E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja do t’i fitojë zgjedhjet e 28 qershorit

01/05/2009  Kryeministri Berisha flet për zgjedhjet në kongresin e Partive Popullore Europiane

Kreu i qeverisë pohon se në çdo rast do të pranojë verdiktin e popullit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në kongresin e Partive Popullore Europiane se Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Në fjalimin mbajtur para përfaqësuesve të partive të djathta evropiane kreu i qeverisë shqiptare, njëherësh lideri i Partisë Demokratike, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë përballje elektorale. Ai ka kërkuar nga drejtuesit e forcave të djathta të sjellin sa më shumë vëzhgues për të vërtetuar korrektësinë e këtyre zgjedhjeve. “Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve në qershor dhe unë bëj këtu një premtim solemn për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe do ta mbaj këtë premtim me gjithë përkushtimin tim. Dhe ju ftoj ju të dërgoni vëzhgues, sepse shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet”, - ka deklaruar Berisha. Megjithëse i bindur në fitore, ai ka theksuar se është i vendosur të pranojë dhe të respektojë çdo rezultat që do të dalë nga këto votime. Berisha theksoi se shqiptarët janë njerëz të mençur dhe e dinë se, të votosh majtas, do të thotë të votosh për të kaluarën. “Shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se, të votosh majtas, do të thotë të votosh për mure, dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që me ndihmën tuaj do të shndërrohen në realitet përsëri”, - deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Duke folur në kongresin e Partive Popullore Europiane, mbajtur në Varshavë të Polonisë, ka bërë një paraqitje të reformave të ndërmarra nga qeveria që drejton në këta katër vjet. “Katër vjet më parë unë rierdha në pushtet. Kombi im po përballej me një mur shumë të vështirë që qëndronte para tij, mur që pothuajse po i mbyllte dyert projektit të tij-ëndërr – muri i krimit të organizuar, muri i korrupsionit. U zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoja me tolerancë zero krimin e organizuar dhe do ta çmontoja atë mur, dhe kështu bëra”, - deklaroi Berisha. Gjithashtu ai vuri theksin edhe në luftën kundër korrupsionit dhe reformat në ekonominë vendase. Gjithashtu ai nënvizuar arritjet e vendit, anëtarësimin me të drejta të plota në NATO dhe dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Berisha vlerësoi në maksimum partitë e djathta evropiane për mbështetjen që kanë dhënë gjatë viteve. “Mirënjohje të thellë, falënderim të përzemërt për të gjitha partitë popullore dhe njerëzit, të cilët në besimin tim më të thellë ishin promotorët e vërtetë të rënies të Murit të Berlinit. Nuk njoh asnjë qeveri të majtë të asaj kohe që ishte e lumtur me rënien e atij muri, e kundërta është e vërtetë. Falënderimi është për ju, për ndihmën e madhe që i keni dhënë vendit dhe kombit tim në udhëtimin e tij drejt lirisë, drejt demokracisë dhe integrimit”, - deklaroi Berisha.

Zgjedhjet e 28 qershorit

“Ndonëse jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t’ju informoj se ne do t’i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se, të votosh majtas, do të thotë të votosh për mure, dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që me ndihmën tuaj do të shndërrohen në realitet përsëri”.

Reformat e ndërmarra

“Katër vjet më parë unë rierdha në pushtet. Kombi im po përballej me një mur shumë të vështirë që qëndronte para tij, mur që pothuajse po i mbyllte dyert projektit të tij-ëndërr – muri i krimit të organizuar, muri i korrupsionit. U zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoja me tolerancë zero krimin e organizuar dhe do ta çmontoja atë mur, dhe kështu bëra.”

Berisha takon kreun e KE-së Barroso, vlerësohet Shqipëria

Kryeministri Suedez: Do të shqyrtojmë aplikimin

Kërkesa e depozituar nga qeveria shqiptare për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian ka marrë mbështetje nga krerët më të lartë. Vetë Presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha gjatë punimeve të kongresit të Partive Popullore Europiane, që u zhvillua në Pragë, ka dhënë sinjale pozitive në raport me ecurinë e kësaj çështjeje të rëndësishme. Ai ka siguruar shefin e ekzekutivit shqiptar se do të punojë me qeverisë e Tiranës që pranimi i kërkesës të ndodhë sa më parë, por kjo është në dorë të vetë qeverisë shqiptare. Por Barroso nënvizoi faktin se kërkesa më parë duhet shqyrtuar nga strukturat përgjegjëse të BE-së. “Ne po punojmë shumë mirë më Shqipërinë dhe është e rëndësishme të bëhet progres. Nuk dua të jap datë, por ne po punojmë në mënyrë konstruktive më Shqipërinë”, - ka deklaruar në një prononcim për mediet Presidenti i Komisionit Europian, portugezi Hoze Manuel Barroso. Mbështetje për zgjerimin e BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor, kur përfshihet edhe vendi ynë, ka dhënë edhe kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeld, vendi i të cilit merr presidencën e radhës së BE-së më 1 korrik. Ai ka pasur një bisedë me Berishën, ku është biseduar pikërisht mbi udhën e integrimit evropian të vendit tonë. “Diskutova me kryeministrin Berisha mbi rëndësinë e perspektivës europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Suedia ka një qëndrim të hapur pro zgjerimit. Ne do të marrim aplikimin, do ta shqyrtojmë atë në mënyrën e duhur dhe shpresojmë të shohim një të ardhme me një BE të zgjeruar”, - ka deklaruar kreu i qeverisë suedeze Fredrik Reinfeld.

Qëndrimet e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian vijnë në një çast shumë të rëndësishëm të ecurisë së procesit të integrimit të vendit tonë në BE. Por zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit janë vlerësuar shumë të rëndësishme dhe si një kusht kyç për procesin. Ditën kur Kryeministri Berisha dorëzoi kërkesën për statusin e vendit kandidat, drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Michael Leigh, deklaroi se institucioni që përfaqëson mirëpret aplikimin për anëtarësim. Por ai nënvizoi kushtin për pranimin e kësaj kërkese. “Shqipëria ka pasur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Dhe tashmë është në dorë të Shqipërisë të futet në një fazë të re të integrimit evropian duke përmirësuar në veçanti sundimin e ligjit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme në qershor mbetet një kusht kyç”, - deklaroi Leigh.

Barroso

Presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso ka vlerësuar aplikimin për statusin e vendit kandidat nga ana e Shqipërisë, por qeveria shqiptare e ka vetë në dorë. “Ne po punojmë shumë mirë me Shqipërinë është e rëndësishme të bëhet progres. Nuk dua të jap datë, por ne po punojmë në mënyrë konstruktive më Shqipërinë”, - tha ai.

Reinfeld

Kryeministri suedez shprehet pro zgjerimit të BE-së. “Diskutova me Berishën mbi rëndësinë e perspektivës europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Suedia ka një qëndrim të hapur pro zgjerimit. Ne do të marrim aplikimin, do ta shqyrtojmë atë në mënyrën e duhur dhe shpresojmë të shohim një të ardhme me një BE të zgjeruar”, - tha ai.

Partia Republikane

Individë të caktuar duan të prishin raportin me ish-pronarët

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar mes shoqatës “Pronësi me Drejtësi” me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar është fryt i interesave të ngushtë të disa personave. Gjatë një takimi elektoral në qytetin e Tepelenës kreu i PR-së ka theksuar se ish-pronarët nuk duhet t’i lejojnë këta individë të prishin marrëdhënien mes këtij komuniteti me PR-në. “U drejtohem nga Tepelena të gjithë pronarëve të mos lejojnë individë të caktuar t’i përfaqësojnë, individë të cilët për interesa personalë politikë kërkojnë të prishin këtë marrëdhënie midis PR-së dhe ish-pronarëve. Ne nuk i kemi përfaqësuar pronarët jo sepse shohim interesa të personave të caktuar, por sepse jemi të bindur se duke u kthyer prona tek i zoti Shqipëria do të ketë zhvillim ekonomik dhe se zgjidhja e çështjes së pronës është elementi kyç për anëtarësimin në BE”, - ka deklaruar Mediu. Sipas tij, republikanët që në fillimet e tyre kanë qenë mbrojtës dhe përfaqësues të ish-pronarëve. Ai nënvizoi se pa PR-në çështja e pronës nuk do të kishte arritur këtu ku është. Ai premtoi mbështetje të vazhdueshme për kompensimin e ish-pronarëve.

Komisioni hetimor

Paloka: S’ka vendim që na pengon në hetimin e Ramës

Partia Demokratike një ditë pas dërgimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin e komisionit të dytë hetimor ndaj tij rithekson se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që të pengojë hetimin parlamentar të kryebashkiakut. Anëtari i komisionit hetimor Edi Paloka gjatë një prononcimi për medien tha gjithashtu se të djathtët do të kërkojnë që Prokuroria e Përgjithshme të marrë në shqyrtim përveç dosjes së këtij komisioni dosjen e atij pararendës dhe padinë e ish-ministres Esmeralda Uruci kur Rama ishte ministër kulture. “Arsyet që ai nxjerr janë pa bazë, qoftë ai i mandatit të Parlamentit, qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ka pas një vendim për një komision të ngjashëm dhe ai vendim nuk e ndalon dhe ai komision ka qenë komision i ligjshëm dhe ka çuar deri në fund hetimet e tij”, - tha Paloka. Ai uroi që organi i akuzës të shqyrtojë dosjet që ky komision do t’i dërgojë dhe të mos i lërë stivë, siç ka bërë deri tani. Bashkia përveç ndërprerjes së veprimtarisë së komisionit kërkon dhe zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes pushtit vendor dhe atij legjislativ.

Lezhë

Rrëzohet kryetarja demokrate e këshillit bashkiak

Partia Demokristiane e drejtuar nga Nard Ndoka ka mundur të shkarkojë përfaqësuesen e Partisë Demokratike nga posti i kryetares së këshillit bashkiak të qytetit të Lezhës. Në një njoftim për mediet të zyrës së shtypit të PDK-së thuhet se në mbledhjen e dy ditëve më parë të këshillit bashkiak i Lezhës ka shkarkuar nga posti i kryetares së këshillit bashkiak Roza Hila, përfaqësuese e PD-së, dhe ka zgjedhur në vend te saj këshilltarin demokristian Frano Kulli. Sipas PDK-së, pas shumë debateve në mbledhjen e këshillit grupi i këshilltarëve të “Polit të Lirisë”, të cilit i janë bashkuar dhe këshilltari i PR-së dhe ai i PAA-së, kanë paraqitur një mocion për shkarkimin e kryetares Hila. Mocionin e kishin nënshkruar nëntë anëtarë të këshillit bashkiak, nga të cilët pesë këshilltarë të djathtë dhe një këshilltar i pavarur. Kështu, përmes votimit u arrit shkarkimi i Hysit dhe më pas u zhvillua një tjetër proces votimi, ku si kryetar i ri i këshillit bashkiak u zgjodh përfaqësuesi i PDK-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›