E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pikat e mospërputhjes, që nga dritat deri te shpejtësia

10/03/2005  Dy versionet e rindërtimit të dinamikës së incidentit në Irak

Një zyrtarë i lartë amerikan: Investigimet balistike tregojnë se është qëlluar nga mitralozët që ndodhen mbi xhipat në anët e rrugës

“Nxitonin shumë, ishin ndoshta me 80 kilometra në orë, në një vend ku duhet të mos i kalosh 50 kilometrat në orë, madje edhe më pak. Atë mbrëmje kanë kaluar shumë makina në atë zonë. Të gjitha ngadalësuan deri edhe me 20 kilometra në orë. Dhe nuk pati asnjë të shtënë

Për momentin, në pritje të rezultateve zyrtare të hetimit italo-amerikan, në lidhje me incidentin e 4 marsit, janë të paktën tre pika mospërputhjeje mes versionit italian dhe atij të forcave amerikane në lidhje me incidentin.

Komunikimi

Italianët këmbëngulin se komunikimi me ushtarakët e SHBA ka qenë i mjaftueshëm për të garantuar rikthimin e makinës tip Toyota Corolla, në të cilën ndodhej gazetarja e sapoliruar, në aeroportin e Bagdadit. Amerikanët kundërpërgjigjen, duke thënë se do të hetohet në lidhje me të gjithë komunikimet e mundshme përpara mbërritjes në zonën e aeroportit si edhe saktësia në këto komunikime e përshkrimit të llojit të automjetit. Ndoshta, ushtarakët amerikanë prisnin një makinë tip xhip, të blinduar, siç është zakonisht lloji i veturave të përdorura nga diplomatët, por kanë parë të mbërrijë një automjet anonim, me targë arabe, e ngjashme me ato që janë përdorur disa herë në atentatet e kamikazëve. Mbi të gjitha, që nga Uashingtoni nuk kanë vonuar kritikat për “koordinimin e dobët në përgjithësi” ndërmjet 007-ave italianë dhe shërbimit të tyre të zbulimit në Irak.

Shpejtësia

Të martën, ministri i Jashtëm italian, Gianfranco Fini, ka thënë se makina e ka përshkruar autostradën që çon në aeroport me një shpejtësi afro 70 kilometra në orë, “e pajtueshme me kushtet e rrugës së lagur”. Më pas, me afrimin në vendin ku ndodhën të shtënat, shpejtësia është reduktuar, për shkak të rrugës që vinte duke u përkeqësuar dhe ajo nuk i kalonte “40 kilometra në orë”. Krejtësisht i ndryshëm versioni që paraqesin forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara. “Nxitonin shumë, ishin ndoshta me 80 kilometra në orë, në një vend ku duhet të mos i kalosh 50 kilometrat në orë, madje edhe më pak. Atë mbrëmje kanë kaluar shumë makina në atë zonë. Të gjitha ngadalësuan deri edhe me 20 kilometra në orë. Dhe nuk pati asnjë të shtënë”.

Të shtënat

Italianët pohojnë se ndezja e projektorit dhe dritës së bardhë u shoqërua menjëherë nga të shtënat: “U regjistrua një veprim me armë, zjarrë me shumë mundësi nga disa armë automatike, që zgjati 10-15 sekonda”. Sipas versionit të një zyrtari të lartë të administratës amerikane, që ka rrëfyer të martën për Corriere della Sera, në vendin e incidentit ishin të paktën dy pengesa paralele, që bllokonin rrugën. “Jemi duke hetuar nëse bëhet fjalë për pengesa të palëvizshme, në formën e blloqeve të betonit, apo të lëvizshme. Por një gjë është e sigurtë, për të kaluar duhej ulur shumë shpejtësia”, këmbëngul burimi nga Uashingtoni.

Sipas tij, konstatimet paraprake balistike të bëjnë të besosh që është qëlluar nga një ose dy mitralozë të vendosur mbi xhipat e vegjël, që kishin ndaluar në anë të rrugës. “Kemi mbledhur një dyzinë gëzhojash nga mitralozë 7.62 mm. Kjo tregon se nuk kanë qëlluar ushtarët me armët e tyre vetjake, model M16 të një kalibri 5.62 mm”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›