E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këmbanat, reliket e vetme nga heroi

10/03/2005  Me rastin e 600-vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar ka ekspozuar dy këmbanat origjinale, të vetmet relike të ruajtura në Shqipëri, që nga koha e Skënderbeut, të cilat besohet të jenë prodhuar në Napoli

Me rastin e 600-vjetorit të Skënderbeut, populli duhet të dijë enigmat e Skënderbeut. A ekzistojnë në Shqipëri relike nga heroi ynë kombëtar?

Meqë është 600-vjetori i lindjes së Skënderbeut, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Moikom Zeqo, dje ka publikuar mostrat e rralla që mbërrijnë nga shekulli i XV, kohë kur dhe ka jetuar e luftuar heroi ynë.

Duke e nisur me një xhest kujtese, siç është mbjellja e 20 rrënjë ullinjve në oborr të Muzeut, zyrtarisht do të nisë dhe dita e festimeve për lindjen e heroit tonë kombëtar. Sipas Zeqos, në këtë përvjetor të lindjes, mund të bëhen studime shkencore, por ajo që është e rëndësishme për muzeologjinë janë objektet origjinale.

Të vetmet objekte origjinale që ndodhen në Shqipëri, sipas Zeqos, janë tri këmbana, ku dy prej tyre i ka Muzeu Historik Kombëtar dhe një e ruan Muzeu historik i Krujës. Këmbana më e vjetër është e vitit 1455, e cila është gjetur në kishën e Shën Nikollës në Shelcan. Por, kjo këmbanë ka një gjë interesante, sipas Zeqos, një gravurë të gdhendur, një vizatim që përfaqëson Shën Mërinë, e cila mban në prehër Krishtin dhe mbi të është figura e një femre më të madhe, e cila është e ngjashme si portret ikonografik me Shën Mërinë, që mban në dy duar dy flamuj kishtar. Secili nga këta flamuj ka nga një kryq. Ato, sipas informacionit vizatimor, tregojnë kishën unite, e bashkuar. Dihet që kisha në shekullin e XV ka qenë e ndarë në kishën lindore të Kostandinopojës dhe kishën perëndimore të Romës. Dhe grindja midis dy kishave ka qenë një faktor që turqit përparuan dhe pushtuan Kostandinopojën. Atëherë, më 1455, ata që kanë porositur këtë këmbanë kanë qenë shqiptarë, enkas për kishën e Shelcanit, të cilët kishin arritur në idenë e bashkimit të kishës.

Këmbana e dytë është dhjetë vjet më vonë, në vitin 1465. Kjo këmbanë është gjetur në Karpen të Kavajës. Këmbana ka një simotër të saj që është origjinale, e derdhur në një vend që ndodhet në Krujë. Ajo ka qenë e kishës kryesore të Krujës, ku thuhet se me këtë këmbanë është lajmëruar dhe vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, më 1468-ën. Këto këmbana kanë një kryq të vendosur në një trekëndësh, kjo është një monogramë.

Këmbanat janë zbuluar në vitet ’70, të gjetura nën dhe. Nuk dihet kujt kishe titullare i përkasin. Kurse këmbana e Shelcanit dihet që i përket kishës së Shën Nikollës. Në shek.XVI, në këtë kishë bëheshin kryeveprat e pikturës apo ikonografisë shqiptare, ku ka pikturuar dhe Onufri i madh.

Të tria këmbanat kanë të njëjtin vizatim, çka tregon se janë derdhur në një fonderi. Besohet se vendi ku janë derdhur këto ka qenë Napoli, sepse në vitin 1455 dhe 1465, ishin marrëdhëniet më të ngushta dhe më aleate të Skënderbeut.

Kjo vërtetohet dhe nga fakti që, Skënderbeu gjatë vizitës së tij në vitin 1456, në Napoli, i është dhuruar një libër, një lutësore në latinisht. Ky libër sot, aktualisht, ndodhet në “Shall House”, një shtëpi botuese në Londër. Nuk e ka parë askush, por është përshkruar disi nga arbëreshët, studiuesit tanë, Jup Kastrati dhe Kristo Frashëri.

Zeqo thotë se ka hyrë në marrëdhënie me këtë shtëpi botuese dhe mund të sillet një kopje edhe në Shqipëri, pranë Muzeut Historik Kombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›