E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka: Të rishikohen shpenzimet

01/05/2009  Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se është rritur ndikimi i krizës në vend

Autoriteti Mbikëqyrës financiar kërkon rishikim të shpenzimeve të planifikuara nga qeveria. Kriza ekonomike globale ka prekur të ardhurave në buxhet duke ndikuar në uljen e tyre. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës anëtarët e saj ranë dakord në mendimin se një situatë e tillë mund të krijojë probleme në financimin e deficitit buxhetor. “Shtrëngimi i kushteve të likuiditetit në sistemin bankar është reflektuar në hezitimin e bankave për financimin e nevojave të qeverisë për fonde dhe rritjen e kostos të këtij financimi. Në kushtet e rreziqeve të mundshme fiskale në horizontin afatshkurtër, shtrëngimi i kushteve të financimit krijon vështirësi në financimin e deficitit buxhetor të planifikuar. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë gjykon si të domosdoshëm rishikimin e shpenzimeve të planifikuara duke bërë korrigjimet e duhura sipas prioriteteve”,- theksohet në fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Ekonomia

Në muajt janar-shkurt ka pasur një ngadalësim të kërkesës për para, e ndikuar kryesisht nga tkurrja e dukshme e ritmeve të rritjes së kredisë për ekonominë. “Shtrëngimi i standardeve dhe i kushteve të kredidhënies ka ndikuar si në rënien e ofertës ashtu edhe në kërkesën për kredi nga agjentët ekonomikë. Rezultantja e këtyre zhvillimeve është pasqyruar në një ngadalësim të ndjeshëm të ritmeve të rritjes së ofertës monetare krahasuar me muajin shtator 2008”, - theksohet në raport. Në fund të muajit shkurt, sistemi bankar ka ndërmjetësuar rreth 67 për qind të depozitave totale për financimin e aktivitetit të sektorit privat. Nga ana e kërkesës, struktura e kërkesës së brendshme për para ka mbetur relativisht e pandryshuar, e dominuar nga kredia e sektorit privat.

Banka e Shqipërisë po furnizon me likuiditet sistemin bankar

Niveli i kreditimit bie në 29 për qind

Banka e Shqipërisë po furnizon me likuiditet sistemin bankar. Nisur nga ulja e likuiditetit, ritmet vjetore të zgjerimit të aktivitetit kreditues janë pakësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2009. “E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua më tej, duke arritur në 29 për qind në muajin shkurt. Ndonëse ngadalësimi i aktivitetit kreditues i shërben qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm valutor të vendit, zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë është duke furnizuar me likuiditetin e nevojshëm sistemin bankar dhe duke punuar me të për kontrollin e elementeve të kredisë që nuk kanë lidhje me koston, por që ndikojnë ecurinë e saj”, - theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Në analizën e mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës u theksua se është zhvendosur tendenca e bankave për të kredituar në valutë. “Në fund të muajit shkurt kredia në lekë përbën 29 për qind të portofolit të kredisë duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. Kjo zhvendosje vlerësohet si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar”, - thanë ekspertët. Zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Norma e interesit

Banka e Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim në mbledhjen e fundi dhe analizoi ecurinë e treguesve ekonomikë dhe monetarë për tre muajt e parë të vitit 2009. “Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind normën bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjella të riblerjes me afat maturimi njëjavor”, - theksoi raporti.

Rritja ekonomike

Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmet e rritjes ekonomike do të jenë më të ulëta. “Ndikimi potencial i krizës ekonomike botërore, pritet të materializohet në një rritje ekonomike më të ngadaltë të vendit gjatë vitit 2009. Ecuria aktuale në fushën e çmimeve si edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin, sinjalizojnë frenim të presioneve inflacioniste gjatë periudhës në vazhdim”, - njoftoi Banka e Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›