ǒthanë dy dëshmitarët jugosllavë në Gjyqin e Hagës
artur meçollari
“Minat në Kanalin e Korfuzit janë vendosur nga ushtarakët jugosllavë me porosinë e autoriteteve të Tiranës!” Kur grupi i ekspertëve të pavarur provoi në proces se Shqipëria nuk kishte mundësi e mjete për të bërë minimin e kanalit detar, që solli incidentin e 22 tetorit 1946, pala britanike operoi me argumentin tjetër, sipas të cilit, minimi i Korfuzit ishte bërë me porosinë e Tiranës. Opsioni i hedhur rishtas përpara trupit gjykues fund e krye mbështetej në rrëfimet e dy ish-ushtarakëve të marinës jugosllave. prania e të cilëve në proces ishte sa befasuese aq dhe e dyshimtë. Gjithsesi, deklaratat dhe dëshmitë e tyre i dhanë ballafaqimit gjyqësor një tjetër profil, ku shquhej sidomos misteri i deponimeve, që herë-herë nuk kishin as rrjedhë logjike. Britania e Madhe që kishte futur në lojë dy ish-ushtarakë të Titos i qëndronte fort hipotezës, që penalizonte Shqipërinë për shpërthimet ndaj dy luftanijeve të saj dhe shprehej e bindur se minat ishin vendosur nga dy luftanije jugosllave me dijeninë dhe porosinë e autoriteteve të Tiranës. Pikërisht për këtë pala britanike paraqiti para Gjykatës një sërë deklaratash e dëshmish, ku ndër më kryesoret ishin ato të dy jugosllavëve Zhivan Pavllov dhe Karel Kovaçiç. E gjitha kjo situatë vinte pas konfirmimit që ishte bërë në proces se mbas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria nuk kishte rezerva të mbetura të minave detare gjermane të tipit GY, pasi ata lanë mina të këtij tipi në Greqi dhe Jugosllavi. Ndërkaq, Gjykata kishte provuar se vendi ynë jo vetëm nuk zotëronte mina të këtij tipi por nuk kishte kapacitete për vendosjen e tyre. Në vitin 1946 Shqipëria kishte vetëm disa lanxha dhe një motovedetë…
DËSHMIA E KAREL KOVAÇIÇIT
Në dëshminë e tij të lëshuar për britanikët në 4 tetor 1948 dhe e paraqitur nga këta të fundit në gjykatë dëshmonte se: “Rreth datës 18 tetor 1946 janë nisur nga Porti i Sibenikut, dy anije (Mljet dhe Meljine) të ngarkuara me mina gjermane të tipit GY”. Karel Kovaçiç u thirr për të dëshmuar në procesin publik në datën 25 nëntor 1947, ku dëshmoi se: “Ndërsa qëndroja në tarracën e shtëpisë në Sibenik në datën 17 tetor 1946, në orën 16:20 pashë në bankinën pranë Panikovaç Cove (e cila gjendej në një distance rreth një kilometër) dy minaheqëset duke ngarkuar mina. Ky operacion zgjati rreth 1-1,5 orë dhe secila prej tyre u largua mbasi kishte marrë rreth 20 mina detare”. Po ashtu ai deklaroi se “një oficer (emrin e të cilit nuk mund ta deklaroj, por që më vonë e deklaroi si Nënlejtnant Drago Blazeviç) i kishte thënë se ato mina u vendosen në ujërat e Shqipërisë”. Ky oficer, sipas Kovaçiç, nuk kishte marrë pjesë në operacion, por i kishte thënë një oficer tjetër”.
Në 8 nëntor 1948 Qeveria e Republikës Federative të Jugosllavisë në një Notë Verbale të dërguar nëpërmjet Ambasadës së saj në Holandë protestonte ndaj faktit se për të vërtetuar fajësinë e Qeverisë së Shqipërisë për incidentin e Kanalit të Korfuzit, përdoreshin fakte të pavërteta, të cilat implikonin pa të drejtë edhe autoritetet e Beogradit. Në vijim të Notës Verbale, Qeveria Jugosllave theksonte se është e pakuptimtë se si Qeveria e Britanisë së Madhe përdor deklaratën e një dezertori ushtarak për të fajësuar qeverinë e një vendi tjetër, pasi “Karel Kovaçiç ka qenë një i dënuar gjatë pushtimit të Jugosllavisë në një kamp përqendrimi Italian në Chiesa Nuova në Padova në rrethana të dyshimta, ndërsa gruaja e tij e ligjshme Toncka Kovaçiç në Kozul u dënua me vdekje si agjente e Gestapos. Sapo mbërriti në Jugosllavi Kovaçiç hyri në lidhje me shërbime zbulimi të huaja, të cilat e ndihmuan për të dezertuar nga ushtria jugosllave, fakte, të cilat dolën në procesin gjyqësor të agjentes Erika Milutin”.
Po ashtu në Notën Verbale theksohet se: “Ndër të tjera në dëshminë e Karel Kovaçiçit përmendet Nënlejtnant Drago Blazeviç, me te cilin ka komunikuar dhe ky i fundit i ka thënë se “minaheqëset me mina u nisën nga Sibeniku për në Gjirin e Kotorrit në datën 17 ose 18 tetor 1946 për të përmbushur një mision të rëndësishëm”. Në Marinën Jugosllave nuk ekziston ndonjë person i quajtur Drago Blazeviç”.
Dëshmia e Kovaçiçit ishte kategorike dhe përpiqej të shfaqej si e pakontestueshme. Ajo ngjalli shumë debate në proces. Gjyqtari ad hoc Dr. B. Ecer, përfaqësuesi i Shqipërisë në gjyq Pierre Cot dhe Kundëradmirali Raymond Moullec, ishin të parët që e kundërshtuan. Në këtë dëshmi të dyshimtë ata argumentuan me fakte sidomos pasaktësitë që lidheshin me mundësitë logjistike të operacionit të marrjes së minave në Panikovaç Cove si dhe pamundësisë së vrojtimit të Panikovaç Cove midis orës 16:20 dhe 17:35, pasi Panikovaç Cove gjendet në drejtimin perëndimor të shtëpisë së Kovaçiçit dhe se në datën 17 tetor 1946 dielli perëndoi në orën 17:15. Sipas dy avokatëve, periudha kohore në të cilën Kovaçiç pretendon se kishte parë minaheqëset të ngarkoheshin me mina nuk e lejonte këtë të fundit të identifikonte minat edhe pse moti ishte pa re dhe relativisht i kthjellët. Për të vërtetuar thëniet e Kovaçiçit, trupi gjykues me urdhrin e datës 17 dhjetor 1946 dërgoi për të bërë hetime në Portin Detar të Sibenikut grupin e ekspertëve detar të përbërë nga Kundëradmiral S. A. Forshel, Marina Mbretërore Suedeze dhe Kapiten i Rangut të Dytë S. J. W. Elfferich, Marina Mbretërore Norvegjeze. Qëllimi i Grupit te eksperteve ishte verifikimi i thënieve të Karel Kovaçiç mbi ngjarjen e datës 17 tetor 1946.
Grupi eksperteve mbërriti në Sibenik në datën 17 janar 1946. Gjatë hetimit ai u përqendrua në mundësitë logjistike, që kishte Panikovaç Cove dhe bankinat në afërsi të saj për furnizim me mina të dy minaheqëseve si dhe për të vërtetuar nëse kishte qenë e mundur në datën 17 tetor 1946 të vëzhgohej nga tarraca e shtëpisë së Kovaçiçit operacioni i furnizimit me mina i minaheqëseve Mljet dhe Meljine.
Në përfundim, grupi i ekspertëve i mbështetur edhe në testin e dukshmërisë të bërë në Portin e Sibenikut, në datën 8 Shkurt 1948 depozitoi pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë raportin mbi hetimet e bëra. Lidhur me mundësinë e vëzhgimit të operacionit të furnizimit me mina Grupi i Ekspertëve raportoi se: ”Duke supozuar se anijet e Klasit ”M” ishin në Panikovaç Cove dhe u larguan prej saj mbas perëndimit të diellit, vëzhgimet e bëra në Sibenik na mundësuan konkluzionet që vijojnë:
A. Anijet e Klasit ”M” mund të përdoren për operacione minimi. Tunelet mund të magazinojnë mina të tipit GY.
B. Nuk ka rëndësi se ku dhe si ishin bregëzuar anijet e Klasit ”M” në Panikovaç Cove, por: në orën 16:15 të datës 19 tetor 1946 ka qenë e mundur nga çdo drejtim të vëzhgoheshin anijet dhe furnizimi i tyre me mina. Në orën 17:35 të se njëjtës ditë ka qenë e pamundur për dëshmitarin Kovaçiç për të vëzhguar ndonjë gjë, pavarësisht ku ishin bregëzuar anijet në Panikovaç Cove”.
DEKLARATA E
ZHIVAN PAVLOVIT
Për të qenë sa më bindëse në padinë e saj ndaj Shqipërisë pala britanike nuk ishte mjaftuar vetëm me dëshminë e Kovaçiçit, i cili pretendonte se kishte parë nga shtëpia e tij fillesat e operacionit për minimin e Kanalit të Korfuzit. Zyrtarët e Londrës që merreshin me çështjen e incidentit më datën 10 dhjetor 1948, i kishin marrë në kushte të dyshimta një deklaratë ish-ushtarakut tjetër nga Jugosllavia të quajtur Zhivan Pavlov, i cili dëshmonte se në 27 Tetor 1946 kishte parë një luftanije jugosllave të Klasit ”M” në Boka Kotorska (Gjiri i Kotorrit). Në deklaratën e tij Pavlov shkruante se “Pamshmëria ishte e mirë dhe ne e dalluam anijen, ishte një minavënëse e Klasit “Meljine”. Une e njoh këtë tip anije, pasi kisha shërbyer në Marinën Mbretërore përpara luftes. Si një nxënës në një nga shkollat më të mira të oficerëve, unë kisha shërbyer në këtë tip anije dhe kisha vizituar anije të së njëjtit klas. Unë jam shumë i sigurt se anija që pashë atë ditë në Gjirin e Kotorit ishte anije e Klasit “Meljine””.
Në fakt, edhe pse disa pjesë të dëshmisë të Kovaçiçit tingëllonin të vërteta, provat e tij se anijet jugosllave ishin furnizuar me mina ne Sibenik rreth datës 18 tetor 1946 dhe ishin kthyer disa ditë më pas për trupin gjykues “nuk ishin të mjaftueshme ligjërisht për të vërtetuar se këto dy anije kishin vendosur minat në ujërat shqiptare”.
Gjatë shqyrtimit të dëshmisë së Zhivan Pavlov, Trupi Gjykues konfirmoi se ishte e panevojshme dëgjimi i saj në seancë publike dhe nuk e mori atë asnjëherë në konsideratë, duke e shpërfillur si një thashethemnajë të sajuar për motive të dyshimta.
Kush ishin dy dëshmitarët jugosllavë:
Karel Kovaçiç. Lindi në Lubjanë më 30 korrik 1914. Hyri në Akademinë e Detarisë të Jugosllavisë në 1 tetor 1933. Gjatë Luftës, u internua në disa kampe përqendrimi në Itali. Pas çlirimit të vendit iu bashkua përsëri Marinës Mbretërore Jugosllave, e cila e dërgoi me mision në Taranto (Itali) dhe më pas në Maltë. Në 14 mars 1944 u gradua Kapiten i Rangut të Tretë. Në vijim shërbeu në Marinën Federale Jugosllave, si navigator dhe minjor në anijet minakërkuese. Në 6 tetor 1947 Kovaçiç u arratis nga Jugosllavia dhe u vendos në Angli.
Zhivan Pavlov. Lindur më 16 mars 1916. Ish-marinar i Marinës Tregtare Mbretërore Jugosllave. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u burgos nga gjermanët në Kampin e Përqendrimit pranë Greisffald, në Poloni. Në vitin 1945 u fut përsëri në Marinën Tregtare të Federatës Jugosllave, por u arratis nga anija në Trieste në 25 tetor 1948, pasi siç shprehet në dëshminë e tij “nuk kisha simpati për regjimin në Jugosllavi”. Autoritetet jugosllave e kanë akuzuar vazhdimisht si dezertor dhe si njeri të dyshimtë në marrëdhënie me shërbimet e huaja.
“T’i paguhen 843.947 stërlina Anglisë”
artur meçollari
Shqipëria është përgjegjëse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin e saj territorial, si dhe për dëmet dhe humbjet e jetëve njerëzore të shkaktuara. Për këtë Shqipëria ka detyrimin t’i paguajë kompensim Mbretërisë së Bashkuar”. “E ndërsa Gjykata e Hagës përmbyllte kështu pjesën më të rëndësishme të çështjes, më tej do të dialogohej gjatë lidhur me çështjen e kompensimit nga ana e Shqipërisë për dëmet e shkaktuara në Kanalin e Korfuzit marinës së Britanisë së Madhe.
KOMPENSIMI
Në padinë e paraqitur nga pala britanike, i kërkohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që për shkak të shkeljes së të Drejtës Ndërkombëtare, Shqipëria duhet të jetë përgjegjëse për pagesën në formë kompensimi në masën 875.000 sterlina, për dëmet dhe humbjet e jetëve njerëzore të shkaktuara në incidentin e 22 tetorit 1946 në Kanalin e Korfuzit.
Pala shqiptare kundërshtoi me pretendimin se nuk ishte nën juridiksionin e këtij trupi gjykues përcaktimi i masës së kompensimit, në referencë të Marrëveshjes së Veçantë. Ndërkaq, Trupi Gjykues vlerësoi se kishte kompetencë jo vetëm përcaktimin e detyrimit për kompensim, por edhe masën e kompensimit. Ai e mbështeste këtë në Vendimin e Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë të datës 19 gusht 1929 mbi “Rastin e Zonës se Lirë”, gjatë së cilës Trupi Gjykues vlerësoi se “në rast paqartësie, klauzolat e Marrëveshjes së Veçantë mbi të cilin mbështetet procesi gjyqësor, nëse nuk përfshijnë kundërshti në argumentet e tyre, duhet të merret në konsideratë në mënyrë të tillë që efekti i klauzolave të jetë i përshtatshëm”.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit e 9 prillit 1947 rekomandonte që palët duhet të çojnë “kundërshtitë” e tyre menjëherë në Gjykatë dhe sipas opinionit të Trupit Gjykues, kjo rezolutë do të bënte zgjidhjen e plotë të kundërshtive.
Pas pozicioneve katërçipërisht të kundërta të palëve, Shqipëria paraqiti kundërpadinë paraprake në proces. Mbi këtë bazë u komunikua vendimi i gjykatës i datës 25 mars 1948. Po atë ditë përfaqësuesi i palës shqiptare njoftoi Trupin Gjykues për arritjen e Marrëveshjes së Veçantë midis palëve, duke komentuar se “në rrethanat e krijuara është thelbësore arritja e Marrëveshjes së Veçantë mbi të cilin të gjithë procedurat do të mbështeten”, duke vijuar se “ashtu siç e kam thënë në shumë raste, synimi i Qeverisë së Shqipërisë është të respektojë Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947, në kuadrin e së cilës edhe kjo Marrëveshje e Veçantë i është drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
Kur Qeveria e Shqipërisë dorëzoi kundërpadinë, mbi të cilin u hap procesi gjyqësor mbi ligjshmërinë e akuzës së Britanisë së Madhe, ajo nuk synonte kufizimin e padisë, apo juridiksionin e Trupit Gjykues mbi kundërshtitë, por vetëm barazinë e palëve nëpërmjet zëvendësimit të padisë së njëanshme me Marrëveshje të Veçantë dypalëshe. Gjatë shqyrtimit të akuzës së përfaqësuesit shqiptar për dhunimin e sovranitetit të Shqipërisë nga anijet britanike në datën 22 tetor 1946 dhe 12-13 nëntor 1946, trupi gjykues shtroi pyetjen: “A ka ndonjë detyrim Britania e Madhe për të përmbushur?”. Përgjigjja nga pala shqiptare ishte e natyrshme dhe pa ekuivok “përderisa nuk ka pasur dëme, Shqipëria nuk pretendon për ndonjë shumë të hollash”, duke përfunduar se “çfarë ne presim nga Trupi Gjykues është vlerësimi i tij nga pikëpamja juridike”.
Mbështetur mbi këto argumente Trupi Gjykues arriti në përfundimin se “ai ka kompetenca për përcaktimin e masës së kompensimit që Qeveria e Shqipërisë i detyrohet Britanisë së Madhe, por, kjo masë nuk mund të përcaktohet nga ky proces gjyqësor, pasi Qeveria e Shqipërisë ende nuk ka përcaktuar termat mbi të cilat kundërshton shumën e pretenduar nga Britania e Madhe dhe Britania e Madhe ka paraqitur shumën që pretendon, por jo provat për të vërtetuar atë”.
VENDIMI
Në 17 nëntor 1949, Gjykata e Hagës, mbështetur në vendimin e saj të datës 9 Prill 1949, mori në shqyrtim vlerësimin e masës së kompensimit që Republika e Shqipërisë i detyrohej Britanisë së Madhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara nga shpërthimet e datës 22 tetor 1946. Procesi nuk pati debat, pasi pala shqiptare nuk dërgoi përfaqësues gjatë shqyrtimit të çështjes. Fillimisht Trupi Gjykues shqyrtoi një letër të dërguar nga autoritetet shqiptare, e cila paraqiste opinionin e Qeverisë së Shqipërisë se përcaktimi i masës së kompensimit nuk ishte kompetencë e kësaj gjykate. Përkundër këtij pretendimi, trupi gjykues vendosi se “përcaktimi i masës së kompensimit është kompetencë e tij dhe se vendimi është i detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë”. Në vazhdim u operua me shqyrtimin e kërkesës së palës britanike, e cila e kishte detajuar pretendimin e saj në disa zëra, ku binte në sy kërkesa e Londrës për ta penalizuar vendin tonë me shumën 50.048 sterlina, vetëm në respekt të së vdekurve dhe të plagosurve gjatë incidentit të 22 tetorit 1946 në Kanalin e Korfuzit. Në përfundim të seancës trupi gjykues vendosi që Republika e Shqipërisë i detyrohej të kompensonte Mbretërinë e Bashkuar në masën 843.947 sterlina. Ishte kjo një shumë të cilën shteti shqiptar nuk e pranoi asnjëherë, ndërkohë që në asnjë rrethanë nuk pranoi dhe përgjegjësinë e incidentit të 22 tetorit 1946.
vijon nesër
Çfarë shprehte vendimi i trupit gjykues i 9 prillit 1949
“Minat në Kanalin e Korfuzit u vendosën nga shqiptarët. Së paku, me dijeninë e tyre”. Përkundër argumentit të britanikëve, përfaqësuesit e Shqipërisë në Gjykatën e Hagës, kundërshtuan akuzën dhe denoncuan Britaninë për shkeljen e sovranitetit kombëtar. Në proces, të dyja palët paraqitën pozicione katërçipërisht të kundërta. Në përfundim të shqyrtimit të çështjeve të debatueshme midis palëve, trupi gjykues në pasditen e 9 prillit 1949 mori vendimin e parë.
1. Me 11 vota pro dhe 4 kundër vendosi: Republika e Shqipërisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është përgjegjëse për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, si dhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara;
2. Me 10 vota pro dhe 6 kundër paraqiti rezerva për shqyrtimin e vlerësimit të masës së kompensimit dhe rregulloi procedurat për këtë çështje me një urdhër të nxjerrë po sot;
Në lidhje me pyetjen e dytë të Marrëveshjes së Veçantë të datës 25 mars 1948:
1. Me 14 vota pro dhe 2 kundër vendosi: Mbretëria e Bashkuar nuk e dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 tetor 1946;
2. Me unanimitet (16 vota pro) vendosi: Me veprimet e Marinës Britanike gjatë operacionit të datës 12-13 nëntor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, Britania e Madhe ka dhunuar sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe se ky deklarim i Trupit Gjykues përbën përmbushjen e pranueshme të detyrimeve.