E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Shëndetësisë do të përsërisë tenderat për 61 medikamente



Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë vendosi që të përsërisë kryerjen e tenderave për medikamentet, të cilat mbetën jashtë listës së financimeve nga firmat farmaceutike për këtë vit. Burime nga Ministria e Shëndetësisë, sqaruan se pritet që së shpejti të kryhen përsëri prokurimet për 61 medikamente. Ende nuk është vendosur një afat kohor përfundimtar, por kjo ministri është e vendosur që të plotësojë nevojat e spitaleve me medikamente. Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë bëri tenderimin e 104 medikamenteve, ndërkohë që nevojat janë për 183 medikamente. Ndërkohë që situata paraqitet tepër emergjente dhe kërkohet ndërhyrje e menjëhershme e autoriteteve për të shmangur krijimin e një kaosi tjetër në spitalet e vendit dhe kryesisht në QSUT. Aty, ku mungesat u evidentuan më tepër se kudo dhe ishte e domosdoshme që kryerja e tenderave të bëhej më shpejt, pasi kohët e fundit mbaruan edhe medikamentet që ishin rezervuar për rastet e emergjencave. Aktualisht, ministria po negocion për rihapjen e tenderave për 61 medikamentet që do të nxirrnin nga situata spitalet. Në të kundërt, pritet që edhe këtë vit situata të jetë e pandryshueshme dhe shëndetësia do të zhytej në probleme edhe më të thella, çka do të ishte e vështirë për ta kapërcyer lehtë situatën.
Problemet
Situata në spitalet tona mbetet e njëjtë, pasi ende nuk është bërë zhbllokimi i barnave që do të shpërndahen në spitale pas kryerjes së tenderave. Mjekët e QSUT-së shprehen se ende nuk është bërë shpërndarja e barnave në spitale, ndërsa pritet të vijë furnizimi i menjëhershëm, i cili do të përmirësonte disi situatën e qendrës më të madhe spitalore në vend. Derisa të ripërsëriten procedurat e prokurimeve për medikamentet, pacientët janë të detyruar të vazhdojnë t’i blejnë vetë barnat që mungojnë.
Procedurat
Procedurat e prokurimit për 104 medikamenteve kanë përfunduar tashmë dhe pritet shpërndarja e tyre në spitale. Ndërkohë që nevojat e domosdoshme të mbulimit të spitaleve me medikamente kanë qenë 183 medikamente. Fondi për nevojat spitalore është 845 568 000 lekë. Mungesa e medikamenteve në spitale ka qenë problemi më shqetësues për bluzat e bardha dhe pacientët, të cilët këtë vit kanë pasur mungesa të dukshme, por që ende pritet të vazhdojë e njëjta situatë për shkak të mungesës së tenderimit të disa medikamenteve të tjera. Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Zhaneta Tomçini, sqaroi se nisur nga numri i kompanive që i kanë regjistruar këto medikamente për qarkullim në territorin e Shqipërisë, 88 medikamente me një fond prej 489 080 200 lekë u prokuruan me procedurën “me negocim pa shpallje të njoftimit”, pasi rezultonin të regjistruara nga një kompani e vetme dhe nuk arrihet konkurrenca për të përdorur procedurat e hapura të prokurimit. Ndërsa 96 medikamente të tjerë me një fond limit prej 356 488 000 lekë, u prokuruan nëpërmjet procedurave të hapura elektronike. Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë në përfundim të këtyre procedurave, të cilat u zhvilluan gjatë muajit korrik, u arrit që të shpalleshin oferta fituese 20 kompani farmaceutike për kontraktimin e 104 medikamenteve me një vlerë prej 688 170 600 lekë nga 707 387 800 lekë që ishte fondi limit i planifikuar.

Spitali Ushtarak, disa barna nuk janë tenderuar

Kryerja e tenderave në Spitalin Ushtarak ka përfunduar prej dy muajsh, por edhe në këtë qendër spitalore kanë ngelur jashtë prokurimit disa barna që janë të domosdoshme për konsum të përditshme. Mjekët thonë se arsyeja kryesore është se për këto barna nuk është paraqitur asnjë firmë që të hyjë në garë për tenderat. Aktualisht, në këtë spital nuk është marrë ende asnjë vendim se si do të veprohet për plotësimin e spitalit me medikamentet që mungojnë. Situata në Spitalin Ushtarak është më e favorshme se në QSUT. Mungesa e medikamenteve gjatë vitit ka qenë më e vogël, ndërsa rezervat për rastet e emergjencave ka qenë e plotë dhe me të gjitha medikamentet rezervë në përballimin e rasteve emergjente. Mungesa në medikamente janë shfaqur edhe në këtë qendër gjatë vitit, por ato kanë qenë më të papërfillshme krahasuar me QSUT-në.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›