të ndiqen edhe pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Kështu, në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të UPT-së do të ofrohen 10 diploma të nivelit të dytë. Për këto diploma do të zbatohen katër programe studimi të ciklit të dytë. Programi i parë është: “Inxhinieri gjeologjike”, me profile: Gjeologji inxhinierike dhe hidrogjeologji; Vendburimet e mineraleve të dobishme-petrologji; Gjeologji e vendburimeve hidrokarbure; Gjeoinformatikë. Në përfundim të këtij programi do të lëshohen diplomat e nivelit të dytë sipas profilit të studimeve. Po në këtë fakultet do të lëshohen edhe katër diploma të tjera të ciklit të dytë sipas këtyre profileve: Inxhinieri e Burimeve të Energjisë; Përpunim mineralesh dhe mbetjesh; Gjeomatikë; Gjeoinxhinieri. Programi i tretë i studimit është “Inxhinieri gjeofizike”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në inxhinieri gjeofizike. Programi i katërt i studimit është: “Inxhinieri e gjeomjedisit”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në inxhinierinë e gjeomjedisit.
Bujqësori
Fakulteti i Shkencave Pyjore, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës do të ofrojë për vitin akademik 2008-2009 dy diploma të nivelit të dytë. Qeveria vendosi dje hapjen e programit të studimit “Inxhinieri përpunim-druri”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në inxhinieri përpunim-druri. Diploma e dytë që do të lëshohet nga ky fakultet për studimet e ciklit të dytë është Inxhinieri pyjore. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
Filialet
Studimet e larta për Infermieri dhe Anglisht tashmë mund të ndiqen edhe në qytetin e Sarandës dhe të Kukësit. Qeveria ka vendosur dje edhe hapjen e programeve të studimeve, të ciklit të parë, të gjuhës angleze dhe të Infermierisë së përgjithshme, si filiale të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe të Fakultetit të Infermierisë, të Universitetit të Tiranës, në qytetet e Kukësit dhe të Sarandës, në vitin akademik 2008-2009, si dhe për përcaktimin e kuotave të pranimit dhe të tarifës së shkollimit, për këto programe. Në përfundim të studimeve do të lëshohet diplomë e nivelit të parë, në Gjuhë angleze dhe në Infermieri të përgjithshme. Programet e studimit të ciklit të parë realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është tri vite. Numri i kuotave të pranimeve, në këto programe studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, është, si më poshtë: Programi i studimit “Gjuhë angleze”, në filialin e Kukësit 25; Programi i studimit “Gjuhë angleze”, në filialin e Sarandës 25; Programi i studimit “Infermieri e përgjithshme”, në filialin e Kukësit 60. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që regjistrohen në vitin e parë, në këto programe studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, është 15 mijë lekë.
11 Shtator 2008