KESH zbraz Vaun e Dejës dhe Shkopetin
KESH është detyruar dje të hapë portat në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atij të Shkopetit, si rezultat i tejmbushjes së këtyre të fundit. Burime nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëjnë të ditur se dje është hapur një portë në hidrocentralin e Vaut të Dejës, nga ku janë derdhur 300m3/s ujë, ndërsa në hidrocentralin e Shkopetit derdhja ka qenë 250m3/s. Alarmi i dy ditëve më parë, si rezultat i tejmbushjes së liqeneve në maksimum nga reshjet e shiut dhe shkrirja e borës ka rezultuar i justifikuar. Kjo situatë e vlerësuar si emergjente pasqyron dy anët e medaljes. Sipas drejtorit të KESH Muharrem Stojku në vend prodhohet energji me të gjitha kapacitetet dhe arrihet që të eksportohet rreth 4 milionë kwh në ditë. "Nga këto 2 milionë kwh janë shkëmbim me Kosovën, ndërsa 2 milionë të tjerat janë shitje", tregon Stojku. Sipas tij, çmimi i shitjes bëhet gjithmonë duke iu referuar bursës greke. Lidhur me eksportet sot , do të zhvillohet edhe tenderi përkatës që do të përcaktojë kompanitë fituese. "Eshtë përgatitur gjithë dokumentacioni përkatës për procedurat tenderuese dhe sot do të zhvillohet tenderi", konfirmon drejtori i KESH Muharrem Stojku. Sipas tij, edhe për 2010 eksportet do të vazhdojnë normalisht, që në datën 1 janar të vitit pasardhës. E në kohën kur vendi mund të prodhojë me kapacitete të plota kjo tejmbushje e hidrocentraleve ka shfaqur edhe anën e saj të errët. Rreziku i përmbytjes së tokave dhe shtëpive në zonat e Shkodrës dhe Lezhës ka qenë shqetësimi kryesor. Nga derdhjet që janë bërë dje në dy hidrocentrale nga ana e KESH konfirmohet se janë dëmtuar vetëm një sasi e pakët e tokës bujqësore. Pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës konfirmohet se është ngritur një grup pune, i cili po punon për të bërë vlerësimin e situatës në total dhe masave që duhen marrë. Dy ditë më parë ministri i Energjetikës Dritan Prifti dhe Kryeministri Berisha dolën publikisht për të dhënë detaje mbi situatën e krijuar, si rezultat i tejmbushjes së hidrocentraleve në vend dhe rrezikut që paraqitej nga kjo. Nga ana e kryeministrit u kërkua hartimi i planeve të evakuimit të banorëve në rast nevoje, ndërkohë që një seri ministrish u njoftuan për të marrë masat paraprakisht në rast se kaskada e Drinit do bëhej më kërcënuese. n.m