E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mukja, shansi i humbur i historisë



Jemi në një distancë prej 65 vitesh nga njëra prej ngjarjeve kyçe të historisë shqiptare të Luftës së fundit, e njohur si “Marrëveshja e Mukjes”, ose thjesht “Mukja”. Mbas mjaft përpjekjesh për të bashkërenduar veprimet e tyre luftarake kundër pushtuesit, forcat e rezistencës u duk se arritën konsensusin e shumëpritur patriotik, që imponohet në të tilla raste: Marrëveshja u nënshkrua dhe u pasua me një proklamatë premtuese, në të cilën i bëhej thirrje popullit të bashkohej rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, në luftë kundër pushtuesit dhe përbri aleatëve të mëdhenj, Anglisë, SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Të gjitha elementet e një marrëveshjeje të suksesshme dhe të qëndrueshme ishin në procesverbal: edhe lufta, edhe aleatët, edhe zgjidhja e çështjes kombëtare, edhe forma demokratike e pushtetit të ardhshëm.
E dimë që emisari titist pranë Hoxhës e grisi marrëveshjen dhe se krahu komunist u tregua në atë moment tepër i gatshëm të çonte në vend vullnetin dhe strategjinë e fqinjit verior për Shqipërinë e shqiptarët; dimë, po kështu, se kjo strategji nuk kishte të bënte vetëm me fatin e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Jugosllavisë, por edhe me fatin e Shqipërisë së pasluftës, e predispozuar të kthehej, në atë rrugë, në mos në një zgjatim territorial të ish-Jugosllavisë politike, së paku në një satelit të bindur të saj.
Dështimi i Marrëveshjes së Mukjes firmosi, për fat të keq, kapitullimin strategjik të luftës së rezistencës shqiptare. Është e vërtetë se rezistenca vazhdon edhe pas Mukjes, por forca e saj goditëse dobësohet, kurse vizioni i kësaj rezistence ndalet tek nevoja e marrjes së pushtetit pas Luftës. Kjo rrëshqitje në planin e strategjisë, domethënë ndryshimi i objektivit të luftës – nga një luftë për çlirim, në një luftë për pushtet mbas çlirimit, – shënon edhe devijimin e rëndë e të pakthyeshëm në plan politik, me pasojat që njohim dhe që gjithë shqiptarët i vuajtën në kurrizin e tyre për gjysmë shekulli e, në një farë mënyre, vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot.
Shansi për ta bërë Shqipërinë e pasluftës, u humb me Mukjen. Lufta e rezistencës u shndërrua, në një masë të madhe, në luftë të hapur civile, për të vazhduar në një formë tjetër, po kaq të hapur, si luftë klasash, gjatë tërë periudhës deri me shembjen e diktaturës.
Ndërkaq, historianët e sotëm përballen me këto shifra, që kolegët e tyre të kompromentuar kanë sjellë lidhur me luftën: “700 000 ushtarë nazi-fashistë shkelën vendin; 70 000 u vranë, u plagosën ose u zunë rob; mbi 70 000 shqiptarë morën pjesë në luftë, prej të cilëve 28 800 quhen dëshmorë; pati 112 600 të plagosur, 10 000 të internuar, 35 000 të dënuar me burgim dhe me punë të detyruar etj.”.
Nëse, për një moment, këto shifra i kthejmë në përqindje, bilanci i rezistencës shqiptare del ndoshta më i rënduar sesa bilanci i luftës ruso-gjermane, duke sfiduar çdo logjikë: 700 000 ushtarë nazi-fashistë, d.m.th. afërsisht 1 ushtar i huaj për banor vendas; 70 000 ushtarë të nxjerrë jashtë luftimit, d.m.th. 1/10 e tyre; 70 000 shqiptarë marrin pjesë në luftë, pra secili nga ata që kanë hedhur pushkën krahut ka vrarë ose ka nxjerrë jashtë luftimit vetëm 1 armik e jo më tepër; ndërkaq, pushtuesi ka vrarë 3.6% të popullsisë, ka plagosur 14% dhe ka ndëshkuar 5.6%, d.m.th. një total prej 23.3% të popullsisë, nëse e marrim të mirëqenë shifrën prej 800 000 banorësh për Shqipërinë mbas vitit 1939. Me këto shifra del se lufta e rezistencës shqiptare ka qenë me të vërtetë një luftë “popullore, e lavdishme, heroike, fitimtare”.
Dihet se historia e një lufte paraqitet, në thelb, si një histori statistikash. Por detyra e parë e historianit është që të paraqesë statistika të argumentuara dhe të verifikueshme. Duke shqyrtuar të gjitha burimet dokumentare e arkivore të mundshme, pa mënjanuar asnjë burim tek i cili gjejmë, të paktën, një minimum besueshmërie.
Kësisoj, përpara se të zhytet në arkiva, dokumente e intervista me dëshmitarët, një historian i Luftës duhet të përgatisë pyetësorin e statistikave të domosdoshme. Për rastin tonë, pyetjet mund të kishin qenë ose duhet të jenë pak a shumë të këtilla:
- Sa forca luftuese ishin; sa forca ndërluftuese ishin?
- Sa atentate janë bërë; sa prita; sa beteja; sa reprezalje?
- Sa pati ushtarë të vrarë; sa të plagosur; sa robër; sa dezertorë; sa të nxjerrë jashtë luftimi?
- Sa pati komunistë; sa partizanë; sa çeta; sa luftëtarë për çetë; sa dëshmorë?
- Sa qe numri i popullsisë; i popullsisë së mobilizueshme për luftë; i popullsisë së mobilizuar në luftë; i luftëtarëve në ilegalitet; i rezistentëve të burgosur; i të vrarëve; i të vdekurve; sa qe, gjatë Luftës, raporti i lindjeve me vdekjet?
- Sa veteranë pati mbas Luftës; sa familje dëshmorësh; sa pensione lufte?
- Sa pjesëmarrës në luftë pati organizata e Ballit; Partia e Legalitetit; sa pati forca aktive xhandarmërie dhe milicie; sa prej këtyre i vunë armët rezistencës?
- Cili qe numri i saktë i forcave ushtarake italiane; gjermane; i forcave stabël, të përqendruara në territorin shqiptar; i forcave mobile, të lëvizshme, qe vetëm kaluan nëpër territorin shqiptar?
- Cila qe tipologjia e të vrarëve, ose e të rënëve në luftë; sa qenë civilë; sa qenë fëmijë, gra e pleq; sa nacionalistë; sa partizanë; sa kolaboracionistë; sa ushtarë të huaj?
Përgjigjja këtyre pyetjeve, në tërësinë e tyre, plotësuar me dokumentacionin përkatës që i bën përgjigjet të besueshme, mund të na japë të vetmen histori të saktë dhe të padeformuar të Luftës.
Historianëve, sot, u duhet jo thjesht t’i verifikojnë statistikat, po sidomos të hulumtojnë me skrupulozitet për të sjellë shifrat e sakta, pa të cilat historia e luftës quhet anekdotë dhe jo histori. Veç kësaj, historianëve të sotëm u duhet të sqarojnë me imtësi shumë gjëra të tjera, në mënyrë që ta thonë me kompetencë fjalën e tyre. E këtu fjala nuk është që të çmitizohet Lufta e rezistencës antifashiste e popullit shqiptar, duke i hequr asaj karakterin patriotik e duke e parë vetëm në plan politik, sikundër kjo prirje dëshmohet gjatë këtyre viteve të fundit. Politika është vetëm njëra përmasë e Luftës, po e quajmë përmasa organizuese dhe strategjike, kurse patriotizmi ka të bëjë me vetë qenien e një populli të robëruar, me identitetin e tij shpirtëror e kombëtar. Fakti që gjatë luftës pati 28.000 dëshmorë, siç pohon historiografia komuniste, duke shënuar pa kurrfarë verifikimi shifrën që jepte Udhëheqësi, ose vetëm 4300 të tillë, sikundër na siguron një ish-ministër i shtetit demokratik shqiptar, zoti Dashamir Shehi, i cili bazohet në numrin total të familjeve që përfitojnë pensione veterani, pra fakti që pati 28 000 dëshmorë ose vetëm 4300 të tillë, nuk e zbeh kontributin e popullit shqiptar në luftën antifashiste të bashkësisë së popujve të botës, por vetëm sa na lejon të gjykojmë me objektivitet lidhur me të ndodhurat reale gjatë luftës, çka mundëson shkrimin e një historie me parametra të verifikueshëm objektiviteti.
Ardian Marashi
Qendra e Studimeve Albanologjike

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›