E Diel, 1 Nëntor 2026

Fyle - Wammen: Statusi kandidat, priten rezultate konkrete edhe për reformat e fundit

21-07-2012 / Gazeta 55

Presidenca daneze e BE vë theksin tek realizimi i marrëveshjes politike të nëntorit 2011-të
 
Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Stefan Fule dhe Ministri Danez për Çështjet Evropiane, Nicolai Wammen përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar rezultate konkrete nga Shqipëria për plotësimin e 12 kritereve të lëna nga BE.
“Në vijim të marrëveshjes politike mes qeverisë dhe opozitës të arritur në nëntor 2011, në vitin 2012 në Shqipëri janë bërë përpjekje të vërteta nga të dyja palët politike për çuarjen përpara të reformave”, nënvizojnë Fule dhe ministri danez Wammen, teksa shtojnë se progresi i mëtejshëm do të varet në shkallë të gjerë nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria e dialogut mes forcave politike.
Deklarata vjen në kuadër të punës së bërë dhe politikave të zgjerimit gjatë Presidencës daneze të BE.
Në deklaratë, e cila vlerëson gjithashtu zhvillimet e muajve të fundit në rajon, përfshihet edhe Kosova, për të cilën dy zyrtarët e lartë u shprehën se harta e vizave i afron më tepër qytetarët me heqjen e tyre.
Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle dy ditë më parë, në një deklaratë zyrtare, e cilësoi miratimin e reformës zgjedhore si arritje të madhe për klasën politike dhe përmbushjen e rekomandimit kryesor për statusin e kandidatit.
“Arritja e kësaj marrëveshjes të rëndësishme përbën një hap përpara shumë të rëndësishme në plotësimin e marrëveshjes së nëntorit 2011, dhe përmbushjes së një prioriteti kyç të opinionit. Por reforma elektorale nuk është vetëm një prej prioriteteve kyçe të opinionit, ai është i domosdoshëm për funksionimin e zgjedhjeve parlamentare 2013”, thuhej në deklaratën e Komisionit Evropian.
Pas miratimit të Kodit Zgjedhor, vëmendja e ndërkombëtarëve është te ligji për imunitetin. Edhe njëherë Fyle i bën thirrje klasës politike që të vijojë me dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për të përfunduar prioritetet kyçe që të arrihen rezultate deri në shtator.
“Ne i bëjmë thirrje mazhorancës dhe opozitës që të bazohen te ky zhvillim pozitiv e të vazhdojnë më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për të përfunduar punën mbi prioritete të tjera kyçe të opinionit e të arrihet rezultat në muajin shtator. Reformat në zbatimin e ligjit janë një faktor kyç në ecjen përpara drejt integrimit në BE. Në respekt të këtij votimi për reformën e sistemin të imuniteteve dhe Gjykatës së Lartë në përputhje me standardet evropiane, do të jetë një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Kjo është thelbësore që Shqipëria të përparojë në rrugën drejt BE-së këtë vit”.  
 
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›