E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Gjermane për Zhvillim, 92 milionë euro kredi për tre projekte

 Janë nënshkruar dje marrëveshjet për tre projekte me një vlerë totale 91.8 milionë euro, të financuara nga Banka Gjermane për Zhvillim. Dy ministritë, ajo e Financave dhe ajo e Punëve Publike kanë pritur dje ambasadorin e Gjermanisë Bernd Borchardt, ceremoni gjatë të cilës u nënshkruan edhe marrëveshjet. Dy prej projekteve i përkasin energjetikës, siç janë ndërtimi i linjës së tensionit të lartë 400-kw Shqipëri - Kosovë dhe ajo tensionit 110-kw Unaza e Jugut. Projektet që bashkëfinancohen nga qeveria gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim kapin vlerën e 91 milionë eurove. Me përfundimin e linjës 400 kw pritet të përmirësohet rrjeti i transmetimit në vend dhe të bëhet lidhja e Shqipërisë me rrjetin energjetik evropian duke mundësuar në këtë mënyrë rritjen e kapaciteteve importuese dhe eksportuese të vendit. Shfrytëzimi me efeciencë i burimeve ujore dhe minimizimi i humbjeve në rrjet janë gjithashtu synime që pritet të arrihen me përfundimin e projektit. Ndërkohë që me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 110-kw "Unaza e Jugut" pritet që të fuqizohet më tej rrjeti i transmetimit të energjisë në pjesën Juglindore dhe atë Jugperëndimore të vendit tonë (Vlorë-Orikum, Himarë, Sarandë, Memaliaj, Përmet, Ersekë dhe Korçë).  Dje është nënshkruar marrëveshja lidhur me projektin "Mbrojtja e liqenit të Ohrit-pastrimi i ujërave të zeza -Pogradec II". Fondi total i përdorur deri tani në fazën e parë nga ana e gjermanëve kap shifrën 5 milionë, ndërkohë që me 800 mijë eurot që iu shtuan së fundmi ai shkon në 5.8 milionë euro. Qeveria gjermane deri tani ka angazhuar një shumë totale prej 850 milion euro për projekte investimesh në gjithë Shqipërinë nga të cilat më shumë se 50% implementohet nga Banka Gjermane për Zhvillim.               n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›