E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoni: Të zbatohet ligji i miratuar në 2005

01/04/2009  Detyrimet ligjore ndaj ish-ushtarakëve

Partia Socialiste kërkoi nga qeveria zbatimin e detyrimeve ligjore për ish-ushtarakët. Anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ilir Gjoni ndalur në këtë çështje i mëshoi kërkesës së kësaj partie për vënien në efiçencë të ligjit për trajtimin suplementar të ish ushtarakëve, i miratuar në maj të vitit 2005. Por, nisur nga qëndrimi konkret i qeverisë “Berisha” mbi një ligj të tillë, Gjoni vuri në dukje se “Me hilet që e karakterizojnë mazhorancën e sotme dhe për të larguar nga vëmendja detyrimet që përcaktoheshin në vendimin e gjykatës kushtetuse, qeveria ngriti një grup ndërministror për ta riparë edhe një herë ligjin dhe vendimin e gjykatës kushtetuese”. Për më tepër, sipas tij, kohët e fundit, Ministri i Financave ka hedhur tezën cinike, se edhe trajtimi i ish ushtarakëve do të zgjidhet me paketën ligjore që po “pregatit” qeveria në kuadër të pagesës suplementare për minatorët, naftëtarët dhe shtresa të tjera të shoqërisë. “Ky është mesazhi më i qartë se qeveria aktuale nuk do ta zgjidhe problemin e trajtimit me pagesë suplementare të ish ushtarakëve. Flamujt e NATO-s të kthyer në ambalazhe të defekteve të qeverisë, nuk do të mund të mbulojnë këtë padrejtësi dhe turp ndaj ish ushtarakëve. Edhe ky episod flet për fallcitetin dhe mungesën e seriozitetit të reformave të qeverisë së korruptuar të Gërdecit”, deklaroi Gjoni. Për këtë arsye, përfaqësuesi socialist në emër të PS-së garantoi të gjithë ushtarakët se “pas 28 qershorit do të rivendosë, pa mëdyshjen më të vogël, në vend dinjitetin dhe të drejtat e tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›