Zogaj: Mbështetje qeverisë për aplikimin
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, Preç Zogaj, deputet i PD-së, deklaroi dje në një prononcim për ATSH-në atë që ai e quajti paraqitje spekulative dhe të kërkuar nga disa media të reagimeve të tij në lidhje me diskutimet për kohën e paraqitjes se kërkesës nga qeveria shqiptare për statusin e vendit kandidat në BE. “Është e trishtueshme dhe e papranueshme, theksoi Zogaj, që për një çështje kaq të rëndësishme dhe ndërpartiake siç është ajo e aplikimit për statusin disa media të përdorin teknikën e veçimit, montimit dhe interpretimit subjektiv të shprehjeve për të fabrikuar pozicione politike dhe “kundërvënie”, që nuk përkojnë me të vërtetën”. Duke nënvizuar qasjen serioze dhe aspak propagandistike të qeverisë Berisha dhe shumicës parlamentare në lidhje me aplikimin për statusin, pra duke pohuar faktin se aplikimi për aplikim nuk është qëllimi ynë, Zogaj nënvizoi se: “Rezoluta konsensuale e Kuvendit të Shqipërisë, përgatitur në Komisionin e Jashtëm në muajin janar të këtij vitit, nxit dhe inkurajon qeverinë të ndërmarrë aktin e aplikimit, duke ia lënë asaj në dorë përcaktimin e datës, në konsultim me partnerët tanë evropianë. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, që ka bashkautorësinë e Rezolutës në fjalë, nuk mund të ketë një qëndrim tjetër dhe nuk mendon se qeveria duhet të presë”. “Në të kundërtën, shtoi Zogaj, me bindjen se Shqipëria i ka përmbushur standardet e aplikimit dhe po synon nëpërmjet reformave në zbatim finalizimin e procesit të integrimit në BE, unë, bashkë me kolegët deputetë dhe opinionin e gjerë evropianist në Shqipëri, do të mbështesja dhe duartrokisja aplikimin brenda këtij gjashtëmujori”.