E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: ”Berisha të mos luajë me fatin e zgjedhjeve, kartat të shpërndahen falas”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, rithekson domosdoshmërinë e shpërndarjes falas së kartave të identitetit për votuesit shqiptarë. Sipas Ramës, kjo është e vetmja mundësi që i shpëton zgjedhjet nga dështimi, duke qenë se kanë mbetur 83 ditë nga zhvillimi i tyre. Rama tha se tani që Shqipëria u anëtarësua në NATO, ajo duhet të kalojë provimin e parë serioz për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por, sipas kryesocialistit, që të ndodhë një gjë e tillë, kryeministri Berisha duhet të heqë “taksën e votës” që u ka vendosur shqiptarëve dhe t’i shpërndajë falas kartat e identitetit. “Zgjedhjet që vijnë janë provimi i parë i Shqipërisë në NATO. Kohë për të humbur nuk ka në qoftë se nuk duam ta humbasim këtë provim. Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, hija e dështimit të këtij provimi të parë, të demokracisë tonë, është përditë e më kërcënuese. Nuk ka kohë për të humbur. Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, qindra mijëra qytetarë e qytetare kërcënohen në të drejtën e tyre themelore të zgjedhjes për shkak se nuk paguajnë dot kartën e identitetit. Nuk ka kohë për të humbur. Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, qeveria vazhdon të mbajë në fuqi një taksë të mirëfilltë vote, që të varfrit nuk e përballojnë dot. Nuk ka më kohë për të humbur. Kur mbeten edhe 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, ne i themi qeverisë të dëgjojë zërin e arsyes, duke hequr taksën e votës dhe duke dhënë falas kartën e identitetit për votim. Nuk ka më kohë për të humbur. Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, ne i kujtojmë qeverisë se deri më 28 qershor karta e identitetit lidhet ngushtësisht me të drejtën e votës dhe kjo e drejtë nuk mund të shitet nga qeveria dhe as nuk mund të blihet nga qytetari. Nuk ka më kohë për të humbur”, - tha Rama. Ndërkaq, edhe Partia G99 ka nisur dje firmosjen e një peticioni nga qytetarët, i cili kërkon nga qeveria që kartat e identitetit të shpërndahen falas.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›