E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së nën komandën e të huajve

01/04/2009  Ekspertët italianë ftohen nga lidershipi socialist për të trajnuar deputetët e kësaj partie

Komunikimi dhe debati publik - dy elementet kryesore ku kërkohet eksperiencë

Lidershipi i Partisë Socialiste shfaqet i vëmendshëm në çdo detaj të përgatitjeve për fushatën elektorale. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë shtuar ethet e garës nga njëra anë, por nga ana tjetër kërkojnë dhe një përqendrim të përfaqësuesve politikë në atë çfarë do të deklarojnë apo do të premtojnë lidhur me këtë fushatë. Për këtë arsye, kupola rozë nuk ka vonuar të kërkojë ndihmën e ekspertëve të huaj për një prezencë brenda kuadros së duhur në këtë fushatë të ethshme elektorale. Kështu, komunikimet dhe debatet publike të drejtuesve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të Partisë Socialiste janë dy nga elementet kryesore ku do të përqendrohet trajnimi i ekspertëve të huaj. Kështu, gjatë ditës së djeshme ishte zgjedhur një grup deputetësh socialistë, kryesisht emra të cilët janë pothuajse çdo ditë prezentë në daljet publike, për çështje të ndryshme, por gjithmonë lidhur me oponencën parlamentare, ai që dëgjoi dhe u njoh me përvojën e ekspertëve italianë. Kësisoj, në qytetin e Durrësit ishte radha e një grupi të vogël ligjvënësish socialistë që të trajnohej nga këta ekspertë, më së shumti për komunikimin publik dhe debatet publike tani në prag të fushatës elektorale, por dhe gjatë saj. I gjithë qëllimi për një prezencë perfekte të përfaqësuesve dhe drejtuesve socialistë në këtë fushatë lidhet konkretisht me përçimin në mënyrë korrekte dhe në formën e duhur të mesazheve të ndryshme elektorale në elektoral dhe në mbarë opinionin e gjerë publik. Kësisoj, ekspertët ndërkombëtarë kanë filluar trajnimet me drejtuesit socialistë, por këtë herë nuk janë vetëm vullnetarët ata që po trajnohen nga ekspertë të mirënjohur të fushatave në Evropë apo edhe në Amerikë. Trajnimi nisi pak ditë më parë, me një pjesë të sekretariatit të Partisë Socialiste, për të vijuar gjatë ditës së djeshme në trajnimin e një grupi deputetësh socialistë në qytetin e Durrësit. Ndërkohë, edhe pse nuk bëhen e ditur mënyra dhe kriteret mbi të cilat është përqendruar ndarja e grupeve që do të trajnohen nga ekspertët italianë, ajo që mësohet lidhet konkretisht me faktin se drejtuesit janë ndarë në grupe të veçanta me rreth 20 veta. Koordinimi mes palëve, gjithmonë brenda Partisë Socialiste, është elementi kryesor në këtë ndihmë që japin ekspertët e huaj. Kjo duke dashur që të shmangen përplasjet mes përfaqësuesve socialistë në zhvillimet gjatë fushatës elektorale lidhur me atë çfarë do të transmetojnë në publik. Për këtë arsye, ajo që institohet nga ekspertët e huaj të fushatave është përçimi sa më i mirë i mesazhit te votuesit shqiptarë. Në trajnimin e zhvilluar pak ditë më parë me sekretarët dhe nënsekretarët socialistë, i cili është zhvilluar në Pogradec, ka qenë i pranishëm dhe vetë e kryetari i PS-së Edi Rama. Megjithatë, socialistët kanë zgjedhur që të mos bëjnë me dije asnjë detaj mbi një fazë të tillë, në të cilën është përfshirë PS-ja.

Vullnetarët e PS-së

Gjatë gjithë kësaj kohe fondacioni “Friedrich Ebert” është marrë me trajnimin e vullnetarëve të Partisë Socialiste në qytete të ndryshme. Ky fondacion së bashku me deputetët socialistë, sipas qarqeve ku ka vijuar ky trajnim, ka vënë në dispozicion eksperiencën e tij lidhur me çështje të organizimit të fushatës elektorale. Ata i kanë njohur vullnetarët me eksperiencat më të mira të organizimit të fushatave në SHBA, Gjermani dhe Britani. Me sa duket, mënyra se si duhen realizuar detyrat objektivat që i janë ngarkuar rrjetit të vullnetarëve ngriti nevojën e një prezence të ekspertëve të huaj për të trajnuar jo vetëm përfaqësuesit e grupeve të vullnetarëve, por të gjithë rrjetin në shkallë vendi. Synimi lidhej pikërisht me mënyrën se si do të përçohet mesazhi te zgjedhësit shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›