E Hënë, 2 Nëntor 2026

KESH, 4 zyra ankimi për konsumatorët e pakënaqur

10/03/2005  Rreth 100 faturistë janë pushuar deri më sot nga puna, por ankimet e qytetarëve nuk mbarojnë

Brenda javës në katër pika të kryeqytetit do të jenë të hapura zyrat e reja të KESH–it, ku qytetarët do të kenë mundësi të ankohen për çdo problem që ka lidhje me energjinë. “Duke filluar nga java e ardhshme, do të hapim edhe 4 zyra të reja shërbimi ndaj ankesave që kanë konsumatorët tanë, lidhur me punët apo cilësinë që afron KESH-i për furnizimin me energji”, ka bërë të ditur një prej drejtuesve të KESH-it, Blendi Dalipi. Kështu pretendohet se kushdo që ka objeksione në lidhje me faturën që i vjen çdo muaj, ose dyshime mbi funksionimin e aparatit matës, apo ka probleme me faturistin, mund të shkojë në zyrën që i takon lagjes së tij dhe të ankohet. KESH-i ka marrë përsipër të pranojë çdo ankim dhe t’u japë sa më shpejt zgjidhje problemeve të konsumatorëve. “Përmirësimi i shërbimit ndaj klientëve tanë është një nga prioritetet e punës sonë”, ka deklaruar gjatë konferencës, Blendi Dalipi. Duket se në volumin e ankesave që konsumatorët kanë për KESH-in, kanë të bëjnë me mënyrën e faturimit të energjisë. “Jemi duke marrë masat e nevojshme lidhur me shërbimin e faturimit dhe të arkëtimit të energjisë nga klientët”, ka thënë në lidhje me këtë fakt Dalipi, duke kujtuar se deri më sot janë rreth 100 punonjës të pushuar pas verifikimit të ankesave nga ana e konsumatorëve. Nisur nga qëllimi për të mos pasur asnjë debat apo konflikt në lidhje me atë që konsumohet dhe faturohet, KESH është duke marrë masat e duhura nëpërmjet strukturave të reja, që do të ngrihen në të gjithë zonat e shpërndarjes së KESH-it. “Do ketë masa organizative ndaj atyre punonjësve që nuk janë korrekt në ushtrimin e detyrës”, ka deklaruar Dalipi. Kështu janë bërë prezente tashmë një sërë rastesh. Pikërisht, në lidhje me përmirësimin e shërbimit, nëpërmjet një kredie të Bankës Botërore, një firmë konsulente, jashtë KESH-it, nëpërmjet praktikave të saj ka paraqitur një raport të dytë final, në të cilin ka bërë komentet dhe sugjerimet e saj për ç’ka KESH-i u afron konsumatorit. Realisht ka një përmirësim të dukshëm nga viti në vit të cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit, por ka akoma ende shumë për të bërë, përsa i përket këtij shërbimi.

Kudo të hapen pikat e reja

KESH ka përcaktuar dhe ku do të jenë katër pikat e reja që do të hapen në kryeqytet dhe do të vihen në shërbim të konsumatorëve. “Në të gjithë zonën e Tiranës do të hapen 4 zyra të reja, ku klientët tanë janë të lutur të vijnë dhe ne do të jemi të gatshëm për t’i mirëpritur”, ka deklaruar Dalipi. Këto zyra do të hapen brenda kësaj jave në Kombinat, në zonën e Doganës, që përfshin Laprakën dhe një pjesë të Unazës së Re, në Allias, që përfshin rrugën e Dibrës dhe një në Kodrën e Priftit. Drejtori i Transmetimit, Dalipi, ka bërë të ditur se do të publikohen adresat e sakta të tyre si dhe numrat e telefonit për konsumatorët, për të shprehur ankesat që kanë ndaj punës së punonjësve të KESH–it. “Ne jemi realisht të përgjegjshëm për të gjitha defektet që kemi dhe jemi të predispozuar për t’i zgjidhur brenda të gjitha rregullave dhe një kohe sa më të shpejtë”, ka deklaruar Dalipi.

Zona Kombinat

Zona e Doganës

Zona Allias

Zona Kodra e Priftit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›