E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoferet femra, normalitet edhe në Kukës

Vetëm dy vjet më parë në qytetin e Kukësit nuk shikoje asnjë vajzë apo grua në drejtim të makinave. Mirëpo viti i fundit ka shënuar jo vetëm thyerjen e tabusë së gruas lidhur me drejtimin e makinës, por ka përmbysur edhe raportet për nga numri i tyre në raport me meshkujt. Përkundër mentalitetit sipas të cilit gratë nuk mund të kapërcenim "pragun e shtëpisë", pra janë lindur për të qenë shtëpiake, frekuentimi i autoshkollave tashmë është një fenomen i zakonshëm në Kukës. "Interesi i grave për të fituar atësinë e drejtimit të makinës është rritur ndjeshëm gjatë këtyre dy viteve të fundit. Vitin e kaluar në shkallë qarku përfituan dëshminë e aftësisë për drejtim mjeti 97 vajza, ose mbi 80 për qind e të regjistruarave, nga pak më shumë se 50 për qind që ishte ky tregues te meshkujt", tregon drejtori i zyrës rajonale të kontrollit teknik të mjeteve, Zyber Jata. Sipas tij, gjatë periudhës së kurseve vihet re një përkushtim më i madh i femrave, gjë që shprehet edhe me faktin që kalueshmëria te femrat është 30 për qind më e lartë se te meshkujt.

Thuajse të njëjtët tregues janë edhe gjatë këtij viti. Kështu, për 6-mujorin e parë këtij viti janë testuar në pjesën teorike mbi 500 persona, prej të cilëve kanë marrë vlerësim pozitiv më shumë se 270, ndërsa janë testuar për pjesën praktike 440 persona prej të cilëve kanë marrë vlerësim pozitiv 260 persona. Prej atyre që janë paraqitur në testimin për pjesën teorike 90 janë femra, prej të cilave kanë fituar 82, ndërsa në testimin praktik janë paraqitur 80 vajza prej të cilave kanë fituar 60.

Nga një vëzhgim në gjashtë autoshkollat që ka aktualisht qyteti i Kukësit del që femrat e kurseve për drejtues mjeti janë kryesisht gra të martuara të moshës 30-40 vjeçe, por nuk mungojnë edhe vajzat e reja që duan të pajisen me leje drejtimi. "Është domosdoshmëri lëvizja me makinë, për mua dhe për shumë të tjera makina llogaritet në nevojat e përditshme", thotë Mariana 25 vjeçe me profesion mësuese. Ajo dhe disa shoqe të saj mendojnë që shoqëria kuksiane e ka tejkaluar tashmë mentalitetin se gratë dhe vajzat duhet të jenë vetëm shtëpiake apo në punë në institucione, kryesisht publike. Mariana tregon se në grupin e saj të kursit janë 22 gra e vajza që pas disa ditësh do t‘i nënshtrohen testimit.

Para viteve ‘90 në rrethin e Kukësit ishte vetëm një femër e pajisur me leje drejtimi për automjet dhe që njihej pothuajse nga të gjithë banorët e rrethit dhe më gjerë. "Në kohën që ne u bëmë shoferë dhe lamë kockat në këtë zanat ishte vetëm një vajzë shofere, ajo quhej Bukuroshe dhe ishte e aftë tamam si ne", thotë Xhemali 70 vjeç nga Kukësi, një ish-shofer në parkun e transportit të mallrave. Pra që një femër të mund të bëhej shofere, ishte thuajse një tabu. Tani në qytetin me më pak se 30 mijë banorë, vetëm në dy vitet e fundit janë pajisur me leje drejtimi mbi 260 gra e vajza, që i shikon përditë teksa lëvizin me makina në rrugët e Kukësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›