E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë synon ta kthejë Tiranën në kryeqytet të biznesit ekologjik

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (DHTIT) ka ndërmarrë në mënyrë vullnetare iniciativën për të zhvilluar aktivitete në kuadrin e biznesit ekologjik, në bashkëpunim me ente apo përfaqësi të Dhomave të huaja, si edhe për të inkurajuar të gjithë partnerët për të bashkëpunuar në këtë mision. Në një deklaratë për shtyp, Dhoma e Tregtisë dhe Industrise së Tiranës bëri të ditur sot përfshirjen e saj në aktivitetin që do ta kthejë Tiranën në kryeqytetin e biznesit ekologjik, në kuadrin e Panairit "Fiera del Levante", që do të organizohet në kryeqytet në 14-17 tetor. "Nëse do të ftonim bizneset aktive në të gjithë Shqipërinë për të krijuar vizionin se si do të ishte Tirana në vitin 2050, mund te deklarojme se të gjithë do të bashkoheshin me idetë “radikale” për të eliminuar karbonin nga ambienti", theksohet në deklaratën e DHTIT. "Në vitet e fundit ka patur mjaft aktivitete si, seminare, studime, takime të grupeve të punës midis ekspertëve të niveleve kombëtare dhe ndërkombëtare, për zhvillimin e vizioneve bashkëkohore, me synim transformimin e ekonomisë sonë për t’u përballur me ndryshimet klimaterike, që do të thotë transformim i prodhimit, infrastrukturës, ambientit, etj", vihet më tej në dukje në këtë deklaratë. Burime nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës bënë të ditur se "zhvillimi i Panairit  "Fiera del Levante" me fokus në sektorë si, cikli i ujit, menaxhimi i mbetjeve, burimet e energjisë së rinovueshme dhe qëndrueshmëria e sektorit të ndërtimit, ka për qëllim të mbështesë të gjithë ata që e dëshirojnë këtë ndryshim". Në këtë kuadër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka ftuar anëtarët e saj si edhe firmat prestigjoze aktive në tregun e energjisë së rinovueshme, për të marrë pjesë si ekspozues me stendë, përfaqësues të biznesit për të vendosur kontakte të reja apo vizitorë, etj. Po ashtu, janë ftuar Dhomat e Tregtisë të rretheve si edhe Dhomat Ekonomike përfaqësuese të komunitetit shqiptar të rajonit për t’u bashkuar me këtë iniciativë. Ky do të jetë edicioni i 9-të i Panairit "Fiera del Levante" që organizohet në Tiranë.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›