E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë: 50% e investimeve për Durrës-Kukës

Shpenzimet për investime rezultuan dy herë më të larta nga një vit më parë, kryesisht si pasojë e financimit të rrugës Durrës-Kukës. Sipas Bankës së Shqipërisë që i referohet 10-mujorit, me gjithë ritmin e lartë të rritjes, shpenzimet kapitale deri në fund të tremujorit të tretë kanë arritur të përmbushin rreth 83% të nivelit të programuar. Shpenzimet për interesa kanë shfaqur gjithashtu një rritje të konsiderueshme ndaj vitit të kaluar me 25%, por gjithsesi niveli i arritur deri në fund të tremujorit të tretë është brenda kufirit të planifikuar. Financimi i rrugës Durrës-Kukës zë rreth 50 për qind të totalit të shpenzimeve kapitale. Financimi i këtij projekti mundësohet kryesisht nga burimet e huaja në 90%. Ndërkaq, shpenzimet buxhetore të autorizuara deri në fund të muajit shtator rezultuan rreth 217.4 miliardë lekë ose 94% e planit të hartuar për të njëjtën periudhë kohore. Shpenzimet totale, ashtu sikurse dhe të ardhurat, kanë shënuar rritjen më të lartë të nëntë viteve të fundit, përfundon BSH-ja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›