E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Shqipëria është një ndër vendet më të favorshme për biznes

Shqipëria renditet në një ndër vendet ku është e lehtë të hapësh një biznes të ri. Sipas raportit vjetor të Bankës Botërore, të botuar së fundmi, kushtet për tregtinë ndërkufitare të Shqipërisë janë të favorshme. Në dokument shkruhet se në vendin tonë u ul shuma e kapitalit fillestar për të hapur biznes të ri. Në krahasim me një vit më parë Shqipëria renditet 7 vende më lart për sa u përket lehtësirave për të bërë biznes, duke kaluar nga vendi i 89-të në të 82-tin. Sipas "Doing Business 2010 Report", vendi që ka marrë "palmën e artë" për reformat e bëra, është Ruanda, e cila gjendet në vendin e 67, duke lënë pas edhe vende si Italia. Ndërkohë, përpara Shqipërisë gjenden Mali i Zi, Bahamas, Xhamajka apo Panamaja. Rritja e shpejtë ekonomike, stabiliteti i çmimeve dhe remitancat e konsiderueshme kanë bërë që Shqipëria të përmirësojë në mënyrë drastike situatën e saj sociale dhe ekonomike. Edhe pse në kushtet e përkeqësimit të tregjeve financiare globale, krizës që ka përfshirë pothuajse të gjithë botën, vendi ynë ruan dhe konsolidon një vlerësim të qëndrueshëm nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, ndërsa reformat bënë që ekonomia shqiptare të jetë sot e aftë të plotësojë kriteret ekonomike, krijimin e një ekonomie tregu funksionale, rrjedhojë kjo e reformave strukturore të realizuara në fushën fiskale. Performanca e mirë e ekonomisë, me rritje të qëndrueshme të PBB-së për vitet e fundit, niveli i ulët i inflacionit brenda objektivit 2-4% dhe që është me i ulët se në çdo vend tjetër në tranzicion, masat ligjore fiskale me orientim pro biznes dhe drejt uljes së taksave, por edhe reformat pro BE që ofrojnë incentiva për investimet e huaja, janë faktet dhe argumentet që mbështesin opinionin e tyre për këtë vlerësim të qëndrueshëm dhe me këto karakteristika pozitive. Një nga nismat e rëndësishme të ndërmarrë nga qeveria shqiptare në drejtim të reformave pro biznes është reforma e procedurave të regjistrimit të biznesit. Kjo reformë reduktoi në një ditë kohën e regjistrimit kërkuar për bizneset e reja, duke i kombinuar në një procedurë të vetme të gjithë hapat e regjistrimit – duke përfshirë regjistrimin për efekt të taksave. Reforma që po mbështetet gjerësisht jo vetëm nga biznesi në vend, por edhe nga institucionet ndërkombëtare, solli proces më të thjeshtë, më të shpejtë dhe me më pak shpenzime për regjistrimin e bizneseve të reja, regjistrim të njëkohshëm në administratën e taksave, në sigurimet shoqërore, në sigurimet shëndetësore dhe në Inspektoriatin e Punës, nëpërmjet përdorimit të një procedure të vetme aplikimi: sportele aplikimi për regjistrimin e biznesit në mbarë Shqipërinë, duke i mundësuar një biznesi kryerjen e të gjithë procedurave të regjistrimit në nivel të qeverisë vendore, ashtu si edhe qasje të lirë të publikut në informacionin e Regjistrit Tregtar nëpërmjet Internetit. Ulja e nivelit të taksave është një tjetër hap i qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit. Tatimet direkte u përgjysmuan: tatimi i fitimit nga 20%, u bë 10%; tatimi mbi biznesin e vogël nga 3% në 1.5%; tatimi mbi të ardhurat personale nga 20% kufiri i sipërm në taksë të sheshtë, u ul në 10%; norma e kontributeve për pensione për punëdhënësin nga 29%, u ul në 15 %. Po ashtu, numri i taksave nacionale nga 21, u reduktua në 7. Paralel me këto ulje drastike, u miratua ligji "Për procedurat tatimore", bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare me synim, reduktimin e informalitetit dhe përmirësimin e marrëdhënieve me biznesin. Me anë të këtij ligji i janë krijuar lehtësi biznesit, duke bërë unifikimin dhe zvogëlimin e gjobave, shkurtuar hallkat e apelimit, mundësuar rimbursimin automatik, por edhe duke kryer pagesat elektronikisht. Një tjetër reformë e vlerësuar është edhe miratimi i ligjit për falimentimin dhe agjencinë që do ta mbikëqyrë atë, ligj i cili sanksionon edhe afatet kohore për kompanitë që veprojnë me humbje dhe norma kualifikimi për administratorët që do të mbikëqyrin procesin e falimentimit. Gjithashtu, përdorimi i softuerëve për financat dhe instalimi i pajisjeve të skanimit kontribuan në pakësimin e kohës së kalimit të mallrave nëpër pikat doganore. Administrata doganore prej disa muajsh ka vënë në funksion sistemin e përpunimit të të dhënave gjatë zhdoganimit të mallrave, Asycuda Ëorld, nëpërmjet të cilit ulet koha e zhdoganimit të ngarkesave dhe rritet kontrolli mbi të ardhurat. Nëpërmjet këtij sistemi ofrohet një informacion i saktë dhe i azhornuar për tregtinë e mallrave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›