Shkrimtarë të gjuhës së vogël apo shkrimtarë të vegjël
10/03/2005 Mbi shkrimtarët, lexuesit dhe përkthyesit e letërsisë shqipe
Shumë nga kolegët e mi mendojnë se detyra e një shkrimtari përmblidhet në të shkruarët, letërsimin, me një fjalë thjesht dhe vetëm në aktin e krijimit. Dhe kanë të drejtë, sikur ne të kishim fatin e mirë me qenë shkrimtarë të një gjuhe më të madhe, siç janë përshembull gjuhët angleze, spanjolle, ruse, kineze, arabe, frënge, gjermane, e kështu me radhë. Para së gjithash, për t‘iu shmangur çdo keqkuptimi, më duhet të sqaroj se çfarë kam parasysh në këtë rast me „gjuhë të madhe“. Simbas pikpamjes sime, në kuptimin e vlerës shprehimore, në kuptimin që lidhet me nivelin e përputhjes mes përjetimeve të brendshme dhe realizimit të tyre në shenja grafike, nuk ekziston ndonjë diferencë poshtëruese mes koncepteve „gjuhë e madhe“ dhe „gjuhë e vogël“. Me „gjuhë të vogël“ kam parasysh vetëm atë gjuhë që flitet prej një numri relativisht të vogël njerëzish e që rrjedhimisht ka dhe një numur të vogël lexuesish të letërsisë. Duke pasur parasysh se numri i lexuesve shqiptarë është i vogël, kuptojmë se është po aq e vogël edhe mundësia që një shkrimtar shqiptar, sado i lexuar të jetë ai, të mundet me jetue me shitjen e librave të tij. Numri i shkrimtarëve profesionistë në Shqipëri rezulton të jetë krejt qesharak, Kadare, Kongoli, e mbase ndonjë tjetër që s‘më vjen ndërmend. Nejse, ata që janë, janë sepse botohen edhe në gjuhë të huaja, duke përfituar kësisoj nga lexuesi i nji gjuhe më të madhe. Kjo, sepse lexuesi i vendit të vet nuk mjafton për t‘i shndërruar në shkrimtarë profesionistë. E me shkrimtarë profesionist këtu kam parasysh thjesht një shkrimtar që jeton me të ardhurat që u sjell shitja e librave, pra tregu. Ka rëndësi që lexuesi por edhe një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë ta marrin vesh se në të shumtën e rasteve shkrimtar tregu s‘do të thotë asfare shkrimtar i mirë. Po të shkoni tek Tregu i Ri, do ta kuptoni sa ora se patatet shiten me ritme më të larta se mishi i viçit. Dakord! „Patatja është edhe bukë edhe gjellë“, pati thënë E. Hoxha, por prapë mishi është tjetër gjë, apo jo?.
E them me bindje se këtu në Shqipërinë tonë ka shkrimtarë që mund të jenë po aq të mirë, e ndonjeri edhe ma i mirë se mjaft nga kolegët e tyre perëndimorë, por që prapseprapë janë të dënuar të merren me angari punësh të tjera për ta siguruar jetën, prejse numri i lexuesve që i afrohet një librarie asht kaq i vogël sa nuk ua siguron dot mundësinë e të jetuarit thjesht e vetëm me letërsi. Dhe e them me siguri: këtu në këtë vend nuk ka për të pasur kurrë një letërsi të mirë, nëse nuk rritet më parë numri i shkrimtarëve të çliruar nga angaria e punëve të tjera. Duke mos bërë angari, shkrimtari pushton hapësirën kohore të tërë ditës së vet, të cilën mandej e vë në funksion të krijimit. Pra, nuk është thjesht fjala për t‘i siguruar atij një rehati ekonomike dhe fizike, po për t‘i rritur hapsinën e kohës së lirë që ai të mund t‘i përkushtohet terësisht krijimit letrar. Tragjike!: shkrimtarë me stof të mirë profesionizmi që kanë marrëdhënie amatore me letërsinë. Lexuesi i gjuhës së tyre nuk u mjafton: ja, pra dhe arsyeja kryesore për të cilën shkrimtarët shqiptarë janë pushtue nga ethet, dëshirës për t‘ u përkthyer në gjuhë të tjera e për t‘u orientuar kah nji letërsi që ka parametrat e shijes së lexuesit joshqiptar. Në një vend me popullsi disa dhjetramilionëshe si Franca, Gjermania, Spanja, Italia, për të mos përmendur këtu Kinën, Indinë, SHBA, Brazilin, Argjentinën, etj, shkrimtari ia del shumë më kollaj të shndërrohet në profesionist, çka se niveli i tij artistik, teknik e stilistik mundet me qenë më i ulët se ai i nji shkrimtari shqiptar. Tashti, duke qenë të pllakosur nga deliri i të përkthyerit në gjuhë të tjera, shkrimtarët shqiptarë, a më mirë nji pjesë e mirë e tyre, s‘lënë gur pa lëvizë në mënyrë individuale për t‘ia dalë mbanë, duke përdorur mundësisht edhe mjete terësish jashtëletrare.
Realiteti mazokist i letërsisë shqipe
Letërsia e realizmit socialist bëri dëme të mëdha jo vetëm pse këputi marrëdhëniet me letërsinë e mirë të viteve Tridhjetë duke shkatërruar linjën normale të evoluimit letrar, jo sepse asgjësoi plot dy breza të mundshëm shkrimtarësh dhe lexuesish, duke hapur kësisoj një hendek të thellë antiestetik që ende vijon ta kërcënojë letërsinë e re shqipe, por mbi të gjitha sepse bëri që të humbte besueshmëria, se në këtë vend mund të shkruhet letërsi serioze. Thënë me një fjalë: bota nuk beson më se këtu ndokush e ka letërsinë qëllimin e vetëm të jetës së tij. Normale që letërsia e re shqipe ndjehet disi e frustruar, prejse veç vështirësisë së përballjes me vlerat bashkëkohore europiane të krijimit letrar, i duhet të paguajë edhe për gafat dhe idiotësitë e realizmit socialist. Lexuesi i kësaj letërsie (po e quaj letërsi vetëm për marrëveshje fjale) u keqkuptua në mënyrë të dhimbshme dhe krijoi nji pikëpamje shumë të gabueme mbi konceptet e letërsisë së vërtetë. Qëllimi ynë nuk është të fajësojmë lexuesit, sepse dimë mirë se mundësitë e tyre për të krijuar lidhje me letërsinë e mirë europiane ishin thuajse të pamunduna, por as të fajësojmë turmën e rëndomtë të shkrimtarëve militantë e amatorë që shkruanin pa pikë vetëdijeje brenda një dogme të errët letrare, sepse niveli botëkuptimor i tyre ishte në rangun e lexuesit të zakonshëm. Injoranca asht fatkeqësi, po jo krim. Ata që vlen të fajësohen janë shkrimtarët që e mbanin veten për elitë të letërsisë shqipe të asokohshme, si Kadare, Agolli, Arapi, etj, të cilët edhe pse vetë banin letërsi të dobët në krahasim me atë bashkëkohore europiane, zotëronin prapëseprapë vetëdijen e duhur për të kuptuar se ajo që po ndodhte në letrat shqipe ishte hiç ma pak se e turpshme. Por heshtën, heshtën duke lejuar që lexuesit të zhyteshin thellë e më thellë në keqkuptim. Por e keqja s‘mbaron këtu. Këta shkrimtarë, duke qenë ende gjallë, e kanë mbjellur gjithandej farën e të keqes së tyre, duke na lënë trashëgim një kope të re shkrimtarësh, që edhe pse s‘quhen të realsocit kanë të njejtën strukturë mendore dhe krijuese. Po ashtu, brezi i lexuesve të dikurshëm e ka trashëguar shijen e vet tek brezi i ri i lexuesve, që është i ri vetëm në moshë. Në një farë mënyre, shkrimtarët e realizmit socialist ekzistojnë prapë, personalisht apo me pinjojtë e tyre, edhe lexuesit e dikurshëm janë, por ajo më e rëndësishmja fare, letërsia shqipe, ku është? Po rezultati? Rezultati ulurin: mekanizmat dhe strukturat e huaja të botimit e kanë humbur terësisht besimin se në këtë vend ekziston ndonjë trohë letërsi. Nëse përkthejnë dhe botojnë tek-tuk ndonjë libër autorësh shqiptarë, qëllimi nuk është as tek stili i veçantë e as te mjeshtëria e të shkruarit, por thjesht tek informacioni gazetaresk. Pra, nuk kërkohet fjala vjen romani-roman, poezia-poezi, apo tregimi-tregim, por romani gazetë, poezia- gazetë dhe tregimi-gazetë. S‘kam pikë dyshimi se letërsia shqipe asht shndërrue në gazetari, kurse shkrimtari në një gazetar të lezeçëm. Dhe ja pamja: shkrimtarë që nuk njihen asfare në Shqipëri por që përkthehen jashtë e bëhen mandej të njohur në vendin e tyre, shkrimtarë që njihen në Shqipëri dhe s‘kanë kurrfarë jehone jashtë saj, shkrimtarë që njihen në Shqipëri por edhe në ndonjë vend tjetër, shkrimtarë që nuk njihen as në Shqipëri e as jashtë saj, shkrimtarë që bajnë letërsi që mund t‘i përshtatet vetëm lexuesit shqiptar, shkrimtarë që kërbythen duke u përpjekur të letërsojnë për lexuesin e huaj, dhe në fund, në fund fare, shkrimtarë që shkruajnë për kënaqësinë e tyre dhe as duan t‘ia dijnë as për lexuesin këndej e as për lexuesin matanë kufirit. Ka shumë e shumë kategori të tjera, por duke qenë të papërfillshme nuk ia vlen të merren seriozisht. Po lexuesi? Lexuesi thotë: Aksh shkrimtar është i përkthyer në gjuhë të huaj, pra është i famshëm, e prej këtu edhe i madh. I gjori lexues ende nuk di ta bëjë dallimin mes „i famshëm“ dhe „i madh“. Në të shumtën e rasteve një shkrimtar i famshëm nuk është dhe i madh, ndërkohë që një shkrimtar i madh mund të vdesë pa famë, i papërkthyer në gjuhë të huaja e pse jo, i panjohur gjerësisht edhe në tokën e tij. Simbas shijes sime e jo vetëm times, Markez është shkrimtar shumë i mirë dhe shumë i famshëm, por Rulfo dhe Kortazar janë shkrimtarë të mëdhej, çka se shumë më pak të njohur. Në botë, plot shkrimtarë që shkruajnë letërsi policore, të verdhë, rozë, horror, etj, janë të famshëm, por a vërtetë mendoni se janë të mëdhenj?! Kurse në Shqipëri ka gallatë të madhe! D. Agolli, Xh. Spahiu, A. Podrimja janë vërtetë të famshëm, por lexuesve që s‘e hanë sapunin për djathë, këta u tingëllojnë si punonjës socialë apo si militantë revolucionarë, dhe as që kanë të krahasuar fjala vjen me A. Shkrelin, F. Rreshpjen, B. Musliun, që kanë nji famë që kufizohet në rrethin e lexuesve të mirë të poezisë. Ismail Kadare, përshembull është shumë i famshëm, por Anton Pashku është thjesht i madh. Nëse në letërsinë shqipe ka ndonjë shkrimtar që mund të quhet Mjeshtri, ai është sigurisht Anton Pashku. E të gjithë atyre krijuesve që kanë me të vërtetë talent, u dhemb kur kujtohen se ky njeri i madh nuk ka mundur të jetonte financiarisht me veprat e veta, por i është dashur të bënte plot angari punësh të tjera.
Kush e përkthen letërsinë shqipe në gjuhë të huaja?
Në nji takim ballafaques mes shkrimtaëve shqiptarë dhe përkthyesve të huaj të cilët merren me letërsinë shqipe, që u pat zhvilluar në Shkodër më 2003, na qëlloi të mësonim gjëra vërtetë interesante. Shija që pata, e jo vetëm unë, ishte e neveritshmë, por them se ishte një neveri e domosdoshme, sepse lidhej me të kuptuarët e një realiteti që më përpara e kisha disi të paqartë. Aty ishin përkthyesit Robert Elsie, Hans Joachim Lanksch, Hans Joachim Roem, Ramon Sanchez, Dorotea Horodyska, Rosalba Sportelli, Ardian Marashi, një përkthyese bullgare, një plakë franceze, etj. Menjëherë na ra në sy fakti se informacionin që kishin për autorët dhe letërsinë shqipe, ata e kishin grumbulluar nga burime referencash, telefonatash, njohjesh personale, rastësore, e në rastin më të keq zyrtare. Dhe e dini se me çfarë sigurie dhe kompetence flisnin? Tamam si etërit tanë letrarë, si Buzuku, Bogdani, Bardhi! Na sqaronin se ç‘duhej të bënim e ç‘nuk duhej të bënim, dhe kulmi! ç‘kërkonte tregu dhe ç‘nuk kërkonte tregu perendimor a lindor, a thua se ne ishim kultivues qepësh dhe patatesh, e jo specie e fisme njerëzore. Dhe kush na i thoshte këto broçkulla? Njëri komunist i tipit „proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni“, i cili të jepte përshtypjen e një mariaqi të dehur që e ka këmbyer kitarën me një krikëll birrë, një tjetër punëtor uzine apo thjesht proletar që kish mësuar shqip me punë vullnetare, një tjetër egzemplar i mbijetuar i species „pakidermus-mastodontus-bifolkus“ dhe që kish dëshmuar se kishte mungesë të theksuar shijeje, një tjetër që kishte shumë frëngji e i ndërronte pikëpamjet si mbreti gratë, një tjetër që fliste një shqipe të sajuar veç për qejf të vet, një tjetër që vriste mëndjen nëse duhej të guxonte të thoshte diçka apo t‘ia hipte avionit apo ndonjë gjëje tjetër, etj, etj. E vërtetë! Ata ishin e janë një turmë e vogël laramane, por që i bashkonte dhe ende i bashkon vetëm një parullë, parulla: „Rroftë sa malet Kadare“. Pjesa dërrmuese e tyre servilë të Kadaresë. Asistuam në një skenë shumë interesante mes dy përkthyesish (vini re!:qytetarë të dorës së parë në Europë!), të cilët desh u grinë me njëri-tjetrin në të mirë të Kadaresë. Tërë qëllimi i atyre përkthyesve ishte të fusnin sa më shumë në dorë romane të Kadaresë që të mund t‘i përkthenin e të fitonin ndonji lek. Në kuptim të jo të drejtpërdrejtë, Kadare i mbante ata me bukë. Atyre as që u plaste fare për të gjurmuar dhe hulumtuar zhvillimet e reja në letërsinë shqipe. Ja çfarë përkthyesish na kanë rënë për hise, mor aman! Epo, gjene letërsi shqipe është kjo! Se mos i meritojmë më të mirë! Dhe pjesa e zgjuar e shkrimtarëve të pranishëm u bind përfundimisht për një fakt të dhimbshëm: Letërsia e vërtetë shqipe do fillojë të përkthehet në gjuhë të tjera vetëm nëse Kadare do zgjohet ndonjë ditë nga gjumi me humor të mirë. Por s‘duam ta besojmë se kjo asht diçka është e pamundur. Zoti është i madh.