E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banka Botërore, duhet të rritet çmimi i ujit

10/03/2005  Infrastruktura e shkatërruar e ujësjellësave po dëmton zhvillimin e turizmit

Mungesa e ujit është një tregues i varfërisë ekstreme, por dhe një pengesë serioze në zhvillimin ekonomik. Turizmi dhe bujqësia janë sektorët e parë që e pësojnë nga mungesa e ujit dhe duket se BB-ja ka bërë sugjerimet e veta në raportin e fundit për zgjidhjen e këtij problemi. “Të ardhurat e pamjaftueshme dhe mbikonsumi, si rezultat i subvencioneve, qëndrojnë në themel të problemeve në sektorin e ujësjellësit”, ka bërë të ditur në raport BB-ja. Kështu për syrin e specialistëve të BB-së është e qartë se konsumatorët abuzojnë me ujin, nisur dhe nga çmimi i ulët i tij dhe duket se politika shqiptare e ka toleruar këtë abuzim. “Për arsye politike, tarifat për ujin janë të ulëta dhe shumë nën nivelin që nevojitet për rikuperimin e kostos”, është bërë e ditur në raport. Banka Botërore ka sugjeruar qartë që qeveria duhet të zbatojë planin e veprimit që ka miratuar për këtë sektor, ku duket se transformimi i ndërmarrjeve të ujësjellësit është një nga detyrat kryesore. Por, ndërkaq, kalimi i këtyre ndërmarrjeve me vetëfinancim, do të thotë që me paratë e mbledhura nga konsumatorët, të përballojnë të gjitha shpenzimet e tyre si dhe të sigurojnë fitimin. Në këtë pikë duket se rihapet edhe njëherë debati për çmimin e ujit, i cili duket se krijoi mjaft “sherre” në Komisionin e Ekonomisë, kur duhej të ndryshohej fatura e ujit dhe të përfshihej dhe kosto e kanalizimeve të ujërave të zeza. Drejtuesit e ujësjellësave në takimin me KESH–in, pranuan se dalja me vetëfinancim do të thotë rritje e çmimit të ujit, pasi vetëm fatura e KESH-it është një barrë e rëndë për ta. Kështu duket se sistemi i ujësjellësave do të kalojë në faza të reja ristrukturimi e privatizimi dhe ashtu sikurse dhe KESH-i do të fillojë me hapin e parë, rritjen e çmimit të ujit. “Duhet të vijojë zbatimi i strategjive kombëtare dhe rurale për sektorin e ujësjellësave, me qëllim kapërcimin e pengesave ndaj zhvillimit ekonomik”, kanë bërë të ditur ekspertët e Bankës Botërore. Ndërkaq, sondazhet mbi këtë sektor kanë treguar se, Shqipëria është një vend ku nuk mungojnë aspak burimet ujore. “Megjithatë furnizimi me ujë është problematik, pothuajse në të gjitha zonat urbane, për shkak të amortizimit dhe gjendjes së vështirë të infrastrukturës”, bën të ditur raporti i BB-së. Jo vetëm kaq, por në raport kujtohet fakti se cilësia e ujit në Shqipëri është mjaft e dobët, si rezultat i mungesës së impianteve të ujërave të zeza. “Rrjetet e amortizuara bëjnë që ujërat e zeza të hyjnë në sistemin e ujit të pijshëm”, ka raportuar BB-ja. Pikërisht ky fakt ka lidhje dhe me ndikimin negativ që ka ky sektor mbi turizmin, pasi lumenjtë në zonat bregdetare ndoten për shkak të ujërave të zeza të patrajtuara, duke derdhur në det dhe duke transferuar ndotjen e tyre në zonat turistike.

Kosto e sigurimit të ujit

Mungesa e ujit, ndërsa është hall për disa, për të tjerët është kthyer në biznes. “Në zonat rurale njerëzit mbushin ujë për aktivitete me anë të të cilave nxjerrin të ardhurat”, bën të ditur në raportin e vet Banka Botërore. Ndërkaq një studim i kryer nga “Plan International” në fund të 2000-it, ka treguar se distanca mesatare për në burimin më të afër të ujit është 410 metra dhe, ata duhet të shfrytëzojnë burimet për të patur ujë dhe e bëjnë këtë rrugë 4.4 herë në ditë. “Gratë shpenzojnë afërsisht 3.5 orë në ditë vetëm për të mbushur ujë”, thuhet në sondazhet e bëra nga “Plan International”. Ndërkaq, duket se sigurimi i ujit nuk ka kosto vetëm për banorët në zonat rurale. “Në zonat urbane uji ka kosto shtesë për individët dhe bizneset që e blejnë ujin”, bën të ditur Banka Botërore. Duke iu referuar praktikave tashmë të njohura në Shqipëri, kujtojmë se në Durrës tarifa që paguhej për ujin e vendosur nga ujësjellësi për bizneset private në vitin 2003 ishte 80 lekë për metër kub. Nga ana tjetër, shitësit e shesin ujin nga autobotet me një vlerë 200 lekë për metër kub. Një anketë e bërë për këtë qëllim, ka treguar se 43 për qind e konsumatorëve të pyetur e marrin ujin nga fuçitë ose depozitat, 28 për qind e blejnë në treg nga shitësit privatë, 24 për qind e sigurojnë nga fqinjët, ndërsa të tjerët përdorin puset dhe pompat e vendosura në oborret e tyre. Çmimi i ujit që blihet me shishe lëviz nga 50 deri në 100 lekë për 1.5 litra, ndërsa çmimi që ka vendosur shteti për 1.5 litra është nga 0.04 – 0.06 lekë.

Çmimi i privatit

60 lekë për 1.5 litra

Çmimi i shtetit

0.04 lekë për 1.5 litra

Uji “vret” me kolerë 25 veta në ‘94

Uji i pijshëm i përzier me ujërat e zeza ka qenë “fajtor” për një rast të rëndë kolere, të evidentuar në Shqipëri në ’94-ën, ku kanë mbetur të vdekur 25 persona. “Ka patur raste të përsëritura të sëmundjeve të shkaktuara nga cilësia e ujit, si për shembull, rasti me kolerë në ’94-ën, ku në 626 raste u shënuan 25 vdekje, të shkaktuara nga Vibrio Cholerac El Tor”, bën të ditur Banka Botërore. Sipas BB-së, përhapja e sëmundjes së shkaktuar si pasojë e ndotjes së ujit, u konfirmua dhe nga institucionet shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare. “Në Shqipëri ka një numër të madh rastesh me gastroenterit”, bën të ditur Banka Botërore. Kështu, në vitin ’98, qeveria shqiptare miratoi standardet për cilësinë e ujit, standarde shumë afër treguesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “E megjithatë, zbatimi i këtyre standardeve është i vështirë, duke qenë se mungon pothuajse fare trajtimi i ujërave të zeza dhe rrjetet shpërndarëse janë të vjetra dhe të pamirëmbajtura”, bën të ditur BB-ja. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në sistemet e amortizuara të ujësjellësit, ndërhyjnë dhe individët, të cilët gjejnë rrugën më të shkurtër për të siguruar ujin. “Lidhja e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit kompromenton cilësinë e ujit”, ka deklaruar Banka Botërore në raportin e vet.

Plani i masave për Qeverinë

1.Të përfundojë rehabilitimin e rrjeteve të amortizuara të ujësjellës-kanalizimeve

2.Të shtrijë shërbimet tek të varfërit dhe ata nën nivelet normale të shërbimit

3.Të sigurojë transformimin e ndërmarrjeve të ujësjellësave në kompani me vetëfinancim

4.Të rrisë pjesëmarrjen e sektorit privat në sektorin e ujësjellësave

5.T’i japë mundësi pushtetit vendor të ofrojë shërbime të sigurta dhe pa ndërprerje të ujit

6. Të fusë një sistem të përshtatshëm për mbledhjen dhe pastrimin e ujërave të zeza

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›