E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat paraprake për në universite do të dalin më 10 shtator



Emanuela Sako

Listat paraprake me pikët e marra gjatë provimeve të maturës do të shpallen më 10 shtator. Ministria e Arsimit ka përcaktuar datën e daljes së rezultateve për konkurrimet për në shkollat e larta. Kështu, pas provimeve të Maturës Shtetërore, tashmë pritet publikimi i listave paraprake të kandidatëve për studentë. Drejtori i Agjencisë e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), Frederik Shalësi, bëri të ditur se listat do të jenë gati më 10 shtator. Sipas tij, edhe këtë vit procesi i pranimeve të studentëve në 11 universitet e vendit, do të kryhet sipas parimit Meritë-Preferencë (MEP). Ai u shpreh se APRIAL-i ka gati bazën e të dhënave me të gjithë elementët e duhur për secilin kandidat maturant.
Mbledhja
Tashmë janë bërë publike mënyra e mbledhjes së pikëve për të gjithë kandidatët pjesëmarrës në garën për të qenë student. Kështu, do të merren parasysh të gjithë elementët si: rezultatet e katër provimeve të Maturës Shtetërore, notën mesatare të marrë nga Formulari A2, si dhe preferencat e përcaktuara nga vetë kandidati. Me këto të dhëna do të kryhet llogaritja e pikëve për secilën preferencë të çdonjërit prej kandidatëve maturantë. Pas botimit të "Librit të Transparencës", në datën 20 gusht, secili nxënës ka mundësi të verifikojë të gjitha të dhënat e tij dhe të kontestojë pasaktësitë e mundshme, duke sqaruar se pasi të merren kontestimet dhe të realizohen ndryshimet e argumentuara zyrtarisht, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit, parashikohet të bëhet përcaktimi i fituesve të fazës së parë.
Rezultatet
Rezultatet përfundimtare pritet që të dalin po në shtator. Më pas do të bëhen shtesat e duhura apo lëvizjet që bëhen çdo vit në bazë të pikëve të marra apo dëshirës për të mos u bërë pjesë e fakultetit ku një kandidat ka konkurruar. Listat do të publikohen në fakultetet përkatëse dhe të gjithë konkurrentët kanë të drejtë të shohin pikët e marra sipas listës së publikuar. Njëkohësisht listat e fituesve të fazës së parë do t’i jepen edhe të gjithë IAL-të. Pas shpalljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, do të vijojë procesi i përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe katër provimet e Maturës. Kjo procedurë do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve, që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2008-2009. Listat e maturantëve fitues për në universitetet publike, do të shpallen brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shtator. Gjatë mesit të muajit gusht do të përfundojë dhe llogaritja e pikëve të maturantëve, një llogaritje që këtë vit do të bëhet nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë.

Brenda 20 gushtit, gati “Libri i transparencës” për Maturën Shtetërore

Brenda datës 20 gusht do të publikohet për herë të parë “Libri i Transparencës 1”, i cili do të përmbajë pikët e fituara nga çdo maturant për secilën nga kërkesat që ata kanë paraqitur për të vazhduar Arsimin e Lartë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaroi se libri i transparencës do të jetë gati për pak ditë.
Sipas saj, ky libër është një bazë e rëndësishme të dhënash për kandidatët, e përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ( AVA). Në këtë vëllim, në formën e një regjistri kombëtar, gjenden të renditura sipas rrethit dhe shkollës rreth 27 987 kandidatët për në shkollën e lartë, notat e përshkallëzuara të provimeve të Maturës Shtetërore, mesatarja e shkollës së mesme dhe rezultatet e kalkuluara me koeficientet përkatës të çdo kandidati për të dhjetë degët e shkollës së lartë të aplikuara. Secili kandidat mund të shikojë pikët, të bëjë llogaritjen vetë dhe nëse ka ndonjë pretendim për llogaritjen e tyre, mund të bëjë kërkesën për rishikimin e pikëve në shkollën e mesme përkatëse. Botimi i librit përforcon transparencën, korrektësinë dhe besimin që reflekton Matura Shtetërore dhe pranimet në universitet. Ndërsa listat për pranimet në fakultete të studentëve do të jenë objekti i “Librit të Transparencës nr.2”. Nëpërmjet këtij teksti synohet rritja e besueshmërisë së publikut te institucionet arsimore. Përveç Maturës Shtetërore, që nga Qarkorja antikorrupsion e vitit 2005, MASH-i ka ndërmarrë një sërë nismash për rritjen e besueshmërisë, transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit në institucionet arsimore.

Shkodër, 30 mijë banorë sërish në errësirë

SHKODËR – Qyteti verior i Shkodrës do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. Banorët e fshatrave të Shkodrës dhe një pjesë e qytetit që furnizohet me energji nga nënstacioni i Rrencit janë në terr prej dy ditësh. Pas problemit në nënstacion, si pasojë e një shkëndije elektrike, vijon puna për riparimin, por ende nuk është gjetur zgjidhja. Për pasojë plot 30 mijë banorë të fshatrave Rrenc, Juban, Guri i Zi, Bardhaj e të tjerë janë pa energji elektrike. Aktualisht ekipi special ka mbërritur dhe po punon në nënstacion për riparimin e defektit. Mësohet se po punohet për heqjen e pajisjeve të djegura dhe zëvendësimin e tyre. “Në vend po punon divizioni i linjës së tensionit të lartë nga Burreli dhe Shkodra”- thonë burimet zyrtare, por nuk përcaktojnë një afat final për përfundimin e punës dhe rikthimin e energjisë. Sipas tyre do të punohet pa ndërprerjes që deri nesër të vijë energjia elektrike në zonë, ndërsa pranojnë që ka qenë një defekt në linjën e tensionit, kur një shkëndijë elektrike i ka vënë flakën kabinës në Rrenc, duke dëmtuar pajisjet. Zjarri u konstatua mëngjesin e djeshëm.

Libraritë, vetëm disa libra në shitje

Në disa librari të kryeqyteti ka filluar shpërndarja e librave, por numri i tyre është shumë i pakët. Një numër i madh tekstesh mungojnë dhe pretendohet që shtëpitë botuese t’i shtypin brenda këtyre ditëve. Ndërsa ata që janë më të shqetësuar janë prindërit dhe nxënësit, të cilët duan që të shmangin radhët e gjata nëpër libraritë e përcaktuara për shpërndarjen e librave, ashtu siç ndodhi një vit më parë. Librashitësit shprehen se mungesa e teksteve vjen si pasojë e shtypjes së ngadaltë që bëjnë shtëpitë botuese dhe se ato nuk i kanë dorëzuar nëpër librari. Ndërsa mungesat theksohen si në sistemin 9-vjeçar edhe në atë të mesëm. Tekstet duhet të shpërndahen brenda datës 15 gusht në mënyrë që të shmangen radhët dhe t’iu lihet kohë të gjithë nxënësve të pajisen në kohë me libra. Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm në blerjen e teksteve shkollore për të mos rënë pre e abuzimeve. Ata nuk duhet t’i blejnë librat e fëmijëve tek shitësit ambulantë, të cilët i tregtojnë me një çmim shumë herë më të lartë, jo vetëm që do t’i blejnë librat më shtrenjtë, por nuk do të jenë as pjesë e skemës së subvencionimit. Për këtë, Ministria e Arsimit, ka përcaktuar rrugën që ndiqet për shpërndarjen dhe blerjen e librave shkollorë. Pas përfundimit të përzgjedhjes së librave shkollorë dhe realizimit të shtypjes së librave nga botuesit përkatës, librat shkollorë, do të jenë në pikat e shitjes, pranë shkollave dhe në librari, që në muajin gusht. Në të gjitha shkollat do të afishohet njoftimi për pikat e shitjes, lista e librave shkollore dhe botuesit e tyre. Ministria e Arsimit miraton dhe certifikon tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, të cilat konkurrojnë, në barazi të plotë, në përzgjedhje nga përdoruesit. Kriteret dhe procedurat e konkurrimit dhe të përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit. Procesi i botimit, shtypjes, shpërndarjes dhe shitjes së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar bëhet nga shtëpitë botuese.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›