E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet: Fillimi i procedurave të falimentimit është një detyrim ligjor

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur procedurat për falimentin për 29 subjekte në rrethe të ndryshme të vendit. Burime zyrtare të DPT-së bënë të ditur se "administrata tatimore ka depozituar në gjykatë kërkesën për fillimin e procedurave të falimentimit të 29 bizneseve në qytete të ndryshme të vendit, si Tirane, Durrës, Gjirokastër, Fier, etj". Fillimi i procedurave të falimentimit, shpjeguan burimet, është kërkesë ligjore dhe zbatohet për të gjitha subjektet që kanë kaluar në statusin pasiv të QKR-së për një periudhë prej 2 vjetësh. Sipas burimeve të mësipërme, kjo procedurë shtrihet dhe për ato subjekte, detyrimi tatimor i të cilave është deklaruar i pambledhshëm, pasi janë përfunduar të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji tatimor procedural si dhe për subjektet, që nuk kanë kryer veprimtari tregtare, apo nuk kanë shlyer detyrimet ndaj administratës tatimore për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit "Për procedurat tatimore". Lidhur me pikën për nisjen e procedurave të falimentimit për subjektet që kanë deklaruar rezultat me humbje të kapitaleve për periudha prej të paktën 3 vite rresht, burimet zyrtare shtuan se ajo bëhet paralelisht me zbatimin e dispozitave të ligjit për falimentin, që parashikon dhe verifikimin e gjendjes së paaftësisë paguese, si parakusht. "Administrata tatimore në këtë veprim të sajin është plotësisht në përputhje me ligjin dhe ka bindjen në një proces verifikimi të drejtë dhe të ndershëm nga gjykatat shqiptare", thanë burimet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›