E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore: Rritja ekonomike 2 për qind më e ulët

01/04/2009  Sipas raportit Perspektiva Ekonomike Globale 2009 vendet në zhvillim janë në rrezik

Tregtia botërore kap shifrat historike të rënies me 6.1 për qind në 2009

Botohet raporti i fundit i Bankës Botërore "Perspektiva Ekonomike Globale 2009". Në këtë raport theksohet se gjatë këtij viti e gjithë bota do të përballet me një rritje jashtëzakonisht të ulët në vitin 2009, por kryesisht vendet në zhvillim. Ndërsa situata në 2010 do të jetë pak më e mirë, me një rimëkëmbje të lehtë, por sërish me një krizë besimi të theksuar. Më konkretisht, lidhur me rajonin ku bën pjesë edhe Shqipëria theksohet se zhvillimet e fundit e kanë prekur shumë rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. “Në 2009 pritet që GDP-ja të bjerë me 2 për qind krahasuar me rritjen prej 4.2 për qind të saj gjatë vitit 2008. Rënia e rritjes për rajonin, krahasuar me parashikimin e Bankës në nëntorin e kaluar është 4.8 pikë dhe përbën rënien më të madhe midis rajoneve në zhvillim”, - nënvizon raporti. Edhe pse ka një kthim pozitiv në 2010, niveli i papunësisë do të rritet akoma më shumë në 2011, sipas shpjegimit të një prej menaxherëve të Bankës Botërore. Tregtia botërore e të mirave dhe shërbimeve pritet të bjerë në 6.1 për qind në 2009, një rënie kjo që kap nivele historike. Gjithashtu edhe të ardhurat nga tregtia e karburanteve do të jenë rreth 30 për qind më të ulëta se në vitin 2008 me një total prej 47 miliardë dollarë në 2009. Një tjetër institucion ndërkombëtar, FMN-ja në dokumentin e tij “Parashikimi Ekonomik Botëror” të janarit 2009, thekson se rritja e ekonomisë botërore për vitin 2009, pritet të jetë vetëm 0.5 për qind. Ekonomitë e vendeve të zhvilluara do të tkurren me rreth 2 për qind për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, ndërsa ekonomitë e vendeve në zhvillim do të rriten vetëm me 3.3 për qind. Nën ndikimin e masave për të lehtësuar financimin si edhe mbështetur nga politika ekspansioniste monetare dhe fiskale, ekonomia botërore parashikohet të nisë një rigjallërim gradual në vitin 2010, kur rritja ekonomike pritet 3 për qind. Ekonomia e SHBA pritet të tkurret me 1.6 për qind në vitin 2009 dhe të rritet vetëm me 1.6 për qind në vitin 2010. Norma e rritjes vjetore të çmimeve të konsumit, do të jetë përkohësisht negative gjatë vitit 2009. Financat publike do të përkeqësohen, duke u shoqëruar me rritjen e deficitit buxhetor në 12.3 për qind të PBB për vitin 2009. Për vendet e Eurozonës, pritjet e FMN-së janë edhe më të dobëta. Ekonomia e këtij rajoni do të tkurret me 2 për qind në vitin 2009 dhe do të rritet vetëm me 0.2 për qind në vitin 2010. Sipas dokumentit “Parashikimi i ndërmjetëm” i janarit 2009, Komisioni Evropian pret që ekonomia e Italisë të tkurret me 2 për qind në vitin 2009 dhe të rifillojë rritjen në vitin 2010. Për Greqinë, parashikimet janë më optimiste, ndonëse rritja ekonomike pozitive për vitin 2009 do të jetë shumë e ulët. Të dyja këto vende, do të përjetojnë një rritje të normës së papunësisë pranë nivelit mesatar të Eurozonës në vitin 2009. Për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, pritjet e FMN janë për një tkurrje të ekonomisë me 0.4 për qind në vitin 2009 dhe një rritje të ekonomisë prej 2.5 për qind për vitin 2010.

Rreziku sipas BSH-së

Procesi i hapjes së tregjeve ekonomike po shtrin efektet e krizës edhe në vendet në zhvillim. Banka e Shqipërisë në raportin e saj për stabilitetin thekson se zhvillimet ekonomike botërore gjatë pjesës së dytë të vitit 2008, dëshmuan për shndërrimin e krizës financiare ndërkombëtare në një krizë ekonomike me ndikim global. “Integrimi mjaft i lartë i tregjeve financiare mes vendeve të zhvilluara, lejoi shfaqjen e shpejtë të krizës në këto vende. Autoritetet publike në shkallë botërore, kanë krijuar stimuj të jashtëzakonshëm fiskalë dhe monetarë për t’iu përgjigjur rreziqeve në afat të shkurtër dhe në afat më të gjatë”, - thanë ekspertët e BSH-së.

Rritja graduale

Deri në momentin e kthesës, ekonomia botërore do të vazhdojë të vuajë nga rënia e kërkesës, si rezultat i rënies së investimeve private dhe të tregtisë. Elementi i dytë që do të vuajë ekonomia botërore, sipas ekspertëve është rritja e papunësisë, si rezultat i nevojës së sektorit të biznesit dhe të familjeve për të ulur kostot për shkak të shtrëngimit të financimit. Ky proces korrektimi i mundimshëm, por i nevojshëm, pritet të realizohet gjatë këtij viti. “Ekonomia botërore pritet ti rikthehet gradualisht rritjes së qëndrueshme në vitin 2010”, - thanë ekspertët. Masat e marra pritet të rivendosin besimin te tregjet financiare dhe të rikthejnë normalitetin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›