E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qëllon ish-dhëndrin, vret një të pafajshëm

22/12/2004  BURREL – Një person tenton të vrasë ish-dhëndrin, por ka vrarë një qytetar të rastësishëm, ndërsa ka plagosur edhe një tjetër. Ndërsa ka arritur të plagos edhe ish-dhëndrin e tij, nuk ka mundur t’i shpëtojë arrestimit nga ana e policisë.

Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 13.00, në qendër të qytetit të Burrelit. Në orët e para të ditës së djeshme, Ibrahim Doçi kishte zbritur nga Gurra, së bashku me bashkëshorten e tij. Në qytet ka pikasur Mersin Lekën, ish-dhëndrin, ndaj, pa e zgjatur, i është drejtuar, duke i kërkuar llogari për shkakun e ndarjes së vajzës. Situata duket se është rënduar më shumë, kur Doçi ka mësuar se ish-dhëndri, ishte fejuar sërish me një vajzë nga Tirana.

Pa e zgjatur, Doçi ka nxjerrë pistoletën për të vrarë Lekën. Në këtë moment, Mersini ishte treguar i shpejtë, duke i shmangur dorën, megjithëse një plumb e plagosi atë.

Pas shkrepjes së armës, ka ndërhyrë Fatmir Lika, një qytetar i Burrelit, i cili ka tentuar që të shmangë këtë sherr të rëndë.

Në përpjekje e sipër, Doçi së bashku me disa të njohur të tij, është futur për t’u qetësuar në një dyqan, ku shiteshin artikuj elektronikë. Aty ndodhej rastësish edhe Lek Lala, nga Bazi i Burrelit. Ky i fundit është munduar që të shuajë zemërimin e Ibrahim Doçit, por në këtë kohë është shkrepur arma, e cila ndodhej në duart e Doçit dhe një plumb i saj goditi për vdekje në zemrë, Lalën.

Zemërimi i Doçit nuk ka përfunduar këtu, pasi me një thikë që mbante në brez ka mundur që të plagosë edhe Fatmir Likën.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë së Burrelit, e cila në një kohë rekord ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke mundur të arrestoj autorin e atentatit Ibrahim Doçin, ndërsa ka dërguar në spital të plagosurit Mersin Leka, Fatmir Lika dhe në morgun e tij, viktimën Lek Lala. Nga ana e saj, policia ka grumbulluar edhe provat në vendin e ngjarjes si dhe dëshmitë e personave.

Pas hetimeve të para, si dhe pas marrjes në pyteje të autorit të atentatit, Ibrahim Doçi, policia ka arritur të zbardhë motivin e këtij krimi.

Sipas burimeve të policisë lokale, motivi i kësaj vrasjeje e ka zanafillën rreth tre vjet më parë kur Mersin Leka, 31 vjeç, për shkaqe ende të paditura shkëputi marrëdhëniet që në fejesë me vajzën e Ibrahim Doçit. Pas kësaj, sipas policisë, mësohet se ky i fundit me sa duket se nuk e ka pranuar këtë fakt, i cili ka menduar ta zgjidhë me vrasjen e ish-dhëndrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›