E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, Pollo: Sekuestruam 1,32 milionë m2 tokë bujqësore

 BLEDAR HOTIKomisionit Qeveritar i Tokës sekuestron 1 milionë e 321 metër katrorë tokë bujqësore të ndara në mënyrë të jashtëligjshme. Ministri i Shtetit, Genc Pollo mblodhi dje anëtarët e Komisionit Qeveritar të Tokës për të bërë bilancin e punës së bërë gjatë 2009 për verifikimin e titujve të pronësisë në vend. "Deri në fund të nëntorit të këtij viti u janë marrë zaptuesve 1 milionë e 321 mijë metër katrorë tokë, e marrë në mënyrë të kundërligjshme nga zyrtarë abuzivë, por edhe nga privatë të paginjshëm. Me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar, jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundraligjshme. Ky është një proces që po vazhdon, po jep frytet e veta dhe pas konfirmimit në gjykatë të tëra këtyre vendimeve që kanë marrë komisionet përkatëse pranë prefekturave, ky fond toke i kthehet pronësisë së shtetit, për t'u përdorur për qëllime publike, në radhë të parë për kompensimin e pronarëve", tha Pollo në mbledhjen e djeshme. Ministri i shtetit theksoi se "ky është një proces që po vazhdon, një proces që po jep frytet e veta, ligji parashikon një periudhë trevjeçare për të realizuar verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë". Që nga miratimi i këtij ligji deri në nëntor 2009, komisionet që funksionojnë pranë prefekturave kanë shqyrtuar 693 vendime, nga të cilat ka rezultuar një sipërfaqe toke bujqësore për shfuqizim prej 1.320.763 m2. Janë marrë gjithashtu 92 vendime për shfuqizim të plotë të akteve dhe 89 vendime për shfuqizim të pjesshëm, si dhe vendime të tjera. Sipas ligjit, kjo sipërfaqe pas konfirmimit nga gjykata kalon në pronësi të shtetit. Vetëm në muajin gusht të këtij vitit, Komisioni Qeveritar i Tokës kishte marrë vendimin për të hequr titujt e pronësisë në sipërfaqe që shkojnë deri në 68 mijë metër katrorë. Rastet skandaloze, si zaptimi përmes falsifikimit të oborrit të shkollës Libofshë në rrethin Fier, ose zaptimi i tokës së parashikuar për varreza në fshatin Dermenas, po në Fier. Komisioni vendor pranë prefekturës mori vendimet e duhura, duke zbatuar ligjshmërinë dhe duke ndëshkuar zaptuesit. Në prefekturën e Fierit janë marrë 32 mijë m2, në prefekturën e Vlorës 30 mijë m2. Në bazë të ligjit 9948 datë 7.7. 2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore" janë krijuar komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë, pranë çdo prefekture. Duke iu referuar draftit të miratuar, titujve e pronësisë që janë dhënë që më 1.8.1991, por që nuk kanë figuruar në Hipotekë si tokë bujqësore, do t'u hiqet pronësia, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj. Ligji do të shqyrtojë nga e para të gjithë titujt e pronësisë që janë dhënë që nga viti 1991 edhe sipas Ligjit 7501. Një vit më parë, Komisioni Qeveritar i Tokës drejtohej nga zëvendëskryeministri, ndërsa aktualisht qeveria i propozoi Kuvendit për miratimin e një akti normativ, duke ia hequr këtë kompetencë numrit dy të qeverisë. Kreu i KQT-së është aktualisht Ministri i Shtetit, Genc Pollo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›