E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, AKKP-ja nis kompensimin për pronarët

30/09/2011  130 milionë lekë për kompensimin e pronarëve që preken nga Unaza e Madhe

Nis kompensimi për pronarët e qytetit të Tiranës, tokat e të cilëve preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Qeveria ka vendosur në dispozicion 130 milionë lekë për të kompensuar, të gjithë pronarët që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe në kryeqytet, për segmentin “Komuna e Parisit”-Rruga e re Tiranë-Elbasan. Përmes një kërkese të bërë zyrtarisht nga Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve, e cila është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare vihen në dijeni personat, të cilët preken nga ky shpronësim. “Pronarët që kanë emrin në listën emërore dhe personat e tretë, brenda 15 ditëve nga plotësimi i këtij afati për publikim, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre lidhur me çmimin, sipërfaqen, titullin e pronësisë apo llojin e pasurisë që kanë në pronësi, të shoqëruara me dokumentet përkatëse në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit. Për pasuritë për të cilat pronarët figurojnë të paidentifikuar, personat që pretendojnë pronësinë sqarojmë se nuk disponojmë informacion nga ALUIZNI dhe zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë”, - është shprehur kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa. Sipas tij, për këto pasuri do të kërkohet informacion pranë këtyre institucioneve. Pronarët për të cilët në tabelën e publikuar nga Drejtoria e Rrugëve, është bërë shënimi “Konfirmuar nga zyra vendore ”, do të kompensohen për efekt shpronësimi pas miratimit të kërkesës për shpronësim nga Këshilli i Ministrave, si dhe pasi të kenë paraqitur dokumentacionin pranë Drejtorisë së përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për objekte me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 17 516 359.8 lekësh. Shpenzimet procedurale, në vlerën 25 000 lekë, të përballohen nga Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 17 516 359.8 lekësh, të përballohet nga “Zëri investimeve”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, për vitin 2011. Në vendim thuhet se “shpronësimi do të fillojë më 15.9.2011 dhe të përfundojë më 15.12.2011.

Pronarët që likuidohen

Pronarët e objekteve, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ALUIZNI” do të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit dhe i regjistrimit në zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, si dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së përgjithshme të Rrugëve. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të Rrugëve, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›