Delijorgji kapet me celular në burg
Fatos MahmutajMihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, dy të pandehurit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit, kapen me celular në qeli duke thyer rregulloren e burgjeve. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë, kur gjatë kontrolli rutinë efektivët e grupit të gatshëm të Burgut 313, kanë zbuluar fillimisht dy celularë të Delijorgjit dhe më pas edhe një të Minxollit, që i mbanin në qeli fshehur mes sendeve personale. Mësohet se Delijorgji nuk ka reaguar ashpër, por ka pohuar se me to kishte folur me familjen. Burime nga burgu pohuan se pas gjetjes së celularëve në qelitë e dy të paraburgosurve VIP, kontrolli vazhdoi edhe më tej ku iu kap celular edhe një të paraburgosuri, Fatbardh Dulla, 40 vjeç nga Berati, i akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Dulla ndodhej në të njëjtin sektor me të pandehurit e Gërdecit, ndërsa një celular i ishte gjetur një personi tjetër që punonte si pastrues në burg. Më pas kontrolli i policisë zbuloi edhe dy celularë në qelitë e të miturve, ndërsa llogaritur në total, sipas Drejtorit të Burgut 313, gjatë ditëve të kaluara, pas kontrolleve të policisë ishin gjetur edhe 36 celularë. Menjëherë pas publikimit të lajmit për gjetjen e celularëve në qelitë e të paraburgosurve VIP, në Burgun 313 kanë shkuar inspektorët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë. Ata kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të ditëve të fundit, me qëllimin për të zbuluar origjinën e këtyre sendeve të ndaluara. Për disa orë me radhë, inspektorët e SHKB-së kanë këqyrur materialet filmime, që kanë regjistruar kamerat në ambientet e korridoreve të burgut dhe vendeve të tjera që përdoren jo individualisht nga të paraburgosurit. Hetimi i nisur për këtë qëllim pritet që të zbardhë veç të tjerash edhe origjinën dhe mënyrën e futjes së celularëve në qelitë e të paraburgosurve. Po kështu mësohet se janë pyetur nga inspektorët e SHKB-së edhe pronarët e celularëve. Ndërkohë, dy prej celularëve që ishin gjetur në sektorin e të miturve mendohet se janë hedhur në fushën e ajrimit, që nga oborri i godinës së Shërbimit të Provës. I kontaktuar dje nga gazeta, Drejtori i Burgut Shkëlqim Kalemi pohoi se ndaj të gjithë personave që ishin kapur me celular, në bazë të rregullores së re të burgjeve ishin marrë masat përkatëse, që në këtë rast është vërejtje para shokëve. Këto masa, sipas drejtorit, ishin zbatuar ndërsa pritet që kontrollet rutinë të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Burime nga burgu pohuan dje se celularët që iu kapën Delijorgjit dhe Minxollit ishin të llojeve që kushtojnë pak, por që bateritë e tyre mbajnë karikim për shumë ditë. Kjo sipas tyre kishte të bënte me faktin se kontrollet e shtuara të policisë kohët e fundit kanë bërë që të burgosurve t’iu dilnin probleme me karikimin e celularëve, çka i ka detyruar ata që të përdornin celularë të thjeshtë por që bateritë e tyre rezistonin gjatë. Ndërkohë drejtori i burgut pohoi se një nga celularët, që iu gjet një të akuzuari nga Krimet e Rënda, ishte gjetur i fshehur në murin e qelisë, i cili ishte zgavruar me kujdes nga i paraburgosuri. Pasi e vendoste celularin në vrimën e hapur mes tullave, i paraburgosuri e kamuflonte atë me gëlqere, të cilën e mbante në frigorifer duke pretenduar se ishte salcë kosi.Drejtori Kalemi: Më parë kapëm 36 copë në një frigoriferRregullorja: Procedim policëve që u gjenden celularë në sektorTIRANE – Shkëlqim Kalemi, Drejtori i Burgut 313 në kryeqytet pohoi dje se pak ditë më parë në këtë burg ishin kapur 36 celularë, numrit të të cilëve iu shtuan edhe këta që u kapën tri ditë më parë. Sipas drejtorit, celularët u kapën të fshehur në një frigorifer ndërsa pritej që t’iu shpërndaheshin të paraburgosurve. Drejtori Kalemi pohoi se efektivët e policisë të burgut kryenin kontrolle të herëpashershme nëpër qeli dhe ambiente të përbashkëta në kërkim të sendeve të ndaluara që të paraburgosurit mbanin në to. Sipas tij, ndaj të gjithë atyre që ishin kapur me celularë ishin marrë masat disiplinore sipas rregullores së re të burgjeve, ndërsa sipas tij pas kontrollit të të gjitha qelive, nëse në to gjenden sende të ndaluara është urdhëruar se do të procedohen për shpërdorim detyre, deri në shkarkim nga detyra gardianët dhe oficerët e sektorëve përkatës në këtë paraburgim. Këto masa pritet të zbatohet së shpejti, pasi mendohet që ka neglizhencë nga stafi policor përderisa arrihet që celularët dhe sendet e tjera të ndaluara të depërtojnë deri në qelitë e të paraburgosurve. Këto masa ende nuk janë zbatuar, ndërsa gjejnë mbështetje në rregulloren e re të burgjeve, e cila ka nisur të zbatohet pak kohë më parë. Ndërkohë pak ditë më parë në këtë paraburgim u gjet një qese me disa gramë hashash e hedhur nga jashtë mureve të burgut. fa.ma.