Banka Popullore edhe 10 degë të reja në 2005-ën
23/12/2004 Banka Popullore gjatë vitit 2005 pritet të hapë edhe 10 degë të reja në rrethe të ndryshme të vendit. Drejtori i Përgjithshëm i kësaj Banke, Edvin Libohova, tha dje në një konferencë për shtyp se, "gjatë vitit 2005 do të vazhdojë të zbatohet strategjia e zgjerimit të rrjetit të bankës, duke çelur edhe 10 degë të reja me shtrirje gjeografike në të gjithë vendin”. Sipas Libohovës, në vitin që vjen do të zgjerohet edhe shërbimi me karta, si dhe do të rritet volumi i kredisë, duke synuar kryesisht biznesin e vogël dhe të mesëm. Duket se politika e Bankës Popullore gjatë vitit 2005-ës, do të jetë më agresive. Aktualisht, kjo bankë ka synuar të përfshijë dhe ndihmojë biznesin e vogël dhe të mesëm, duke u shpërndarë në ato pjesë të vendit që nuk kishin infrastrukturë bankare. Banka Popullore e filloi aktivitetin e saj në mars të këtij viti dhe është e vetmja bankë që e ka nisur aktivitetin direkt me dy degë, me atë qendroren dhe me degën e Kavajës. Banka Popullore është banka e 16-të e sistemit bankar shqiptar dhe e dyta me kapital tërësisht shqiptar.