Berisha: Bashkitë, jo rritje taksash për biznesin e vogël
ADI SHKEMBI
Kryeministri Berisha paralajmëroi dje ndërhyrje ligjore, për të shmangur rritjen e taksave për biznesin e vogël nga ana e pushtetit vendor. Ndonëse nuk ka folur konkretisht se në cilat bashki e komuna ka ndodhur një gjë e tillë, kreu i qeverisë theksoi se është e papranueshme që në një moment krize ekonomike, të rriten taksat për këtë kategori. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha tha se ka marrë mesazhe nga biznesmenë të vegjël, të cilët kundërshtojnë vendimet e fundit të pushtetit vendor për rritjen e taksave. “Të rrisësh taksat për biznesin e vogël në këtë periudhë, është një masë jashtëzakonisht e dëmshme për ta, për punësimin, dhe vjen në një kundërthënie të hapur me përpjekjet e qeverisë për të amortizuar pasojat e krizës, për të mos thënë se vjen në një kundërthënie të hapur me filozofinë tonë të taksave të ulëta”, theksoi Kryeministri Berisha. Ai i bëri thirrje pushtetit vendor, që të rishikojë të gjitha vendimet që ka marrë në këtë drejtim, teksa shtoi se qeveria do të ndërhyjë për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të vogla. Sipas kreut të ekzekutivit, zyrtarët e të gjitha niveleve janë të detyruar të marrin masa për amortizimin e krizës në vend, ndërkohë që rritja e tyre do të thotë shkurtim i vendeve të punës dhe frenim i investimeve. “Rritja e taksave mbi biznesin e vogël është realisht e rrezikshme. Ata aq e kanë kapacitetin dhe nuk duhet t’i shtohen taksat në asnjë mënyrë. Ne mund të shqyrtojmë me shumë seriozitet këtë politikë, por dëshiroj që qeveritarët vendorë të ndërhyjnë edhe vetë, si vullnet i tyre anti-krizë. E gjithë bota, për stimuj fiskal i ul taksat, dhe ne e kemi bërë më mirë se të gjithë këtë me taksat kombëtare”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Për të argumentuar rritjen e fondeve për pushtetin vendor nga qeveria qendrore, Berisha u shpreh se gjatë këtyre katër viteve është katërfishuar granti për bashkitë dhe komunat në të gjithë vendin. Duke i’u referuar recesionit ekonomik, Kryeministri Berisha theksoi se “më shumë se 1/3 e vendeve, mes tyre edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian, po vendosin uljen e pagave deri në masën 10 %, të tilla janë vendet Balltike, Irlanda dhe shumë vende të tjera, sepse parashikimet buxhetore për shkak të krizës së recesionit nuk realizohen. Ndërsa ne do të rrisim pagat dhe do të bëjmë rritjen më të madhe që kemi bërë ndonjëherë”. Në fund, ai i kërkoi Ministrit të Financave, Ridvan Bode, që pas dy javësh të sjellë në qeveri ndryshimet në ligj pikërisht për të shmangur rritjen e taksave nga ana e pushtetit lokal në drejtim të biznesit të vogël. “Si sot dy javë, në mbledhjen e qeverisë, do të përcaktojmë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj kësaj manie të rritjes së taksave ndaj biznesit të vogël”, theksoi kreu i ekzekutivit.
Taksat vendore për biznesin
Shitje me pakicë 10-25 mijë lekë / vit
Shitje me shumicë 28-50 mijë lek/vit
Njësi prodhimi 16-40 mijë lekë /vit
Subjekt ndërtimi 50-400 mijë lekë /vit
Njësi shërbimi 20-32 mijë lekë/vit
Profesione të lira 10-25 mijë lekë/vit
Ambulantët 2500-3500 lekë/vit
Transporti 10-25 mijë lek/vit